Largimi 


Zyrtarizohet shkarkimi i Mojes, bëhet gati Van Gal


Trajneri David MojesMançester Junajtid ka konfirmuar dje zyrtarisht se ka shkarkuar nga detyra trajnerin David Mojes, duke konfirmuar zërat që ishin përhapur gjatë ditës së hënë se skocezi nuk do ta mbyllte sezonin në stolin e kësaj skuadre. Klubi ka pritur orët e para të mëngjesit të së martës për të komunikuar këtë vendim, me shefin ekzekutiv Ed Uduard, i cili ka folur personalisht me ish-trajnerin. Ky i fundit kishte qëndruar në ambientet e klubit deri pas mesnate gjatë së hënës, i ndërgjegjshëm se do të ishin orët e fundit që kalonte aty. Ashtu siç pritej, skuadra i është besuar deri në fund të këtij sezoni mesfushorit Rajan Gigs, i cili ka mbajtur si bashkëpunëtor të tij një prej ndihmësve të Mojes, Fil Nevil, i cili ka qenë pjesë e “brezit të artë” të djajve të kuq para se të largohej drejt Evertonit. Tashmë pritet të zgjidhet edhe trajneri i ri, që me shumë mundësi do të jetë Luis Van Gal, pas refuzimeve publike që bënë si Jurgen Klop, ashtu edhe Pep Guardiola. Holandezi ka konfirmuar për mediat angleze se ka filluar bisedimet me “djajtë e kuq” që disa javë më parë, arsye pse nuk kishte firmosur me Totenhemin që i kishte ofruar një kontratë afatgjatë. Ndërkohë, Mojes do të përfitojë rreth 10 milionë paund dëmshpërblim për ndërprerjen para kohe të kontratës 6-vjeçare që kishte firmosur me Mançester Junajtid.


 


Futboll


UEFA, përsëri në Tiranë për trukimet


Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se një delegacion i UEFA-s do të vizitojë përsëri vendin tonë, për të diskutuar temën e trukimeve në futboll. “Një delegacion i UEFA-s do të mbërrijë të mërkurën në mbrëmje në Tiranë, ku do të kontaktojë me drejtues të FSHF-së dhe Prokurorisë Shqiptare. Ai përbëhet nga Ulf Kluser, oficer i Integritetit në UEFA dhe Emilio Garsia, shef i Komisionit të Disiplinës në këtë institucion. Në qendër të bisedimeve që ata do të zhvillojnë në Prokurorinë Shqiptare, do të jetë ecuria e hetimeve të Prokurorisë mbi ndeshjet e dyshuara si të trukuara në futbollin shqiptar. Ata do të priten të enjten, në Prokurorinë e Përgjithshme, nga drejtori i hetimit, Adnan Xholi”, shkruhet në lajmërimin e publikuar nga FSHF.


 


Peshëngritje


Ilir Meta pret Qerimajn e Godellin


Ekipi shqiptar i peshëngritjes që siguroi 6 medalje në Kampionatin Europian është pritur dje nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Ky i fundit, i cili në të kaluarën e ka praktikuar vetë këtë disiplinë sportive, ka folur me elozhe për Erkand Qerimajn e Daniel Godellin të cilët kanë ngritur lart flamurin dhe imazhin e Shqipërisë. “Të gjithë ndihemi të detyruar, sidomos ne politikanët, ndaj Erkandit dhe Danielit, të cilët me aq dinjitet e kthyen garën në një garë brenda flamurit kuqezi, duke bërë të mundur që të ngrenë me aq dinjitet flamurin kombëtar dhe t’u japin dinjitet të gjithë shqiptarëve kudo në të gjithë botën. Ndihemi të detyruar, sepse këta e kanë kryer me sukses detyrën e tyre, ndërsa ne na mbetet shumë për të bërë”, tha Meta.


 


Shenon Brigs prish konferencën e Kliçko


Kaosi ka përfshirë konferencën për shtyp të kampionit të peshave të rënda, Vladimir Kliçko. Ukrainasi 38-vjeçar po përgatitej të fliste për sfidën e së shtunës ndaj australianit Aleks Leapai kur në sallë ka hyrë me forcë ish-boksieri i peshave të rënda, Shenon Brigs, që është vërsulur drejt tribunës ku qëndronte kampioni. 42-vjeçari shqeu bluzën e tij duke ia hedhur Kliçkos në fytyrë. “Më siguro një ndeshje për titullin ti frikacak! Më kontakto, që të konkurrosh ndaj më të mirit në botë!”, ishte sfida e hapur e amerikanit që është ndaluar më pas nga truprojat e ukrainasit dhe është larguar nga salla. Brigs, në vitin 2010, u ndesh me vëllain e madh, Vitali Kliçko, në një sfidë që e humbi me pikë dhe nga e cila ai doli i masakruar, aq sa u fol edhe për një hemorragji cerebrale.


 


Çiklizëm


Pezullohet 10 vite ish-shefi i Armstrong


Ish-shefi i skuadrës së çiklizmit për të cilën garonte Lens Armstrong, Johan Brynel, është përjashtuar për 10 vite nga aktivitetet e këtij sporti si pasojë e përfshirjes në skandalin e dopingut. Agjencia Antidoping Amerikane (USADA) ka konfirmuar se doktori Pedro Celaia dhe trajneri Hose Marti ishin pezulluar me 8 vite secili për të njëjtën çështje, pasi bashkë me Brynel ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Armstrong gjatë periudhës kur ky i fundit garonte për ekipin “US Postal”. “Evidenca tregon qartësisht se z. Brynel ishte në pozicione drejtuese në konspiracionin për të zhvilluar praktika dopuese te skuadra ‘US Postal’ e më pas te ‘Discovery Channel’ për shumë çiklistë gjatë shumë viteve”, shkruhet në deklaratën e publikuar dje nga USADA.