Trajneri
Rusia përgënjeshtron kalimin e Fabio Kapelo te PSZH
Kontrata – PSZH i ofronte Kapelos një kontratë vetëm për sezonin e ardhshëm
Lajmi se Fabio Kapelo do të marrë drejtimin e PSZH në sezonin e ardhshëm ka zgjatur shumë pak orë, pasi Federata Ruse e Futbollit ka përgënjeshtruar menjëherë një hipotezë të tillë. Sipas mediave spanjolle dhe atyre italiane, Kapelo kishte arritur një marrëveshje me sheikët që kanë në pronësi klubin francez, për të drejtuar për një edicion këtë skuadër. Supozohej se Kapelo do të paguante 3 milionë euro dëmshpërblim në arkat e Federatës Ruse, duke i lëshuar vendin një tjetër italiani, Roberto Mançinit. Kontrata e tij me parisienët do të ishte vetëm për një vit, pasi nga 2014, në stolin e kësaj skuadre do të ulej Arsen Venger, i cili ka një akord parimor me drejtuesit e PSZH. Por kjo lëvizje masive trajnerësh është bllokuar nga ndërhyrja e menjëhershme e Federatës Ruse, që ka bërë të qartë se tekniku italian do të vazhdonte të qëndronte në drejtimin e përfaqësueses së futbollit në këtë vend. “Kapelo ka një kontratë me Federatën Ruse. Edhe kohët e fundit, ai ka lëshuar një deklaratë ku thotë se është i lumtur me ekipin kombëtar të Rusisë dhe se dëshiron të vazhdojë këtu”, tha presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Nikolai Tolstikh. Sipas mediave italiane, diskutimet ishin në një fazë të avancuar, por në fund, Kapelo nuk u kënaq me faktin që i ofrohej vetëm një vit kontratë. Pengesë për realizimin e marrëveshjes u bë edhe ndërhyrja e Federatës Ruse, e cila bllokoi gjithçka falë klauzolës ku shkruhej se trajneri duhej t’i lajmëronte 30 ditë më parë për largimin nga drejtimi i kombëtares.
Kupa e Konfederatave
Futbollistët e Brazilit përkrahin protestuesit
Protestat – Demonstratat në Brazil kanë përkuar me zhvillimin e Kupës së Konfederatave
Vala e protestave që ka përfshirë Brazilin në ditët e fundit ka gjetur disa aleatë të paparashikuar, yjet e kombëtares braziliane të futbollit. Protestat popullore kanë shpërthyer për shkak të situatës së vështirë ekonomike në vend, duke e quajtur një luks faktin se shteti ka hedhur shumë para për të ndërtuar infrastrukturë sportive për Kupën e Konfederatave, Botërorin 2014 dhe Lojërat Olimpike 2016, ndërsa me mijëra brazilianë mbeten pa strehë në lagjet e varfra. Tani, shumë nga lojtarët brazilianë mendojnë se protestuesit kanë të drejtë që ankohen për gjendjen e vendit dhe për përmirësimin e gjërave themelore si transporti publik, edukimi apo shëndetësia. “Pasi pashë njerëzit në rrugë duke kërkuar përmirësimin e jetesës, më vjen ndjenja t’i bashkohem edhe unë”, deklaroi sulmuesi Hulk. “Ata po bëjnë gjënë e duhur, ajo që po thonë ka kuptim dhe duhet t’i dëgjojmë. Brazili duhet të përmirësohet, këtë e dimë të gjithë”. Një tjetër futbollist që mendon se demonstratat popullore janë të drejta është David Luiz, i cili pavarësisht faktit se është larguar i ri nga vendlindja e tij, mendon se brazilianët po protestojnë sepse e duan vendin e tyre dhe duan ta shohin atë sa më mirë që të jetë e mundur. “Njerëzit kanë të drejtën të shprehin opinionin e tyre dhe të protestojnë kur nuk janë të lumtur me atë që po ndodh në vendin e tyre. Nuk jetoj në Brazil, por e dua vendin tim. Edhe brazilianët e duan vendin e tyre, ndaj po protestojnë, sepse kërkojnë ta shohin atë sa më mirë në të ardhmen”, tha mbrojtësi i Çelsit.
Juventus blen Asamoah për 9 milionë
Juventusi ka zyrtarizuar blerjen përfundimtare të Kuaduo Asamoah dhe se e ka blerë futbollistin nga Udineze për vlerën e 9 milionë eurove. Bardhezinjtë kishin blerë gjysmën e kartonit të futbollistit në verën e vitit të kaluar, me një marrëveshje që edhe atëherë kushtoi 9 milionë euro, ndërsa e njëjta shumë u pagua edhe për gjysmën tjetër. Pas arritjes së kësaj marrëveshje, ganezi nënshkroi kontratën e re katërvjeçare me Juventusin, duke firmosur për këtë klub deri në vitin 2017. 24-vjeçari ka luajtur 27 ndeshje në këtë sezon për kampionët e Italisë, duke shënuar 2 gola. Ndërkohë, në bisedimet mes bardhezinjve dhe Udinezes, u vendos që të rinovohej bashkëpronësia e dy lojtarëve të tjerë, me Mauricio Isla që do të mbetet te torinezët dhe Kristian Paskuato tek Udineze.
Zork: Largimi i i Gëtce na zhgënjeu
Drejtori sportiv i Borusia Dortmund, Mikael Zork, ka folur për herë të parë rreth zhgënjimit të tij rreth vendimit të talentit Mario Gëtce për t’u bërë pjesë e Bajern Mynih në sezonin e ardhshëm, duke braktisur këtë klub. 21-vjeçari pranoi të shkonte në Mynih dhe për më tepër, bëri publik vendimin e tij para një ndeshje vendimtare në Ligën e Kampioneve ndaj Real Madridit. “Sigurisht që ishim të zhgënjyer rreth vendimit të tij për t’u larguar nga ne, sidomos për kohën kur zgjodhi ta bënte publike një gjë të tillë. Këtë e pranojmë të gjithë. Megjithatë, unë jam kundër të gjithë atyre që janë shprehur keq ndaj tij, unë personalisht e kam telefonuar për ta uruar për datëlindjen. Rojs? Me të kemi plane afatgjata, të diskutuara bashkërisht”.
Neimar nën peshë, e thotë edhe doktori
Fakti se Neimar cilësohet një “peshë e lehtë” për futbollin europian ka shqetësuar jo pak skuadrën e Barcelonës, me doktorin e klubit që ka mbajtur një konferencë për shtyp rreth kësaj teme. 21-vjeçari, pas testeve mjekësore, rezulton të jetë 174 centimetra, ndërsa peshon 64.5 kilogramë. Lojtari që nënshkroi një kontratë pesëvjeçare pasi u ble për 57 milionë euro nga Santos, duket se do të ketë nevojë për një dietë ushqimore dhe sportive të veçantë në vitin e tij të parë në Spanjë. “I kemi bërë një kontroll të shpejtë dhe pesha ishte një nga gjërat e para që na ra në sy”, deklaroi doktori i katalanasve, Rikard Pruna. “Pesha e tij aktuale është disi e lehtë, por aktualisht nuk di të them sa kilogram duhet të shtojë. Do ta shohim me vëmendje gjatë sezonit këtë situatë”.