Trajneri këshillon klubet italiane, sepse sipas tij, Kombëtarja shqiptare ka talente me perspektivë


De Biazi: Seria A, hidhni një sy nga Shqipëria


De Biazi gjate intervistes ne SuperSport


Xhani De Biazi, trajneri i kombëtares së Shqipërisë, vazhdon fushatën e tij të promovimit të futbollistëve shqiptarë në tregun italian dhe këtë e ka bërë në një prononcim të djeshëm për mediat e përtej Adriatikut ku ka folur për çështjen aktuale të Serisë A, por edhe për shpërthimin e Kombëtares kuqezi në eliminatoret e Botërorit 2014. I pyetur për mundësitë e Shqipërisë për të fluturuar për në Brazil, De Biazi deklaron: “Është e vështirë të përgjigjem. U nisëm pa pritshmëri të mëdha. Duhej të rinovonim skuadrën dhe po e rinovojmë. Jemi renditur mirë në klasifikim, por janë për t’u luajtur edhe 5 ndeshje dhe më e vështira vjen tani”. De Biazi e ka të vështirë të zgjedhë një emër si lojtari më i talentuar: “Le të themi se kemi më shumë se sa një lojtar të talentuar. Problemi i vetëm është se ata që kanë cilësitë më të mira kanë ‘emigruar’ në Gjermani ose në kampionatet e tjera të mëdha. Nuk mund të zgjedh asnjë emër, sepse ndoshta do të dukej se sponsorizoj disa lojtarë dhe të tjerët jo. Vetëm mund të jap një këshillë për klubet italiane: hidhni një sy nga kombëtarja e Shqipërisë, sepse ka lojtarë të rinj dhe me shumë perspektivë”. Por edhe një herë tekniku i kuqezinjve pohon se nëse merr një ofertë të mirë nga klubet italiane, mund të mos rinovojë me Shqipërinë. “Më mungon disi futbolli italian. Është e qartë se nëse në të ardhmen, jo shumë shpejt, do të më jepet një mundësi për t’u rikthyer në Itali me një projekt serioz… do ta bëj me kënaqësi. Por, këtë herë, do të doja të merrja masat e nevojshme”, përgjigjet në fund Xhani de Biazi.


 


 


Deklarata


Venger: Bajerni super, arbitrimi i tmerrshëm


Arsen Venger ka komentuar ndeshjen e së martës, duke i thurur elozhe Bajernit të Mynihut. Gjithsesi, ai nuk i kursen kritikat e ashpra ndaj gjykimit. “Bajerni e meritoi plotësisht fitoren. Ishin superiorë në çdo aspekt, si fizikisht, ashtu edhe taktikisht. Barcelona nuk tregoi as 20% të potencialit të saj. Gjermanët merituan një fitore me diferencë të konsiderueshme golash për paraqitjen e zhvilluar. Më vjen keq që arbitrimi në një ndeshje kaq prestigjioze ishte i tmerrshëm. U bënë gafa që edhe një fëmijë 10 vjeç mund t’i vërejë. Është e palejueshme që të ndodhë një gjë e tillë në gjysmëfinalet e Champions league, aq më tepër që ka edhe arbitra pas portave. Nuk di sesi t’i shpjegoj”.


 


Vendimi


Suarez kafshoi Ivanoviç, pezullohet 10 javë


Sulmuesi i Liverpulit, Luis Suarez, është ndëshkuar me 10 ndeshje pezullim nga Federata Angleze e Futbollit, pasi kafshoi mbrojtësin e Çelsit, Bratisllav Ivaniviç. Uruguaiani u filmua nga kamerat, duke kafshuar krahun e Ivanoviç në pjesën e dytë të ndeshjes mes Liverpulit dhe Çelsit, e cila u mbyll me rezultatin 2-2. Luis Suarez e pranoi akuzën ditën e martë, por jo arsyetimin e Federatës, e cila beson se tri ndeshje pezullim, nuk janë të mjaftueshme për gjestin e uruguaianit. Lojtari ka kohë deri më 26 prill për të apeluar vendimin. Me këtë vendim, Suarez pritet të mungojë në 4 ndeshjet e mbetura të kampionatit si dhe në 6 ndeshjet e para të sezonit të ri.


 


Ish-trajneri i Kombëtares


Brigel: Shqipëria, tani ka më shumë shanse për kualifikim


Hans peter Briegel ish trajneri i Shqiperise ne konference shtypiHans-Peter Brigel, ish-trajneri i Kombëtares kuqezi në vitet 2002-2006 rikthehet të flasë për Shqipërinë dhe këtë e bën, duke iu mbështetur idenë e trajnerit të Gjermanisë, Joakim Lëv, i cili propozon një tur paraeliminator për kombëtaret e vogla dhe më pas skuadrat fituese të luajnë kundër skuadrave më të forta të kontinentit europian. “Kundërshtarë si Kazakistani, Andorra, San Marino apo Luksemburgu duhet të luajnë ndeshje kualifikuese dhe më pas të futen në grupet ku bëjnë pjesë skuadrat më të forta”, është shprehur Lëv. “Shqipëria nuk ishte ‘mish për top’, ishte reagimi i Brigelit për portalin ‘Ovb-online.de’. Kemi mundur kundërshtarë të fortë si Greqia, Suedia dhe Rusia. Nuk do të isha dakord me idenë për një eliminatore mes kombëtareve të vogla, pasi më parë kishte shumë skuadra të vogla që nuk kishin asnjë shans për kualifikim. Më parë ekzistonte Bashkimi Sovjetik dhe nuk ka pasur shumë skuadra përfaqësuese. Tani ka grupe me 6 dhe 7 skuadra. Duhet bërë një përzgjedhje në bazë të rezultateve. Kjo do të ishte diçka shumë e mirë dhe për kampionatet si Bundesliga, Premier League apo Seria A. Do të kishte më pak ndeshje për përfaqësuesen. Joakim Lëv ka të drejtë. Sigurisht që vendet e vogla do të kenë probleme me diçka të tillë, por jam i mendimit që duhet të zhvillohet një tur paraeliminator. Mund të them se për një vend si Shqipëria ka shumë kuptim. Rusia ishte armiku i vendit edhe pas rënies së murit të Berlinit. Kishim llogari të hapura. Kur fituam me rezultatin 3-1 në Shkodër, të gjithë ishin të lumtur, Po ashtu edhe kundër Greqisë, në shtator të 2004-s ishte e pabesueshme. Të gjitha rrugët e Tiranës ishin të bllokuara. Më shumë se 1 milion njerëz ishin duke festuar. Kemi qëndruar më shumë se tri orë në stadium, ngaqë nuk largoheshim dot. Rrugët ishin të pakalueshme. Ndërsa këtë edicion për Shqipërinë ka më shumë mundësi për t’u kualifikuar, pasi ka një ekip më të kompletuar”.