Spanjë
Vetëm tre trofe në 3 vjet, por solli në Madrid më shumë probleme sesa sukses
Zyrtare, Murinjo ikën nga Reali në fund të sezonit
Zhoze Murinjo do të largohet nga Reali i Madridit në fund të sezonit. Lajmi është zyrtar, pasi është konfirmuar nga presidenti i madrilenëve në konferencën e djeshme për shtyp, ku njoftoi se gjithçka është vendosur me konsensus. Megjithatë shtypi spanjoll duket se ka vendosur t’i rezervojë një largim të hidhur portugezit, i cili erdhi si triumfator, por që po ikën si protagonisti i më shumë problemeve sesa sukseseve. “Marca” hedh dritë deri në detaje për punën e “Special One”, duke e vendosur në peshore me disa nga emrat më të mëdhenj që kanë drejtuar Realin. Tri tituj dhe një plagë e hapur në dhomat e zhveshjes janë ato çfarë do të lërë pas portugezi, ndaj të cilit rëndojnë dështimet, sidomos në Europë. Në këtë linjë, dështime cilësohen edhe konfliktet e shkaktuara nga Murinjo me tifozët, lojtarët, drejtuesit dhe deri te presidenca e klubit. Me pak fjalë, shumë pak suksese për të justifikuar dëmet që ka shkaktuar trajneri luzitan në tri vitet te Reali. Murinjo numëron tri sezone po aq sa edhe Miljaniç në vitet ‘74-‘77, madje tre trofe sa ish-tekniku i Realit, por ky i fundit, në ndryshim nga portugezi arriti dy suksese në kampionat. Për sa i përket pjesës tjetër të emrave, Murinjo nuk mund të konkurrojë me askënd, sepse Leo Benhaker numëron gjashtë trofe në tri sezone, Del Boske shtatë trofe (mes të cilëve edhe dy Champions League), ndërsa Miguel Munoz 16 të tillë (nëntë prej të cilëve janë kampionate). Për t’u rikthyer në javët e para të drejtimit të tij në Madrid, sipas gazetës “Marca”, kryqëzata e Murinjos nisi me sulmet ndaj arbitrave dhe Barcelonës, dënimi nga UEFA për sjelljen e tij në gjysmëfinalen e Champions kundër Barçës dhe për kartonët e verdhë të komanduar në Amsterdam për Serxho Ramos e Ksabi Alonso. Në sezonin e tij të dytë, do të mbahet mend gjatë ai gisht në syrin e Tito Vilanovës apo debati me arbitrin në zonën e parkimit në “Kamp Nou”. Për të ardhur në fund, tensioni u transferua në dhomat e zhveshjes të Realit, ku Murinjo bëri shumë armiq në grup, duke e ndarë ekipin në dy kampe.
Trofetë
Tre janë trofetë që Reali i Madridit ka fituar nën drejtimin e Murinjos, Kupa e Spanjës, titulli Kampion në La Liga dhe në fund Superkupa e Spanjës
Oferta
Inter Baku rikthehet për Sabino Plakun
Azerbajxhanasit e Inter Bakut nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga Sebino Plaku. Sulmuesi i kampionëve të Shqipërisë ka qenë në shënjestrën e këtij klubi që në merkaton e verës së kaluar, por oferta e majme (500 mijë dollarë) e drejtuesve nga Azerbajxhani, u refuzua nga klubi korçar. Por me të mbaruar sezoni 2012-2013, Inter Baku është rikthyer sërish në kërkim të Plakut, këtë herë më i bindur se kurrë për të mbyllur me sukses tratativat. Por duket se do ta ketë edhe më të lehtë, sepse kontrata e sulmuesit skadon pikërisht në fund të këtij muaji.
Bylis
Ikën Naxhi Shensoji: Dua të pushoj pak
Trajneri Naxhi Shensoji është larguar nga Bylisi. Lajmi u bë i njohur gjatë ditës së djeshme. Tekniku me origjinë nga Kosova, por që jeton në Turqi, ka vendosur të tërhiqet nga drejtimi i skuadra ballshiote, me të cilën arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë, e humbur më pas ndaj Laçit. Zyrtarisht mësohet se Shensojit i ka mbaruar kontrata, ndërkohë që vetë trajneri ka theksuar se “kam nevojë për pak pushime. Pas një muaji do të vendos a do të rikthehem te Bylisi apo do të pranoj ndonjë ofertë më të mirë në Turqi”.
Kievo
Ujkani, mes merkatos
dhe rikthimit te Palermo
Samir Ujkani u huazua nga Palermo te Kievo në janar, me idenë se do të gjende më shumë hapësirë, por në Verona nuk luajti as edhe një minutë të vetme. Madje në dy ndeshjet e fundit, trajneri i Kievos nuk e përfshiu as në 18-she portierin. Kjo lë të kuptohet se Ujkani nuk është në planet e klubit veronez dhe rikthimi i tij te Palermo është thuajse i sigurt. Portieri aktual Sorrentino pritet të largohet nga siçilianët e rënë në Serinë B dhe Ujkani rikthehet të jetë portieri i parë. Por nuk përjashtohet pista e largimit të tij në klub tjetër të Serisë A.