Kupa e Italisë


Eliminim dramatik i Juventusit, në finale shkon Lacio 


Është Lacio finalistja e Kupës së Italisë. Skuadra e Lorik Canës fitoi 2-1 ndeshjen e kthimit, duke eliminuar Juventusin nga kompeticioni i dytë për nga prestigji në Itali. Pak raste për gol në pjesën e parë, por dy episode më se të dyshimta për zonë. I pari në dëm të Vuçiniç, i rrëzuar nga një ndërhyrje e Marketit brenda zonës, por që për gjyqtarin Bani nuk ishte 11-metërsh. Nga ana tjetër, është një kontakt mes Islas dhe Kloses, i cili bën stolin e Lacios të shpërthejë në protestë, por edhe në këtë rast drejtuesi i garës nuk jep ndëshkimin maksimal. Por në të dyja rastet, penalltia dukej neto. Pas vetëm 8 minutash nga fillimi i pjesës së dytë, është Lacio ajo që zhbllokon rezultatin me Gonzales (53’), i cili shënoi duke mposhtur portierin Storari. Në minutat e mbetura, Juventusi tenton të bëjë gjithçka, krijon një volum të madh loje, provon të luajë me tre sulmues, por goli vjen vetëm në minutën e 4 shtesë me Vidal. Kur gjithçka duhej të shkonte në kohët suplementare, një gol i Flokarit firmos eliminimin dramatik të Juventusit.


 


Barcelona


Zhordi Roura: Do t’i imponojmë Realit lojën tonë


Zhordi Roura beson se Real Madrid, pavarësisht problemeve që ka kaluar është një kundërshtar kompetitiv dhe se do të synojë sulmin e parë ndaj Barcelonës. Ky është komenti i parë i trajnerit katalanas në konferencën për shtyp përpara sfidës së parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit me Realin e Madridit. Madje, ndihmësi i Vilanovës thekson se në “Bernabeu” ekipi zbret vetëm për fitoren. “Ne do të përpiqemi të jemi vetvetja, pasi nuk kemi mënyrë tjetër për të luajtur. Shkojmë për të fituar dhe për të demonstruar forcën tonë. Nuk do të ndryshojmë asgjë dhe do të mundohemi të imponojmë mënyrën tonë të të luajturit. Pres një Real të fortë dhe superkompetitiv, pavarësisht sezonit që ka zhvilluar në kampionat. Reali ka mënyrën e vet të të luajturit e bazuar në karakteristikat e futbollistëve që ka”.


 


Çështja


E fejuara e portierit Kasijas hap krizën e brendshme në prag të “El Clasicos”


Real, Sara Karbonero kryqëzon Murinjon: Ka përçarë lojtarët


'40 Principales Awards 2010' GalaGazetarja Sara Karbonera, e dashura e portierit Kasijas, konfirmon përçarjen midis grupit dhe teknikut: “Dhomat e zhveshjes janë krejtësisht të përçara, klima nuk është aspak e favorshme dhe mjaft elemente nuk janë dakord me të”. Para pak ditësh, presidenti Perez kishte mohuar çdo ultimatum ndaj trajnerit. Tashmë është e njohur se midis Murinjos dhe gazetares së bukur televizive nuk qarkullon gjak i pastër, aq sa shumë gojë të liga thonë prej këtij “feeling-u” fals qëndron ulur në stolin e rezervave edhe portieri i kampionëve të Europës, përpara dëmtimit të tij. Një tjetër episod që mund t’i japë një dorë edhe më të rëndë armiqësisë midis teknikut portugez dhe shoqes së Kasijasit, është fakti se përgjatë transmetimit të programit meksikan “La Jugadà” në Televisa, ajo tregon se si është përçarë stoli i Real Madridit (këtë e përforcojnë edhe sms-të e lojtarëve të publikuar nga e përditshmja spanjolle “Marca”). Sipas asaj që tregon Sara Karbonero, lojtarëve të Realit i ka humbur tashmë “besimi” te “Special One”, edhe pse presidenti Perez ka përgënjeshtruar çfarëdolloj ultimatumi kundër teknikut. “Klima brenda ekipit të Realit nuk është e mirë, tregon gazetarja spanjolle. Tashmë dihet që lojtarët nuk janë aspak dakord me trajnerin e tyre. Ka një ndarje të brendshme dhe pritet fundi i kampionatit për të kuptuar se cili do të jetë fati i Murinjos, i cili ka shumë fronte të hapura te Reali”. Një e dhënë më tepër kjo e fundit, e cila na bën të hipotizojmë se tashmë te Real Madridi do të ketë një ndryshim në pankinë dhe tekniku portugez nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për t’u rikthyer në drejtimin e ndonjë klubi në Premier League.


Deklarata – “Dhomat e zhveshjes janë krejtësisht të përçara te Reali. Klima nuk është aspak e favorshme dhe mjaft elemente nuk janë dakord me trajnerin Zhoze Murinjo”


 


 


Marrëveshja


Për ta marrë kuqezinjtë do paguajnë 20 milionë euro


Baloteli është zyrtarisht lojtar i skuadrës së Milanit


Baloteli pozon me bluzen kuqezi te MilanitMario Balotelli është zyrtarisht një lojtar i Milanit. Tratativat e zhvilluara në Londër mes drejtuesve të Mançester Sitit dhe Mino Raiolës, menaxherit të lojtarit, ka dalë “tym i bardhë”. Sipas asaj që është mësuar, të dyja klubet kanë arritur një marrëveshje në parim mbi shumën që duhet të paguhet për kartonin e SuperMarios dhe ky i fundit të mërkurën do të kryejë vizitat mjekësore në Milano. Më pas ai do të firmosë një kontratë për 4 vjet e gjysmë nga e cila do të përfitojë 4 mln euro në sezon plus bonuset e parashikuara. Shuma për t’u paguar nga Milani duhet të jetë 20 milionë euro. Britanikët, në fakt kishin pranuar vonesën në pagimin prej gjashtë vjetësh të parave të transferimit nga Milani, ndërsa po bëjnë një rezistencë vetëm në bonuse. Me pak fjalë, “martesa” Milan-Baloteli pret të celebrohet formalisht përmes prezantimit të tij si kuqezi. E gjitha kjo ndodhi shpejt të martën, pavarësisht nga befasia e shtuar e Juventusit, i cili u përpoq ta shqetësonte tratativën kuqezi, dhe pavarësisht se Roberto Mançini nuk donte ta lëshonte lojtarin. Mario Balotelli u transferua te Mançester Siti në vitin 2010 ku nuk arriti asnjëherë të gjente ambientin e përshtatshëm për të treguar klasin e tij si lojtar. Me fanellën e “sitizens”-ave, super-Mario luajti 53 takime duke shënuar vetëm 20 gola. Mosmarrëveshjet e tij me trajnerin Mancini kulmuan në 3 janar, ku tekniku italian u detyrua ta largonte nga stërvitja.


Kontrata – Kontrata e Balotelit me Milanin do jetë për katër vite e gjysmë


 


IFFHS


Bardheblutë lënë pas në renditje Vllazninë dhe Dinamon 


Tirana, skuadra më e mirë shqiptare për shekullin XXI


Tirana është skuadra më e mirë e Shqipërisë për shekullin e 21, pavarësisht se nuk fiton titullin. Këtë e thotë renditja e Instituti Ndërkombëtar të Historisë dhe Statistikave, në bazë të rezultateve të arritura në futboll. Bardheblutë lënë pas Vllazninë dhe Dinamon. Në renditjen e përvitshme të nxjerrë nga ky institut, Tirana renditet në vendin e 172 në klasifikimin botëror për shekullin e 21 me 716 pikë, duke lënë pas skuadra si Dinamo e Moskës, Real Societad apo dhe Uest Hem. 89 pozicione më poshtë renditet Vllaznia me 549.5 pikë. Shkodranët renditen në vendin e 261 duke lënë pas Goteborg, Rijekën dhe Sienën e Serisë A. Edhe pse militon në kategorinë e parë Dinamo konsiderohet si skuadra e tretë më e mirë shqiptare për shekullin e 21. E renditur në vendin e 313 në botë, blutë kanë lënë pas skuadra si Rexhina apo Bokum. Pas Dinamos në këtë renditje vijojnë Teuta dhe Shkumbini, që ndiqen nga Besa dhe Flamurtari respektivisht në vendin e 6 dhe të shtatë. Nëse në Shqipëri emri i Partizanit është i nënvlerësuar, nuk ndodh kështu nga IFFHS, që i klasifikon demat e kuq në vendin e tetë në renditjen e skuadrave më të mira shqiptare për shekullin e 21-të. Pas Partizanit me diferencë të madhe pikësh vijnë Elbasani dhe Skënderbeu që mbyll 10 e parë në këtë klasifikim. Në krye të renditjes botërore për klube, për sa i përket shekullit të 21-të qëndron Barcelona me 3.224 pikë i ndjekur nga Mançester Junajtid dhe Real Madrid.


Renditja – Tirana renditet e 172-ta, Vllaznia e 261-ta dhe Dinamo e 313-ta