Burnley dhe Bournemouth luajnë sot në orën 16:00 për raundin e 30-të në Premier League. I gatshëm për vendasit është edhe Armando Broja, sulmuesi i kombëtares shqiptare që do e fillojë nga stoli këtë ndeshje. Trajneri i Burnley, Scott Parker, tha dy ditë më parë se Broja kishte nisur me stërvitjet individuale, por sot ka surprizuar duke e pasur në stol. Prej 20 shkurtit Broja vuan një lëndim që po e mban jashtë stërvitjeve intensive me ekipin e tij.
Rikthimi në gatishmëri i Brojës është një lajm i mirë edhe për kombëtaren e Shqipërisë dhe trajnerin Sylvinho, pasi 24-vjeçari mund të jetë një ‘armë’ më shumë për mbrëmjen e 26 marsit, atëherë kur Shqipëria do përballet kundër Polonsië në Varshavë për sfidën play-off të Kupës së Botës 2026.
Megjithëse Broja nuk është ende gati, fakt është se klubet në Premier League nuk mund të mbajnë në stol një lojtar të dëmtuar dhe jo të gatshëm për lojë, ndaj fakti që shqiptari është i gatshëm sot, do të thotë se rikuperimi ka ecur mirë.




