Ankesa
Kukësi ankohet në FSHF për penalltinë e padhënë ndaj Vllaznisë
Tirana nuk është i vetmi klub që ankohet për gjykimin jo korrekt këtë fundjavë. Asaj i është bashkuar me një lëvizje konkrete Kukësi, skuadra verilindore, e cila të shtunën është mundur me rezultatin 1-0 nga Vllaznia, po pretendon se gjyqtarët e kësaj sfide janë treguar të njëanshëm. Në këtë rast kemi të bëjmë me një ankesë, e cila tashmë është në dyert e FSHF-së dhe do të kalojë në duart e Komisionit të Disiplinës. Lajmi është konfirmuar nga vetë presidenti i Kukësit, Safet Gjici. “Ndeshja ndaj Vllaznisë është ndikuar nga gjykimi, u shpreh numri një i klubit kuksian. Na është mohuar një penallti e qartë, por edhe dy vendime të diskutueshme të anësorit. E vetmja gjë që unë mund të them për momentin është se këto vendime të gjyqtarëve, sipas meje, kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të ndeshjes dhe për këtë, ne kërkojmë që Komisioni i Disiplinës të marrë masat e duhura për këtë rast”, deklaroi dje presidenti Safet Gjici.
Mbrojtësi
Futbollisti i Realit sulmon dhe gjyqtarin për kartonin e kuq
Real Madridi, Serxho Ramos “thumbon” Zhoze Murinjon
Serxho Ramos – Serxho Ramos, një ndër liderët e Realit të Madridit
Kohë të vështira për Serxho Ramos në Madrid. Mbrojtësi i Realit, pasi u vendos në bankën e të akuzuarve për golin e pësuar nga “los blancos” në ndeshjen e Champions me Mançester Junajtid, u ndëshkua me karton të kuq në sfidën me Rajo Vajekanon, duke lënë Realin me 10 vetë për më shumë se 65 minuta lojë. Një gjest që ka irrituar jo pak futbollistin, por dhe trajnerin e tij Zhoze Murinjo, që kanë nisur sërish një konflikt verbal në distancë. Në një deklaratë të dhënë për mediat, Ramos nuk ka kursyer thumbat ndaj trajnerit portugez, duke iu referuar kritikave të tij pas ndeshjes me “Djajtë e Kuq”: “Nuk është në stilin tim të tregoj me gisht kolegët apo futbollistët e Realit, kur dikush prej tyre gabon. Kjo është çështje edukimi”. Mesazh i qartë për trajnerin, deklaratat e të cilit duket se nuk i pëlqejnë aspak Serxho Ramosit, që me reagimin e tij pritet të shpërthejë një tjetër bombë në dhomat e zhveshjes së Realit. Mbrojtësi gjithashtu i irrituar dhe për kartonin e kuq të marrë ndaj Rajos, nuk harroi të kritikonte dhe gjyqtarët për vendimet e tyre të nxituara: “Më vjen keq për situatën e krijuar. Nuk është normale që të të nxjerrin jashtë për dy minuta. Nuk bëra ndërhyrje të ashpra dhe as dashakeqe. Ishin thjesht duele që ndodhin në lojë e sipër. Kartoni i parë i verdhë për më tepër ishte inekzistent. Futbolli spanjoll meriton gjyqtarë më të mirë, sepse te ne luajnë futbollistët më të mirë të botës”.
Milan
Presidenti kuqezi i jep leksione në distancë trajnerit Alegri
Berluskoni bëhet “trajner”: Ja si luan Milani me Barçën
Arrigo Saki – “Unë dhe Saki krijuam një Milan gjithmonë padron të fushës”
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni vesh sërish petkun e trajnerit, këtë herë për sfidën e luksit të Champions League kundër Barcelonës, ku sipas analistëve, shanset që kuqezinjtë të kalojnë katalanasit janë minimale. Por presidenti e ka një recetë që preferon ta ndajë publikisht me trajnerin Alegri. Në kulmin e fushatës elektorale, numri 1 i shoqërisë milaneze nuk kursehet në këshilla.”Sugjerimi im është ky; Mesi si qendërsulmues duhet të markohet një për një”. Kjo fjali mjafton që tekniku kuqezi ta mendojë mirë skemën që do të përdorë në “San Siro” për të dalë faqebardhë ndaj një prej skuadrave më të mira të historisë së futbollit. Por receta është e gjatë, sepse presidenti nuk ka mbaruar. “Në skuadër kemi edhe Robinjon, që është një lojtar i rëndësishëm. Edhe tekniku e di që me dy sulmues ne jemi në rregull. Gjithashtu, në mesfushë e mbrojtje duhet të jemi më të shpejtë për të rikuperuar topat. Nuk kam pasur kohë të flas me Alegrin për këtë çështje dhe e di shumë mirë deri ku shkojnë kompetencat e presidentit, por dua të shtoj se nëse presidenti nuk është dakord, ka të drejtë ta shkarkojë trajnerin. Gjithsesi, ky nuk është rasti i Alegrit, sepse është ende në stolin e skuadrës dhe ka edhe një vit kontratë me ne”. Në fund të intervistës, Berluskoni kujton kohët e vjetra kur ngriti nga themelet një skuadër që do të ndriçonte Europën me në krye trajner Sakin.
Vendimi
Besa, dorëhiqet trajneri Ilir Daja
Trajneri i Besës, Ilir Daja, është larguar nga posti i trajnerit tek ekipi i Besës. Pas humbjes 1-0 në javën e 15 ndaj Tomorit, trajneri i verdhezinjve e ka mbyllur aventurën e tij me kavajasit. Humbja ndaj skuadrës më të dobët të kampionatit nuk është kapërdirë lehtë nga Ilir Daja. Ai u shpreh i pakënaqur pas humbjes me gjykimin dhe lojën e skuadrës së tij. Besa ndodhet afër zonës së ftohtë me 16 pikë dhe ky largim do t’i hapë edhe më shumë probleme skuadrës.
KE / FSHF
“Kosovarët, jo më ‘të huaj’ në Shqipëri”
Në mbledhjen e mbajtur dje, KE i FSHF-së ka aprovuar pikat që do t’u prezantohen anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme në mbledhjen e kësaj të fundit që pritet të mbahet më 28 shkurt 2013. Është thuajse e mbaruar, por zyrtarizimi do të pritet nga Asambleja e Zakonshme Zgjedhore e FSHF-së, që pritet t’i konsiderojë si lojtarë vendorë lojtarët shqiptarë nga Kosova që nuk kanë shtetësi shqiptare. Kjo pritet të votohet në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së dhe të fillojë të implementohet menjëherë.