U-21


Kuqezinjtë e Gegës nuk evitojnë disfatën e tretë në po aq ndeshje të Europianit


Shpresat njohin vetëm humbje, 1-0 me Austrinë


Copy of 6MaQ820130814155543_14081311Kombëtarja shqiptare e futbollit U-21 vazhdon serinë e humbjeve në eliminatoret e Euro 2015, duke regjistruar dje të tretën në po aq ndeshje të luajtura, këtë radhë me rezultatin 1-0 ndaj Austrisë në Vlorë. Ndonëse trajneri Skënder Gega ka bërë të qartë se detyra e kësaj kombëtareje është vetëm të përgatisë futbollistë për përfaqësuesen e madhe, duket qartë se për momentin në këtë ekip ka shumë pak prej atyre që janë të gatshëm që të bëjnë menjëherë hapin e madh dhe të luajnë në ekipin e De Biazit.


Gega kishte bërë shumë ndryshime në formacionin që humbi dy ndeshjet e para ndaj Hungarisë e Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa në radhët e përfaqësueses mungonin një sërë futbollistësh që kishin luajtur në ato dy takime si: Menka, Dita, Kerçiku, Qaqi, Deliallisi, Vogli, Gino e Shkurtaj. Edhe pse nga kombëtarja A si përforcim kishte ardhur mbrojtësi Elseid Hysaj, përsëri Shpresat kanë shfaqur probleme të theksuara, sidomos me organizimin manovrës sulmuese, ku miqtë e kishin të vështirë të kontrollonin lehtësisht tentativat e dobëta të ekipit shqiptar.


Ndërkohë, gabimet në prapavijë kanë vazhduar të shfaqen, siç ndodhi në minutën e 54-t të ndeshjes, kur një pavëmendje e mbrojtjes kuqezi i lejoi Zhulj të tentonte portën, me Hysajn që devijoi më pas topin pas krahëve të Strakoshës, titullar në këtë sfidë.


Hyrja në fushën e lojës së Morinës dhe Kavazajt i dha disi më shumë impuls lojës së Shqipërisë në minutat e fundit, por Hoxha dhe Abazi gabojnë raste të njëpasnjëshme në zonën kundërshtare, ndërsa Austria arriti të rezistojë deri në vërshëllimën finale të ndeshjes. Me këtë humbje, Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e fundit në grup, ndërsa më 9 shtator do të luajë ndeshjen e radhës në Spanjë, ndaj favoritëve absolutë për të fituar Grupin 4 ku bën pjesë edhe kombëtarja kuqezi. e. kuka


 


Shqipëri-Austri 0-1


Shënues: 54’ (ag.) Hysaj


 


Shqipëria: Strakosha, Rrahmani, Hysaj, Matoshi, Gjokaj, Bunjaku, Shala (65’ Kavazaj), Taipi (46’ Hasani), Hoxha, Neziraj (56’ Morina), Abazi.


Trajner: S. Gega


Austria: Rigler, Ziegl, Nojhold, Sabitzer (85’ Kainz), Holzhauser (76’ Shaub), Hintereger, Ofenbaher, Vimer, Shop (46’ Zhulj), Farkas, Shtoger.


Trajner: V. Luiser


KV: Taipi, Hoxha, Abazi / Sabitzer, Vimer


Gjyqtarë: S. Lapoçkin, A. Lebedev, A. Vorontsov, A. Egorov (Rusi)


 


 


Polemika


Skolari sulmon Barçën: Ata kanë faj për aneminë e Neimar!


Neimar – Mendohet se problemet e formës së sulmuesit brazilian rrjedhin nga ato shëndetësore që e kanë shoqëruar në Spanjë


Trajneri i Brazilit, Luiz Felipe Skolari, ka sulmuar hapur Barcelonën rreth trajtimit që i kanë bërë Neimar dhe mendon se kampionët në fuqi të Spanjës janë përgjegjës për problemet shëndetësore të sulmuesit. Futbollisti 21-vjeçar u diagnostikua me anemi në fillimin e këtij muaji, e cila mendohet se ka ardhur si pasojë e një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e tonsilëve në korrik. Skolari kritikon katalanasit pikërisht për faktin se kanë nxitur futbollistin që të operohej dhe për mënyrën se si e kanë trajtuar gjendjen e tij shëndetësore që nga momenti që u transferua nga Santos. “Është e papranueshme që tani Neimar ka anemi. Ai ishte me Brazilin para Kupës së Konfederatave dhe ishte shumë në rregull. Në këtë moment, është e qartë për të gjithë që ai nuk është më ashtu, pasi i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale”, tha Skolari në konferencë për shtyp. “Duket se është për shkak të atyre (Barcelona), që dinë gjithçka, të cilët mendojnë se kanë gjithmonë të drejtë. Ishte gjithmonë e qartë se Neimar do të humbte peshë pas ndërhyrjes kirurgjikale”, tha trajneri i përfaqësueses së Brazilit. Sipas mediave spanjolle dhe atyre braziliane, Neimar ka humbur 7 kilogramë që nga momenti i operacionit për heqjen e tonsilëve.


 


 


Merkato


Lojtarët e Real Madridit janë kundër blerjes së Garet Beil


Rroga – Shqetësimi më i madh i lojtarëve është fakti se Beil do të përfitojë dyfishin e rrogës së emrave si Ozil e Di Maria


Gazeta britanike “The Telegraph” ka bërë të ditur se pak ditë më parë, trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti, ka biseduar me presidentin Florentino Perez, duke i thënë këtij të fundit se Garet Beil nuk përputhet në planet e tij dhe mendon se është një shpenzim i panevojshëm. Në fakt, trajneri italian po lajmëronte drejtuesin e klubit se zërat për afrimin e Garet Beil kanë shkaktuar pakënaqësi në dhomat e zhveshjeve, sidomos për sa u përket shifrave që diskutohen për blerjen dhe rrogën e uellsianit. Kur skuadra ka mësuar se Beil do të përfitojë mes 9 dhe 10 milionë eurove në vit neto, futbollistë si Ozil, Di Maria dhe Benzema kanë bërë të qartë publikisht pakënaqësinë e tyre. Sipas lojtarëve, skuadra është më se e kompletuar dhe nuk është e nevojshme që të shpenzohen 100 milionë euro për një futbollist. Edhe vetë Kristiano Ronaldo, rinovimi i të cilit publikohet në javën e parë të shtatorit, është mërzitur, pasi klubi po shkatërron edhe titullin e tij simbolik të “blerjes më të shtrenjtë” në historinë e futbollit. Ndaj klubi tani po mendohet mirë për blerjen e Beil, duke parë se operacioni mund të ketë kosto që kalojnë ato monetare, edhe pse vetë futbollisti duket i bindur të bashkohet me madrilenët.


 


 


UEFA përjashton Metalist Kharkiv


UEFA ka vendosur më në fund të përjashtojë Metalist Kharkiv nga Liga e Kampioneve, duke iu referuar hetimeve për manipulimin e një ndeshjeje të kampionatit ukrainas të kësaj skuadre, ndonëse ajo i përket viti 2008. Metalist duhej të luante në play-off të Ligës së Kampioneve ndaj Shalke në javën e ardhshme, por tashmë vendin e ekipit ukrainas e kanë zënë grekët e PAOK që u eliminuan nga nënkampionët e Ukrainës në turin e kaluar. Megjithatë, vendimi ka sjellë shumë kaos, pasi Metalist ka mundësinë të apelojë vendimin në KAS-in e Lozanës dhe gjithçka mund të ndryshojë përsëri deri të martën, kur luhet ndeshja e planifikuar nga UEFA.


 


Suarez ndërron mendje: Do të rri këtu!


Luis Suarez ka bërë një kthesë të papritur në vendimin e tij, duke deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë te Liverpuli në sezonin e ardhshëm, pikërisht atëherë kur dukej se ai do t’i drejtohej gjykatës sportive për të prishur kontratën. Arsenali ishte gati të shpenzonte 42 milionë paund për futbollistin uruguaian, por tashmë duket se është i detyruar të tërhiqet. “Do të rri, për shkak të dashurisë që më kanë shfaqur tifozët”, ishin fjalët e sulmuesit për mediat e vendlindjes së tij. Gjithsesi, para se të kthehet në radhët e ekipit, Suarez duhet t’u kërkojë falje shokëve të skuadrës, siç i ka kërkuar trajneri Brendan Roxhers.


 


Levandovski: Jemi më mirë se vjet!


Mario Levandovski është i sigurt se Borusia Dortmund në këtë sezon është një skuadër edhe më e fortë se ajo e vitit të kaluar, ndonëse ka humbur Mario Gëtze, i cili është larguar për te Bajern Mynih. Afrimi i Henrikh Mikhitarian dhe Pierr-Emerik Aubamejang duket se i ka shtuar cilësi Dortmundit që fitoi me rezultatin e thellë 4-0 ndeshjen e hapjes së Bundesligës. “Këta lojtarë janë një përmirësim i madh për ekipin. Mendoj se tani jemi më mirë se në sezonin e kaluar”, tha sulmuesi polak. “Falë këtyre transferimeve të suksesshme, mendoj se jemi të aftë të bëjmë gjithçka. Jemi të gjithë shumë të motivuar”.


 


Totenhem, 35 milionë euro për Erik Lamela 


Totenhemi duket se ka filluar të mendojë për jetën pa Beil dhe po kërkon një zëvendësues të denjë të uellsianit. Sipas asaj që raportohet nga mediat angleze e italiane, lojtari që ata shohin si zëvendësuesi ideal është argjentinasi i Romës, Erik Lamela. Për të marrë këtë lojtar, klubi anglez është gati të bëjë një ndërhyrje mjaft të rëndësishme në merkato, duke bërë një ofertë prej 35 milionë eurosh për futbollistin. Franko Baldini, ish-drejtori sportiv i Romës që tani gjendet te klubi londinez, është ai që po udhëheq operacionin, ndërsa ka ftuar për bisedime homologët e tij italianë, Mauro Baldisoni e Valter Sabatini.