Angli


Stouk prish lamtumirën e Xherard me fitoren e thellë 6-1 


Ditë feste për Çelsin, dështim për Liverpulin


Celesi festonÇelsi ka festuar para tifozerisë së vet titullin kampion në Angli, duke mundur në ndeshjen e fundit të kampionatit Sandërlendin me rezultatin 3-1. Një penallti e Diego Kosta dhe një dygolësh i Loik Remi përmbysën avantazhin fillestar të Fletçer, me skuadrën e Murinjos që më pas festoi në fushë një titull më se të merituar në këtë edicion ku kanë dominuar futbollin anglez. Kjo ishte ndeshja e fundit e Didier Drogba me blutë, pasi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë pranoi se për të kishte ardhur koha të largohej nga Londra, por duke sqaruar se do të vazhdonte të luante futboll. Një lamtumirë e lumtur ka qenë edhe ajo e Frenk Lampard, i cili është larguar përfundimisht nga Anglia drejt MLS-së duke ndihmuar Mançester Sitin të fitonte 2-0 ndaj Sauthempton. Mesfushori shënoi golin e avantazhit në minutën e 38-të, rrjeta e 177 dhe e fundit e tij në këtë kampionat, pasi ai do t’i bashkohet Nju Jork Siti në MLS, për të mbyllur atje karrierën e tij. Shumë zhgënjyese ka qenë lamtumira e një tjetër legjende të futbollit anglez, Stiven Xherard, i cili në ndeshjen e fundit në Angli ka qenë dëshmitar i shkatërrimit 6-1 të Liverpulit në fushën e Stouk. Mesfushori shënoi golin e vetëm të ekipit të tij, por sigurisht që nuk mund të kënaqej për një gjë të tillë, pas një paraqitjeje të tmerrshme, për të cilën edhe trajneri Brendan Roxhers kërkoi falje publikisht.


 


 


Itali


Argjentinasi shpreson të luajë përkrah Tevez tek ekipi i ri 


Dybala: Zgjodha Juven, sepse insistoi më shumë


Paolo DybalaNë mbylljen e ndeshjeve të djeshme të Serisë A, sulmuesi Paulo Dybala i Palermos ka konfirmuar publikisht se në ditët e ardhshme do të firmosë për Juventusin, skuadër e cila, sipas tij, e kishte kërkuar më me ngulm. “Juventusi është skuadra që më dëshironte më shumë. Kanë bërë një sforco të madhe për të më marrë dhe kjo është arsyeja pse bëra një zgjedhje të tillë”, tha sulmuesi, pak pasi doli nga stadiumi “Renzo Barbera”, ku u dha lamtumirën tifozëve të Palermos. “Sigurisht që mund të fitoj titullin me Juventusin në të ardhmen, ajo është një skuadër fituese. Unë luaj gjithmonë për të fituar dhe me ta mund të siguroj më shumë fitore. Por do të jetë e pamundur të harroj gjithçka që kam përjetuar në tre vite te Palermo, ku jam ndier mirë që në ditën e parë”, tha 21-vjeçari. Te skuadra e tij e re, ai shpreson të gjejë një tjetër argjentinas, Karlos Tevez, i cili është ende i pavendosur nëse do të vazhdojë te bardhezinjtë apo do të kthehet në vendlindje. “A është më mirë për mua nëse largohet? Jo, më mirë nëse qëndron. Përkrah tij, do të ishte më e thjeshtë të mësoja. Kur erdha te Palermo, të gjithë thanë se Zamparini kishte shpenzuar shumë për të më sjellë në Itali duke paguar 12 milionë euro. Por me kalimin e kohës, unë tregova që mund të luaja futboll dhe klubi ka përfituar një shifër të rëndësishme për shitjen time”, deklaroi Dybala.

Shkurt


Atletiko Madrid


Diego Simeone ka vendosur një rekord të veçantë në këtë sezon të kampionatit spanjoll. Trajneri argjentinas siguroi vendin e tretë në La Liga për Atletiko Madrid, duke rreshtuar në fushë formacione të ndryshme titullare në të 38 ndeshjet e këtij kampionati, në një rotacion që ka përfshirë 25 lojtarë.


 


Shalke


Roberto Di Mateo është shumë pranë shkarkimit nga detyra si trajner i Shalkes. Italiani, i cili në drejtimin e Çelsit fitoi Ligën e Kampioneve në vitin 2012, nuk ka arritur objektivin e kualifikimit të ekipit gjerman në turneun më të rëndësishëm për klube në Europë. Para zyrtarizimit të shkarkimit, klubi do të shohë për alternativat e mundshme që janë në qarkullim.


 


Milan


Administratori i përgjithshëm i Milanit, Adriano Galiani, do të udhëtojë drejt Spanjës, për të gjetur atje trajnerin e ardhshëm të kuqezinjve. Objektivi kryesor mbetet Karlo Ançeloti, por ky i fundit ka deklaruar se nëse shkarkohet nga Real Madrid, do të qëndrojë një vit pushim. Ndaj klubi ka kthyer sytë nga Unai Emeri, 43-vjeçari që po drejton me sukses Seviljen.