Klubi i Lacios i është drejtuar policisë në Romë, duke bërë një denoncim publik ndaj një personi, i cili sipas bardhekaltërve, ka bërë të mundur që të sabotohen e dështojnë transferime të piketuara nga ekipi në fjalë.
Drejtori sportiv Anxhelo Fabiani e kishte paralajmëruar këtë në një konferencë për shtyp kur po prezantonte Ratkov dhe Tejlor, ndërsa tani e ka bërë fakt duke depozituar denoncimin e tij në polici.
Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për tre raste kur një menaxher i njohur ndërkombëtar, ka telefonuar lojtarët që kërkonin bardhekaltrit apo menaxherët e tyre, duke folur kundër Lacios dhe vetë drejtorit sportiv. Kjo ka ndodhur për rastet e transferimit të Ruben Loftus-Çik, Lazar Samarxhiç dhe Keneth Tejlor.
Në rastet e para, taktika ka funksionuar pasi i lojtarët kanë kërkuar të mos kalojnë te Lacio, ndërsa nuk ka funksionuar me Tejlor, i cili është tashmë pjesë e bardhekaltërve.
Denoncimi ka ardhur pasi vetë menaxheri i Tejlor i ka treguar Fabianit mesazhet e këtij menaxheri ndërkombëtar, i cili theksonte se duhej të bënte atë që i kërkonte, par mosrealizimin e transferimit te Lacios, sepse këtë “e kërkonin dy persona të fuqishëm” që ishin me të. Ai kishte shpjeguar në mesazh se kështu kishte funksionuar në transferimet e dështuara të mëparshme.
Për momentin nuk dihet identiteti i këtyre dy personave, por denoncimi është bërë për menaxherin ndërkombëtar, pasi ekzistojnë mesazhet e tij drejtuar përfaqësuesit të Tejlor.
