Topi i Artë
Iker Kasijas: Më i miri? Zgjedh Ronaldon para Mesit
Futbollisti i kombëtares spanjolle, Iker Kasijas, luan në një skuadër me yllin portugez të Realit të Madridit, por thotë se e ka të vështirë ta bëjë dallimin e më të mirit mes Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit. Trajneri Zhoze Murinjo ka deklaruar të dielën në mbrëmje pas “El Clasico”-s së përfunduar me rezultatin 2-2 se dy yjet e La Liga-s nuk kanë të krahasuar, pasi duket se vijnë nga një tjetër planet, por Kasijas ka insistuar se preferon yllin portugez para sulmuesit argjentinas. “Unë do të zgjedh Kristianon para Mesit, sepse është një lojtar që na jep aq shumë çdo sezon, është një shok i mirë, me të cilin kaloj kohë çdo ditë, ka thënë Kasijas për ‘Cadena Cope’. E njoh mirë atë, e di se kush është, di çfarë dëshiron të bëjë në futboll”.
E ardhmja
Milan harton planin për të marrë Pep Guardiolën
Milani këmbëngul që në klub të sjellë ish-trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola. Gazeta e njohur italiane, “Tuttosport”, të martën raportonte se kuqezinjtë janë duke hartuar planin që në “San Siro” të sjellin ekspertin spanjoll, i cili bëri revolucion me Barcelonën, duke e shpallur atë si skuadra më e mirë në historinë e futbollit botëror. E ardhmja e trajnerit aktual të Milanit, Masimiliano Alegri, është në dyshim dhe një gabim i mundshëm në Champions League do të ishte shkarkim nga kreu i pankinës së klubit italian. Në rast të largimit të Alegrit, asistenti i tij, Mauro Tasoti mund të marrë përkohësisht timonin e skuadrës së Milanit, derisa të arrihet marrëveshja me trajnerin spanjoll, Pep Guardiola, i cili aktualisht është trajner i lirë.
Maqedoni
Grabitet Nuri Seferi, kampioni i Europës
Përballja mes shqiptarit nga Maqedonia, Nuri Seferi, dhe serbit Nenad Stankoviç, që u zhvillua në palestrën sportive “Boris Trajkovski” në Shkup, për titullin e Kampionit të Europës, WBO, është shfrytëzuar nga persona të caktuar për të dëmtuar boksierët, në kohën kur ishin në ring. “Në gardërobën ku janë zhveshur boksierët, janë vjedhur disa telefona celularë, si dhe të holla”, citon “Zhurnalplus”. Pra Sefer Seferi, së bashku me vëllain e tij, Nuriun, kanë mbetur pa telefonat e tyre “iPhone 4S”. Atyre u kanë vjedhur edhe të holla, dy dorëza boksi dhe mjete të tjera. Edhe trajnerit zviceran i është vjedhur kuleta. Këtë ndodhi, boksieri e ka pritur me zemërim dhe pret gjetjen e autorëve.
Italia
Bufon: Asnjë sherr me Antonio Kasanon
Asnjë zënkë me Kasanon. Kapiteni i Italisë, Xhixhi Bufon, ka zbuluar se nuk ka asnjë zënkë midis tij e sulmuesit të Interit. “Shkëndija nuk ka pasur. Thuhet se ne senatorët kemi kontribuar në përjashtimin e tij? Kur këto zëra të kenë një emër dhe mbiemër ne do të përgjigjemi. Nuk jam i befasuar që nuk është këtu, pasi janë zgjedhje që trajneri i bën në bazë të ideve që ka, megjithatë mendoj se Prandeli ka qenë shumë i hapur dhe nuk ia ka mbyllur derën në fytyrë Kasanos”. Numri një i përfaqësueses axurre ka folur edhe për situatën e mesfushorit De Rosi, i cili u la jashtë formacionit nga trajneri Zeman, por kjo nuk ia zbeh vlerat një futbollisti si mesfushori i Romës.
Real Madrid
Kaka: Ky është një fillim i ri për mua
“Është një fillim i ri për mua, jam shumë i lumtur që jam kthyer”. Kështu është shprehur Kaka, në konferencën e parë për shtyp, që pas rikthimit në listën e të grumbulluarve të kombëtares braziliane pas dy vitesh e gjysmë mungese. Mesfushori i Real Madridit theksoi se duhet të jetë i qetë dhe se për momentin nuk mendon për pjesëmarrjen në Botërorin Brazil 2014. “Ndihem mirë fizikisht. Kam dy vite që nuk dëmtohem, po stërvitem mirë dhe po filloj të luaj me skuadrën time. Nuk i njoh personalisht. Nejmarin nuk e kam takuar asnjëherë. Është një situatë e ndryshme nga grumbullimet e mëparshme”, deklaroi Kaka në prag të dy ndeshjeve miqësore që Brazili do të luajë ndaj Irakut dhe Japoninë.