Atmosfera rreth sfidës vendimtare mes Polonisë dhe Shqipërisë është ndezur akoma më shumë pas një lëvizjeje strategjike të Federatës Polake, e cila po cilësohet si një “hile” e mirëfilltë teknike ndaj kuqezinjve tanë.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Polake të Futbollit, Lukasz Vashowski, ka konfirmuar zyrtarisht se çatia e stadiumit gjigant “PGE Arena” do të qëndrojë plotësisht e mbyllur gjatë gjithë zhvillimit të gjysmëfinales së play-off-it për Kupën e Botës.
Ky vendim, i marrë vetëm pak orë para startit të planifikuar për në 20:45, ndryshon rrënjësisht kushtet e lojës në fushën e blertë të Varshavës, duke krijuar një ambient të izoluar që do të shndërrohet në një “ferr” akustik për ekipin e drejtuar nga Sylvinho.
Në tribunat e stadiumit priten të jenë të pranishëm rreth 56 mijë tifozë, ku dominimi i vendasve do të jetë dërrmues pasi mbështetësit shqiptarë do të jenë në një pakicë prej rreth 3 mijë personash.
Duke mbyllur çatinë, polakët sigurojnë që zhurma e mbi 53 mijë zërave vendas të mos shpërndahet në ajër, por të përplaset dhe të amplifikohet brenda impiantit, duke krijuar një presion psikologjik të jashtëzakonshëm mbi futbollistët tanë.
Kjo manovër synon jo vetëm mbrojtjen nga kushtet atmosferike, por mbi të gjitha maksimizimin e mbështetjes për ekipin e Polonisë, duke e kthyer stadiumin në një kazan që vlon, ku komunikimi mes lojtarëve shqiptarë në fushë do të jetë thuajse i pamundur nën vërshëllimat dhe thirrjet e vazhdueshme të tifozerisë polake.
