Salihi nuk i mjaftoi Skënderbeut që u mund nga kurbinasit pas gjuajtjeve të penalltive


Ermal Kuka


laci-fiton-superkupen-e-shqiperise-658x375_1Laçi ka fituar Superkupën e Shqipërisë për herë të parë në historinë e këtij trofeu, duke mundur Skënderbeun, i cili qartësisht po mendonte më shumë për sfidat e Europës. Fituesit e Kupës së Shqipërisë detyruan kampionët e Superiores të shkonin në gjuajtjet e penalltive pas barazimit 2-2, duke triumfuar pas një serie prej 8 gjuajtjesh nga secila skuadër nga pika e bardhë.


Ashtu siç pritej, Mirel Josa u kishte dhënë hapësirë futbollistëve të stolit në këtë ndeshje, pasi mes titullarëve të zakonshëm të Skënderbeut, vetëm Arapi, Berisha e Progni luanin që nga minuta e parë. Ndërkohë, Cungu u detyrua të bënte një ndryshim të paparashikuar pas dëmtimit të Vujadinoviç, duke aktivizuar nga minuta e parë në portë 17-vjeçarin Selmani. Në stadiumin “Qemal Stafa” thuajse të boshatisur nga tifozët, fillimi i ndeshjes ishte me ritëm shumë të ulët, pasi skuadrat studiuan për disa minuta njëra-tjetrën. Situata ndryshoi në minutën e 11-të, kur Dema shkaktoi 11-metërsh pas ndërhyrjes ndaj Dokut në zonë. Nga pika e bardhë gjuajti me saktësi i zakonshmi Xhejms, duke i dhënë avantazhin Laçit. Pritej reagimi i Skënderbeut, por formacioni i improvizuar nga Josa jo vetëm që nuk arrinte të krijonte diçka në sulm, por edhe rrezikoi të pësonte golin e dytë pas gjuajtjeve të Metos dhe Gocajt. Dëmtimi i Abilaliajt detyroi Josën të hidhte në fushë Salihin, një lëvizje që ktheu Laçin më mbrapa, për t’u ruajtur nga sulmuesi, i cili po shkëlqen në Ligën e Kampioneve me korçarët. Mbulimi i rreptë i tij krijoi më shumë hapësira për sulmuesin tjetër të Skënderbeut, Hristov, por bullgari shpërdoroi dy mundësi shumë të mira në minutat e fundit të pjesës së parë.


Pas pushimit të ndeshjes, Josa vendosi të aktivizonte edhe Shkëmbin, për të ndihmuar skuadrën e tij që kishte shfaqur shumë vështirësi në organizimin e manovrës ofensive. Por pikërisht kur dukej se korçarët po insistonin më shumë, erdhi edhe goli i dytë i Laçit kur shënohej minuta e 50-të e sfidës. Mitraj dha një pasim diagonal të shkëlqyer për Xhejms, i cili ndëshkoi përsëri portierin Llapanji, duke çuar shifrat në 2-0 për Laçin. Në këto momente doli në pah karakteri i kampionëve të Shqipërisë, të cilët ndonëse me një formacion të improvizuar, bënë maksimumin për të kthyer fatin e kësaj sfide, duke u bazuar pikërisht tek eksperienca e atyre pak titullarëve që ishin në fushë. Sinjali i parë erdhi në minutën e 65-të, kur Berisha harkoi një top mbi mbrojtjen kurbinase, me Salihin që përfitoi duke dërguar sferën në rrjetë për të shkurtuar diferencën. Vetëm 3 minuta më vonë, sulmuesi shpërdoroi një tjetër mundësi të artë pas pasimit në qendër të Prognit nga e djathta, duke dërguar topin jashtë kuadratit. Por ai korrigjoi shënjestrën e tij me një gjuajtje me kokë në minutën e 74-t pas një harkimi perfekt të Abazajt nga e majta, duke rihapur plotësisht ndeshjen me barazimin 2-2.


Që nga ai moment, Laçi u kthye thuajse i tëri në mbrojtje, me Cungun që vendosi të sakrifikonte manovrën sulmuese të skuadrës së tij me largimin nga fusha të Metos, Mitrajt e Xhejms, për të aktivizuar futbollistë me tipare mbrojtëse. Kësisoj, kurbinasit i mbijetuan vrullit të Skënderbeut në minutat e mbetura për të çuar ndeshjen drejt kohëve shtesë. Por gjatë dy pjesëve nga 15 minuta, rezultati nuk ndryshoi edhe falë vëmendjes së Selmanit dhe Llapanjit, të cilët bënë disa ndërhyrje vendimtare për të mbajtur të paprekura rrjetat. Si rrjedhojë, Superkupa e Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Laçit iu drejtua përsëri penalltive, ashtu si dy vite më parë kur triumfuan korçarët. Këtë radhë, kurbinasit kishin ardhur më të përgatitur për gjuajtjet nga pika e bardhë, duke realizuar me saktësi të 8 tentativat e tyre. Ndërsa i riu Selmani u bë heroi i takimit, duke pritur gjuajtjen e 8-të të Lulajt, që rezultoi vendimtare për t’i dhënë Laçit jo vetëm hakmarrjen për humbjen e dy viteve më parë, por edhe për të siguruar Superkupën e parë të historisë së skuadrës kurbinase.


 


Skënderbeu-Laçi 2-2


65′, 74′ Salihi / 11′ (p), 50′ Xhejms 


9-10 pas penalltive 


Skënderbeu: Llapanji, Ribeiro, Lulaj, Arapi, Abazi, Shabani (54′ Lilaj), Dema (46′ Shkëmbi), Progni, Berisha, Abilaliaj (28′ Salihi), Hristov


Tr: M. Josa


Laçi: Selmani, Sefgjini, Çela, Buljan, Doku, Mustafa, Veliaj, Meto (72′ Bardhi), Gocaj, Mitraj (68′ Nimani), Xhejms (77′ Ndreca).


Tr: A. Cungu


KV: Dema, Arapi, Shkëmbi, Hristov / Sefgjini, Mustafa, Buljan, Bardhi


Gjyqtar: Andi Koçi