Lamtumira
Nuk rinovon me PSG-në, duke mbyllur kështu një karrierë të jashtëzakonshme
Bekham tërhiqet nga futbolli në moshën 38 vjeç: Momenti i duhur
Ka mbërritur në finish karriera e gjatë dhe e suksesshme e një prej emrave më të mëdhenj të futbollit modern britanik. Dejvid Bekham i jep fund futbollit të luajtur, duke njoftuar largimin përfundimtar nga fushat e blerta në fund të këtij sezoni me Paris Saint Germain. Mesfushori që e nisi karrierën te Mançester Junajtid, për të vijuar më pas me Realin e Madridit, Los Anxhelos Galaksy, Milanin dhe ekipin francez, konsiderohet si ikona e futbollit ishullor, por edhe një imazh i suksesshëm për kopertinat e revistave. Pavarësisht ofertës së shoqërisë pariziene për zgjatjen e kontratës edhe me një sezon, 38-vjeçari vendosi t’i varë këpucët në gozhdë, duke finalizuar një karrierë që njeh suksese të jashtëzakonshme. Nëpërmjet një komunikate të shkurtër, Bekhami falënderoi PSG-në, që i dha mundësinë të luante sërish në nivele të larta, por shtoi se ky është momenti i duhur për t’u tërhequr. 115 është numri i ndeshjeve të numrit 7 me kombëtaren e Anglisë, ku ka shënuar edhe 17 gola, ndërsa karriera te Mançester Junajtid përfshin 394 ndeshje dhe 85 rrjeta në total. Në 2007-n, kaloi te Reali i Madridit, por kjo aventurë nuk rezultoi e suksesshme, edhe pse ai ishte pjesë e një ekipi ëndrrash. Më pas u transferua në SHBA te Los Anxhelos Galaksi, ku u aktivizua në 116 takime, duke shënuar 13 gola, ndërsa në 2 ndalesat e shkurtra në Milano ai regjistroi 29 takime të luajtura. Në karrierën e tij ka fituar 6 tituj Premier League, 1 në La Liga, 1 në SHBA dhe 1 në Ligue 1, 1 Champions League (1999) me Mançesterin dhe 1 Kupë Interkontinentale. Përveç futbollit, ai u kthye në një seks simbol. Bekhami ndoshta nuk është një nga më të mirët e brezit të tij, por pa dyshim që ai mbetet një nga njerëzit më interesantë në botën e marketingut sepse mjafton që të përmendet emri i tij dhe fanellat në mbarë botën arrijnë numër rekord shitjesh, duke arkëtuar edhe miliona dollarë në llogari të klubeve ku është aktivizuar.
Stadiumi
Kukësi do ta luajë në shtëpi Europa League-n
Skuadra e Kukësit, pasi mundi të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League, synon që t’i luajë në shtëpi ndeshjet e vlefshme për këtë kompeticion. Presidenti i klubit, Safet Gjici, ka deklaruar se “shanset janë që ndeshja brenda në turin e parë të luhet pikërisht në stadiumin ‘Ymer Zeqiri’ në Kukës”. Për sa i përket largësisë me aeroportin, që është edhe një kusht i vënë nga UEFA, numri një i klubit verilindor nuk shqetësohet, pasi sipas tij distanca nuk është e madhe falë Rrugës së Kombit. Po ashtu presidenti Gjici ka zbuluar se ka zhvilluar disa bisedime me drejtuesit përkatës në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) dhe tashmë pritet që UEFA të dërgojë përfaqësuesit e saj për të inspektuar stadiumin dhe për të përcaktuar çfarë duhet bërë për të plotësuar standardet e kërkuara.
Çmimi për të rinj
Januzaj, lojtari i ri më i mirë te Junajtid
Mesfushori shqiptar, Adnan Januzaj, është shpallur lojtari më i mirë i vitit në radhët e të rinjve të gjigantit anglez, Mançester Junajtid. 18-vjeçari i talentuar ka qenë figura kryesore e ekipit të të rinjve të drejtuar nga Uarren Xhois dhe kjo ka ndikuar që të promovohet në ekipin e parë të kampionëve të Anglisë. “Është ndjesi shumë e mirë të jem lojtari më i mirë i vitit. Unë kam punuar shumë për këtë arritje dhe dua të falënderoj të gjithë lojtarët, tifozët dhe stafin. Ka qenë një sezon i mrekullueshëm”, ka theksuar Januzaj gjatë marrjes së çmimit. Adnani, i cili së fundmi refuzoi Kombëtaren e Shqipërisë, pritet të aktivizohet me të rriturit e Junajtid me ndeshjen e kësaj jave në transfertë kundër Uest Bromuiç. Ai mban bluzën me numër 44 dhe tashmë po stërvitet përkrah Runit dhe Van Persit.
Kombëtare
Më 29 maj, grumbullimi për sfidën me Norvegjinë
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka zbuluar programin përgatitor të skuadrën sonë kombëtare përpara sfidës më të rëndësishme në grup, asaj të 7 qershorit kundër Norvegjisë, në stadiumin “Qemal Stafa”. Sikurse është bërë e ditur dje nga institucioni më të lartë të futbollit në vend, “më datën 29 maj do të bëhet në Durrës grumbullimi i futbollistëve të thirrur nga trajneri Xhani de Biazi”. Pjesa më e madhe e lojtarët kuqezi, atyre që kanë mbyllur impenjimet me skuadrat e tyre, do të vihen në dispozicion të tekniku italian i përfaqësues në ambientet te Resortit Tropikal në qytetin bregdetar, që në orën 12.00 të kësaj dite. Ndërsa futbollistët që janë aktivë nëpër kampionatet përkatëse, do t’i bashkohen grupit me 3 qershor. Ndërkohë që është parashikuar edhe një minifazë përgatitore në Zvicër.