Kategoria e Parë


Partizani mund Gramshin dhe ngjitet në vendin e dytë


Partizani ka fituar minimalisht ndaj Gramshit, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 10-të, me golin e Brahos në minutën e 3-të në “Qemal Stafa”. Goli i shpejtë bëri të dukej se do të ishte një fitore e lehtë e tyre, por u është dashur të vuajnë. Në minutat në vijim krijojnë raste, por mungon finalizimi. Pjesa e dytë është më e gjallë dhe meritë ka edhe Gramshi që bëhet më i rrezikshëm, ndërsa Partizani e ul tempin, duke administruar golin dhe forcat, pasi të enjten kanë ndeshjen e prapambetur me Mamurrasin. Në minutën e 73-të, gramshiotët mbeten me 10 vetë, pasi Bella merr kartonin e dytë të verdhë. Me një lojtar më pak Gramshi krijon dhe në minutën e 87-të pretendon për një penallti, por gjyqtari Tanush Latifi vijon lojën. Ky vendim sjell reaksion në stadium aq sa kryebashkiaku i Gramshit, Dritan Bici, nga tribuna VIP shpërthen në akuza dhe ofendime në drejtim të federatës, gjyqtarëve dhe forcave të rendit. Megjithatë me fitoren 1-0 Partizani rifiton vendin e dytë në klasifikim dhe i bën presion Lushnjës kryesuese.


 


Sulmuesit


Çani beson te falja e Polonias, Servette këmbëngul për Sadikun


Edhe pse klubi e ka përjashtuar, duke e detyruar që deri në muajin janar të stërvitet me ekipin e të rinjve, sulmuesi shqiptar Edgar Çani, është shfaqur dje në qendrën stërvitore të skuadrës së Polonias së Varshavës. 23-vjeçari i kombëtares shqiptare nuk preferoi të bënte shumë komente në lidhje me këtë. Por u mjaftua vetëm me një fjali, kur u pyet nga gazetarët se a ishte e mundur që ai në ditët e ardhshme do të mund të rikthehej në ekipin e parë. “Unë besoj se kjo do të ndodhë”, komentoi dje Edgar Çani. Shtatlarti kuqezi u pezullua nga klubi pas një polemike të ashpër me shokun e skuadrës Tomasz Brzyski, pas një penalltie të fituar nga vetë Çani. Ndërkohë që sulmuesi tjetër i përfaqësuese tonë, Armand Sadiku, është bërë objekt dëshirash i shumë skuadrave, të cilat kërkon ta marrin nga Lugano në merkaton e janarit. Ekipi i vendit të fundit në klasifikimin e ligës elitare zvicerane, FC Servette, ka bërë të ditur dje se e ka në listën e blerjeve sulmuesin shqiptar, për të cilin sipas shtypit zviceran interesohen dhe Lacio e Peskara.


 


Pragndeshja


Milani ndez motorët, kundër Malagës do të luhet për fitore


Fitorja sot ndaj Malagës duket se është një obsesion për Milanin e Alegrit, i cili ka dhënë maksimumin në stërvitje gjatë ditëve të fundit me qëllimin për ta përgatitur sa më mirë këtë sfidë Alegri u stërvit edhe të dielën. Robinjo dhe De Shiljo janë stërvitur rregullisht me skuadrën. Ndërsa Bonera dhe Pato kanë vijuar stërvitjen e diferencuar sipas programit. Së bashku me brazilianin dhe italianin ka punuar edhe Boatengu. Që të pestë këta futbollistë janë gati për ndeshjen e sotme kundër Malagës. Ndërkohë, Antonini, Mesbah, Didak Vila, Straser dhe Muntari vazhdojnë të qëndrojnë në infermieri. Trajneri Alegri nuk e mendon këtë sfidë si decizive: Ky grup do të zgjidhet vetëm në ndeshjen e fundit në grup, por ka ende shumë punë për të bërë”. Ndërsa trajneri i Malagës, Manuel Pelegrini, ka nënvizuar: “Ndeshja në transfertë ndaj Milanit ka shumë rëndësi. Shpresojmë që të kthehemi nga Milano me ndonjë pikë në xhep. Milani? Pavarësisht problemeve të fundit që ka pasur, nuk është e lehtë të luash kundër tij”.