Laçi


Vucaj humbi me dëshirë penalltinë


Vucaj-me-shiritin-e-kapitenit-te-Lacit1Situata e tensionuar në stadium ka bërë që drejtuesit e Laçit të urdhëronin kapitenin e kësaj skuadre, Erjon Vucaj, që të humbte penalltinë e akorduar në minutën e fundit nga gjyqtari Sokoli. “Parësore ishte shëndeti i lojtarëve tanë. Tifozët e mbushën fushën me gurë pa u gjuajtur penalltia, nuk e imagjinoj se çfarë mund të ndodhte nëse shënohej gol”, ka shpjeguar shefi i klubit laçian, Pashk Laska. Ndonëse takimi zyrtarisht ka përfunduar me rezultatin 0-0, ngjarja e rëndë që ndodhi si dhe rrethanat në të cilat u zhvillua ky takim, e bën thuajse të sigurt fitoren në tavolinë me rezultatin 3-0 të kësaj ndeshje për Laçin.


Skënderbeu


Korçarët fitojnë 4-2 ndaj Lushnjës


Ngjarja e rëndë në Ballsh ka bërë që të kalojë krejtësisht në plan të dytë fitorja e radhës e Skënderbeut, që i afrohet më shumë titullit kampion pas suksesit 4-2 ndaj Lushnjës. Ndonëse skuadra e Josës luante në transfertë, ajo nuk ka pasur asnjë vështirësi në fushën e lojës, ku tre gola të shënuar nga Lilaj, Pejiç dhe Ribaj, i kanë dhënë avantazh të ndjeshëm. Lushnja u përpoq të reagonte, duke shkurtuar diferencën fillimisht me Fonsekën e më pas me Sulën, por i zakonshmi Pejiç mbylli takimin me golin e tij në minutat e fundit. Ky ishte rezultati i 12 pozitiv radhazi për skuadrën korçare në kampionat


Formula 1


Luis Hemilton siguron “pole” në Melburn


Luis Hemilton me Mercedes ka siguruar pole-position të parë të sezonit të ri në Formula 1, duke dhënë kohën më të shpejtë në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Australisë. Në provat që u zhvilluan në kushte të vështira për shkak të reshjeve të shiut, britaniku kaloi Daniel Riçiardo me Red Bull pikërisht në xhiron e fundit. Vendi i tretë i shkoi Niko Rosberg me Mercedesin tjetër, ndërsa përkrah tij do të niset debutuesi Kevin Magnusen me MekLaren, që bindi në këtë garë të parë dhe mund të jetë ndër surprizat e sezonit. Vetëm vendi i 5-të për Fernando Alonson, ndërsa shoku i tij i skuadrës te Ferrari, Kimi Raikonen, do të niset nga pozicioni i 11, pasi doli jashtë piste në fundin e kualifikueseve të dyta. Incidenti i finlandezit pengoi edhe Sebastian Fetel, me kampionin e botës në fuqi që niset nga vendi i 12 në Çmimin e Madh të Australisë.


Bundesliga


Bajern Mynih, +23 nga Borusia Dortmund


Bajern Mynih ka hedhur hapin e radhës drejt fitores së shpejtë të titullit kampion në Gjermani, duke mundur me rezultatin 2-1 skuadrën e Bajer Leverkusen. Bavarezët janë udhëhequr nga Bastian Shvajnshtajger, i cili fillimisht ka dhënë pasimin për golin e avantazhit të Manxhukiç në fundin e pjesës së parë, ndërsa në të dytën ka shënuar vetë me një goditje dënimi perfekte. Goli i ngushëllimit për “aspirinat” u shënua nga Kisling në minutat shtesë të takimit, por shërbeu vetëm për statistikë, pasi Leverkusen nuk u shfaq asnjëherë në gjendje për të rrezikuar këtë fitore të bavarezëve. Suksesi i Bajernit, i kombinuar edhe me humbjen 2-1 në shtëpi të Borusia Dortmund ndaj Borusia Mynshengladbah, e rriti diferencën mes vendit të parë dhe të dytë në 23 pikë. Ndaj Bajernit i mungojnë vetëm 5 pikë për të fituar matematikisht titullin kampion të radhës.


Renditja


Bavarezët kryesojnë me 71 pikë, të ndjekur nga Borusia Dortmund që ka vetëm 48 pikë