Zvicër


Gashi e Hyka, mes më të mirëve të muajit


Gashi – Mesfushori i Grasshoper kryeson renditjen e golashënuesve në kampionatin zviceran me 17 gola të shënuar


Shkelzen GashiShkëlzen Gashi dhe Jahmir Hyka janë rivalë për të siguruar çmimin “Lojtari i muajit prill” në kampionatin zviceran. Ky çmim që jepet nga gazeta “Blick” ka vënë përballë dy mesfushorët e përfaqësueses shqiptare që po udhëheqin respektivisht Grasshoper dhe Lucernën drejt sukseseve të njëpasnjëshme në kampionat. Përballë tyre janë portieri Guijem Favre i Tun, mesfushori Serei Dje i Bazelit, si dhe sulmuesi Mario Gavranoviç i Zyrihut. Ndërkohë, në mediat zvicerane janë shfaqur përsëri komente mbi zgjedhjen e Gashit, duke e cilësuar një humbje për Zvicrën faktin që mesfushori ka zgjedhur të luajë për Shqipërinë.


 


Australi


Berisha premton: Do të fitoj përsëri tituj


Sulmuesi – Berisha ka shënuar 48 gola në tre kampionate dhe 2 në Ligën e Kampioneve të Azisë me fanellën e Brisbein Roar


Besart Berisha do të jetë pjesë e Melburn Viktori në sezonin e ardhshëm, por sulmuesi shqiptar ka bërë të qartë se largimi nga skuadra më e suksesshme në Australi, Brisbein Roar, nuk ul aspak ambiciet e tij. “Jam shumë i lumtur për mënyrën se si u largova. Por jam gjithashtu i lumtur që do të shkoj te Melburni, një zgjedhje që e kam bërë me ndërgjegje të plotë. Dua të shkoj te ky klub dhe të fitoj trofe të tjerë. E provova një gjë të tillë te Brisbein, dua të shkoj në një klub tjetër dhe të bëj të njëjtën gjë. A mund të shënoj 10 gola që në sezonin e parë? Sigurisht, jam gjithmonë i uritur, ndaj do të paraqitem si te Brisbein”.


 


Seria A


Presidenti i Juventusit tallet me rivalët e bardhezinjve


Anjeli: Ylli i tretë? Kur të tjerët të vendosin të dytin!


279556_heroaJuventusi nuk do të vendosë në fanellë yllin e tretë, jo vetëm në vitin e ardhshëm, por edhe për shumë sezone të tjera nëse vazhdon të dominojë në futbollin italian. Arsyet i ka shpjeguar presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli, i cili insiston se klubi ka 32 tituj kampionë dhe jo 30 siç shkruhet në “Librin e Artë” të Serisë A. “Për ne titujt janë 32, edhe pse llogaria e Federatës Italiane shkruan 30. Do të vendosim yllin e tretë në fanellë vetëm atëherë kur dikush tjetër të arrijë të vendosë të dytin, për të treguar përsëri diferencën mes nesh dhe të tjerëve. Është shumë e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar atë që është bërë, pasi kemi shkruar një faqe të pabesueshme të historisë së Juventusit. Gjithçka është meritë e trajnerit Konte dhe skuadrës”, tha ai. Presidenti i Juventusit nuk ka ngurruar t’u përgjigjet edhe atyre që flasin për dështimet ndërkombëtare të bardhezinjve. “Vitin e kaluar shkuam në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, ndërsa në këtë vit, në gjysmëfinalet e Europa League. Ne përmirësohemi çdo vit”.


 


 


La Liga 


Trajneri i Selta Vigos u takua me drejtuesit katalanas


Luis Enrike, i zgjedhuri i Barcelonës pas Martinos


Luis Enrike do të marrë drejtimin e Barcelonës në sezonin ardhshëm. Lajmi është përhapur me shpejtësi në mediat spanjolle, pas një takimi që tekniku aktual i Selta Vigos, ka zhvilluar me drejtorin sportiv të katalanasve, Andoni Zubizarreta. Takimi i djeshëm në shtëpinë e Luis Enrikes në Barcelonë, është filmuar nga televizionet spanjolle, të cilat kanë parë se si me radhë, në banesë kanë hyrë Zubizarreta dhe pjesëtarët e stafit administrativ të katalanasve. Ndaj për të gjithë cilësohet çështje e mbyllur kthimi i trajnerit në radhët e këtij klubi, ku ka drejtuar për tre sezone ekipin B. Ndonëse përvoja e tij në drejtimin e Romës nuk ishte e suksesshme, Luis Enrike ka arritur të tregojë më të mirën në drejtimin e Selta Vigos, duke e kthyer këtë ekip në majat e kampionatit spanjoll. Ironikisht, Luis Enrike mund të ndihmojë Barcelonën që të shpallet kampione që në këtë sezon, pasi të dielën, Selta Vigo luan në kampionat kundër Real Madridit. Nëse madrilenët nuk fitojnë në atë sfidë, atëherë Barcelona do të shpallet kampione nëse fiton dy ndeshjet e mbetura.


 


Botërori 2014


Van Gal publikon listën e “zborit”


Trajneri i Holandës, Luis Van Gal, ka publikuar një listë paraprake me 20 emra futbollistësh që aktivizohen në Holandë, të cilët do të bëhen pjesë e një kampi stërvitor si parapërgatitje për Botërorin 2014. Në këtë listë figurojnë vetëm lojtarë të Ajaks, Fejenord, PSV dhe Tuente, të cilëve më pas do t’u bashkohen edhe futbollistë të AZ Alkmar, Herenven, Vitese dhe Groningen, që aktualisht janë të përfshirë në playoff për pjesëmarrjen në Europa League. Trajneri 62-vjeçar ka sqaruar se askush nuk e ka vendin të garantuar në kombëtare dhe se në këtë kamp stërvitor, çdo futbollist do të kishte mundësinë të fitonte vendin e tij në listën përfundimtare.


Lista


Portierë: Jasper Cilesen (Ajaks), Kenet Vermer (Ajaks), Jeroen Zoet (PSV).


Mbrojtës: Dalei Blind (Ajaks), Daril Janmat (Fejenord), Terenc Kongolo (Fejenord), Bruno Martins Indi (Fejenord), Karim Rekik (PSV), Xhoel Veltman (Ajaks), Stefan de Vrij (Fejenord).


Mesfushorë: Zhan-Pol Boetius (Fejenord), Zhordi Klasi (Fejenord), Davi Klasen (Ajaks), Toni Vilhena (Fejenord), Georginio Vijnaldum (PSV).


Sulmues: Luk Kastainjos (Tuente), Memfis Depai (PSV), Jurgen Lokadia (PSV), Luçiano Narsing (PSV), Kuinci Promes (Tuente).


 


Bosnja zgjedh


vetëm dy sulmues


Edin Xheko dhe Vedad Ibisheviç do të jenë dy sulmuesit e vetëm të Bosnjë-Hercegovinës në Botërorin 2014. Kjo ishte dyshja titullare në secilën prej 10 ndeshjeve kualifikuese të luajtura nga ekipi i drejtuar nga Safet Sushiç, që merr pjesë për herë të parë në një aktivitet të tillë. Tekniku publikoi dje listën paraprake me 24 futbollistë, duke sqaruar se dy sulmuesit ishin më se të mjaftueshëm për ekipin e tij. “Objektivi ynë është të kalojmë grupin”, tha Sushiç para gazetarëve. “E realizojmë apo jo, është çështje tjetër. Por nuk besoj se Nigeria apo Irani kanë aktualisht një ekip më të mirë se i yni”, deklaroi trajneri i Bosnjë-Hercegovinës, që përveç këtyre dy ekipeve, në grup ka përballë edhe Argjentinën.


Lista


Portierë: Asmir Avdukiç (Borac Banja Luka), Asmir Begoviç (Stouk), Jasmin Fezjiç (Aalen).


Mbrojtës: Muhamed Beshiç (Ferencvarosh), Ermin Biçakçiç (E. Braunshvajg), Sead Kolashinaç (Shalke), Emir Spahiç (B. Leverkusen), Toni Sunjiç (Zoria), Ognjen Vranjes (Elazigspor), Ervin Zukanoviç (Gent).


Mesfushorë: Anel Haxhiç (Shturm Grac), Izet Hajroviç (Gallatasaraj), Senijad Ibriçiç (Erciespor), Senad Luliç (Lacio), Haris Medunjanin (Gaziantepspor), Zvjezdan Misimoviç (G. Renhe), Mensur Mujxha (Fraiburg), Miralem Pjaniç (Roma), Sejad Salihoviç (Hofenhaim), Tino Susiç (Hajduk Split), Edin Viska (Istanbul BB), Avdija Vrsajeviç (Hajduk Split).


Sulmues: Edin Xheko (Mançester Siti), Vedad Ibisheviç (Shtutgart).