Francë
Edhe futbollistët me “supertaksën”
Yjet – Klube si PSZH apo Monako rrezikojnë të humbasin yjet e afruar në dy vitet e fundit
Kampionati francez i futbollit ka pësuar një goditje shumë të rëndë dje, pasi ministrja e Sporteve, Valeri Furneiron, bëri të qartë se futbollistët nuk do të përjashtoheshin nga “supertaksa”. Qeveria franceze ka vendosur të tatojë me 75% të gjithë ata persona, të ardhurat e të cilëve kalojnë 1 milion euro në vit dhe kjo bën që yjet e futbollit të mendojnë të largohen nga Franca sa më parë, pasi fitimet e tyre do të reduktohen ndjeshëm. “Ligji nuk do të bëjë përjashtime për askënd”, tha Fourneiron. “Ekziston rreziku i krijimit në futboll të një flluske spekulimesh që mund të shpërthejë në çdo moment, një krizë e jashtëzakonshme.”
Turqi
Zyrtare, Mançini te Gallatasaraji
Rroga – Mançini do të fitojë në total 14 milionë euro në tre vitet e kontratës së tij
Roberto Mançini është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës së Gallatasarajit, pasi tekniku italian ka firmosur dje kontratën trevjeçare që e lidh me klubin turk. Ish-trajneri i Fiorentinës, Lacios, Interit dhe Mançester Sitit, nënshkroi një kontratë trevjeçare me ekipin turk, ku ai do të zërë vendin e Fatih Terim, i larguar pak ditë më parë, pasi refuzoi rinovimin. Detyra e teknikut italian do të jetë jo vetëm të rifitojë titullin në Turqi, por edhe të synojë kualifikimin në turin tjetër të Ligës së Kampioneve. Mançini ka filluar menjëherë punën për të përgatitur skuadrën që nesër do të luajë ndaj Juventusit.
Polemika
Presidenti i Bajernit është i lumtur me trajnerin spanjoll
Hënes mbron Guardiolën: Ibra krijon kudo probleme
Uli Hënes ka qëndruar për shumë kohë në heshtje, duke mos folur në një periudhë kur emri i tij u lakua si ai i një shkelësi të ligjit, për shkak të çështjes së evazionit fiskal. Por presidenti i Bajern Mynih nuk i ka rezistuar tundimit të komentojë deklaratat e Zlatan Ibrahimoviç, i cili një ditë më parë kishte sharë publikisht trajnerin e bavarezëve, Pep Guardiola. “Ne si klub e kundërshtojmë plotësisht Zlatan Ibrahimoviç. Jemi krejtësisht të kënaqur me Pep Guardiolën. Unë mendoj se Ibrahimoviç është një “prima-donna” e plagosur. Nuk e ka kapërdirë ende faktin se e larguan nga Barcelona. Por asnjë klub nuk ka qenë i lumtur me të, ai sjell gjithmonë telashe”, ishin fjalët e presidentit të klubit bavarez për sulmuesin e PSZH-së. Tani pritet kundërpërgjigjja e radhës e Ibrahimoviç, i cili në fjalët e tij e kishte vlerësuar si të gabuar kalimin e Guardiolës te bavarezët. “Shkoi në një skuadër që funksionon në mënyrë perfekte edhe pa të. U bleu atyre lojtarë që nuk u nevojiteshin”, ishin fjalët e suedezit.
Merkato
Lajmi që vjen nga Spanja nuk hidhet poshtë nga italianët
Milan-Kasijas, nuk ka përgënjeshtrim nga Galiani
Iker Kasijas mund të bëhet portieri i ardhshëm i Milanit. Lajmi i përhapur nga gazeta katalanase “Sport”, ka bërë shumë shpejt xhiron e botës dhe sado që të duket i pamundur, nuk është përgënjeshtruar nga përfaqësuesit e skuadrës italiane. Kasijas ka kuptuar se tashmë ka humbur përfundimisht betejën me Diego Lopez dhe sado që të mundohet, do të mbetet gjithmonë zëvendësues dhe “portier i Kupave”, siç ka vendosur Ançeloti. Për këtë arsye, ai po sheh rreth e rrotull për një sistemim të ri dhe Milani është një hipotezë mjaft e kënaqshme për të, mundësisht që në janar. Spanjolli nuk dëshiron të rrezikojë shanset që ka për të luajtur me kombëtaren spanjolle në Botëror, ku do të synojë të mbrojë titullin e fituar në vitin 2010, ndaj dëshiron që në pjesën e dytë të sezonit të shkojë në një ekip ku i garantohet një vend si titullar. I pyetur rreth kësaj mundësie, administratori i Milanit, Adriano Galiani, ka preferuar që të evitojë një përgjigje direkte. “Nuk dua të flas për merkaton derisa të hapet zyrtarisht dritarja, më saktësisht deri më 3 janar”, tha ai.
Deklaratat
Murat Jakin, trajner i Bazelit
“Ndoshta ishte surprizë që ne luajtëm me katër sulmues ndaj Çelsit. Nuk di nëse do të jetë e mundur të bëjmë të njëjtën gjë në sfidën e radhës, pasi shumë sulmues kanë dëmtime dhe nuk ka siguri që të luajmë me të njëjtën skemë. Të gjithë lojtarët duhet të japin maksimumin, javë pas jave dhe kjo ndikon në formën fizike.”
Hoze Murinjo, trajneri i Çelsit
“Më keni pyetur për shumë javë me radhë për Matan që nuk luante dhe tani që spanjolli ka më shumë hapësira, kaluat te De Bryn. Nuk ju intereson kush luan? Mund të vendos të luajnë 11 lojtarë dhe të ul 7 të tjerë në pankinë. Shoh që keni tendencën të flitni vetëm për ata që nuk luajnë. Ok, shihemi nesër atëherë.”
Jurgen Klop, trajneri i Borusia Dortmund
“Do të kemi shumë raste të rifitojmë pikët e humbura në Napoli dhe kështu do të interpretohet edhe sfida ndaj Marsejës. Është ndeshje në shtëpi, ndaj kemi më shumë trysni ne. Eksperienca nuk mund të blihet. Kemi eksperiencë të hidhur me Olimpikun nga dy vite më parë dhe kemi ndjesinë se ka pak hakmarrje në ajër.”
Rafael Benitez, trajneri i Napolit
“Nuk kam fituar kurrë këtu? Do të thotë se Arsenali ka një skuadër shumë të fortë. Por tani është ndryshe, bëhet fjalë për Ligën e Kampioneve dhe jam këtu me një skuadër tjetër. Me Borusian ishte ndeshje e vështirë, por luanim në fushën tonë. Ndërsa Arsenali është një skuadër që prodhon më shumë lojë dhe kundërsulmon rrezikshëm.”
Arsen Venger, trajneri i Arsenalit
“Nuk dua të jem matematikan, por thuhet se duhen mesatarisht 10.2 pikë që të kualifikohesh. Mbetet mister se si do të sigurojmë 0.2 pikët, por mendoj se kjo është ajo që na nevojitet. Ndaj ndeshjet në shtëpi janë të rëndësishme, pasi nëse i fitojmë, do të thotë se kalojmë. Duhet të mos flasim shumë, thjesht të fitojmë.”
Nill Lenon, trajneri i Sëlltik
“Mungesa e Lionel Mesit është lajm shumë i mirë për ne, por ata mbeten një skuadër fantastike dhe favoritë kryesorë për të fituar trofeun. Kanë probleme dëmtimesh në mbrojtje, por vazhdojnë të ruajnë rrjetën të paprekur, janë një klub mbi të tjerët. Vitin e kaluar nuk kishim llogaritur asgjë nga ndeshjet me Barcelonën.”
Frenk de Byr, trajneri i Ajaks
“Leo Mesi është një lojtar që vendos ndeshjen dhe Mario Baloteli është i njëjtë. Ai është një lojtar fantastik dhe përkrah tij ka të tjerë që mund të bëjnë diferencën. Por unë jam person pozitiv dhe jam i bindur se nëse përqendrohemi për 90 minuta, mund të marrim rezultat në këtë ndeshje.”
Masimiliano Alegri, trajneri i Milanit
“Është një ndeshje e rëndësishme, pasi në rast fitoreje do të jemi më të qetë për sfidën e dyfishtë ndaj Barcelonës. Baloteli? Ndalesa e ka bërë të kuptojë që për të luajtur futboll duhet të kesh një sjellje tjetër. Ka cilësi të jashtëzakonshme dhe duhet të vërë në zbatim të gjithë atë që di për skuadrën.”