Renditja FIFA


Kombëtarja mbetet në vendin e 70 në botë


KombetarjaKombëtarja shqiptare e futbollit nuk ka pësuar lëvizje në renditjen e FIFA-s, të publikuar dje, për të mbajtur vendin e 70, si në klasifikimin e muajit të mëparshëm. Kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi regjistruan disa rekorde, duke qëndruar për disa muaj radhazi mes 50 ekipeve më të mira në botë gjatë vitit të kaluar. Por më pas, paraqitjet e dobëta në pjesën e dytë të kualifikueseve të Botërorit 2014 kthyen Shqipërinë në këto pozita në klasifikimin e FIFA-s. Ky pozicion mund të pësojë ndryshime në muajin tjetër, pasi Shqipëria do të luajë tri miqësore ndaj Rumanisë, Hungarisë e San Marinos, ku dy të parat janë në pozita më të mira në këtë klasifikim dhe një sukses ndaj tyre mund t’u japë kuqezinjve pikë të rëndësishme. Renditja botërore e FIFA-s vazhdon të kryesohet nga Spanja, e ndjekur nga Gjermania dhe Portugalia.


 


Gjysmëfinalja


Hajvalia në finalen e “DigitAlb Kupa e Kosovës”


Finalja e këtij edicioni në “DigitAlb Kupa e Kosovës” do të vërë përballë dy ekipe që do të luftojnë për herë të parë për fitoren e trofeut, Feronikelin dhe Hajvalinë. Kjo e fundit siguroi dje biletën e saj për në finalen e turneut, duke kaluar ekipin pretendent të Llamkos Kosovës. Hajvalia u mund dje në ndeshjen e kthimit në Vushtrri me rezultatin 1-0, pas goditjes së Shalës në fundin e pjesës së parë të takimit. Megjithatë, suksesi 3-1 në fushën e vet në sfidën e parë, bëri që ekipi i drejtuar nga Synaj Keçi të sigurojë pjesëmarrjen në finalen e planifikuar me datë 7 qershor. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kompanisë “DigitAlb”, fituesi i trofeut përfiton 10 mijë euro, ndërsa finalisti 5 mijë euro. Ky do të jetë një motivim më shumë për ekipet e Feronikelit dhe Hajvalisë, të cilët do të kërkojnë trofeun e parë të Kupës.


Lista


Portierë: Manuel Nojer (Bajern Mynih), Roman Vaidenfeler (Borusia Dortmund), Ron-Robert Ziler (Hanover).


Mbrojtës: Erik Durm (Borusia Dortmund), Zherom Boateng (Bajern Mynih), Kevin Groskrojc (Borusia Dortmund), Benedikt Houedes (Shalke), Mats Humels (Borusia Dortmund), Marcell Jansen (Hamburg), Filip Lahm (Bajern Munih), Per Mertesaker (Arsenal), Shkodran Mustafi (Sampdoria), Marcel Shmelcer (Borusia Dortmund).


Mesfushorë: Lars Bender (Bajer Leverkusen), Julian Draksler (Shalke), Matias Ginter (Fraiburg), Leon Goretzka (Shalke), Mario Gëtce (Bajern Mynih), Andre Hahn (Augsburg), Sami Khedira (Real Madrid), Toni Kros (Bajern Mynih), Maks Majer (Shalke), Tomas Myler (Bajern Mynih), Mesut Ozil (Arsenal), Marko Rojs (Borusia Dortmund).


Sulmues: Lukas Podolski (Arsenal), Andre Shyrle (Çelsi), Miroslav Klose (Lacio), Kevin Voland (Hofenhaim).


 


Adnan Januzaj


“Dua të bëhem si Kristiano Ronaldo”


Adnan Januzaj ka konfirmuar se shembulli që ka zgjedhur për karrierën e tij është ai i portugezit Kristiano Ronaldo, i cili ka kaluar disa vite të karrierës së tij te Mançester Junajtid. Fituesi i “Topit të Artë 2013” ishte një adoleshent thatim në kohën kur u transferua te “djajtë e kuq”, por që nga ai moment është kthyer në një nga lojtarët më të fuqishëm fizikisht në botë. “Unë e shoh shumë atë që bën ai dhe mundohem të bëj të njëjtën gjë”, tha Januzaj për revistën zyrtare të Junajtid. “Ai është një lojtar shumë i mirë. E ndjek me vëmendje në ndeshjet që luan, duke u përpjekur që më pas të përsëris të njëjtat gjëra, pasi më kujtohet njëkohësisht e kaluara e tij te Mançester Junajtid. Do të më duhet të punoj shumë në palestër, siç bëri ai, pasi kur erdhi këtu, nuk ishte i fortë fizikisht. Por pas një viti, a diçka më shumë, ai u bë më i fortë dhe kishte mundësinë të shtynte kundërshtarët. Edhe unë po përforcohem falë punës në palestër”, ishte shpjegimi i shqiptarit të Mançester Junajtid.


 


Xherdan Shaqiri


“Do të jem gati për Botërorin”


Xherdan Shaqiri është i bindur se kur të fillojë Botërori, ai do të jetë në formën e duhur fizike për të dhënë kontributin e tij në radhët e Zvicrës. Një dëmtim në kofshë e ka lënë mesfushorin për më shumë se një muaj jashtë fushave të lojës, por 22-vjeçari shpreson që të zbresë përsëri në fushë me fanellën e Bajern Mynihut në finalen e Kupës së Gjermanisë ndaj Borusia Dortmundit. “Sigurisht, nuk mund të bëj premtime rreth Kupës së Botës”, tha Shaqiri për “Blick”. “Por kam kohën e mjaftueshme deri në ndeshjen e parë të Zvicrës për të qenë në 100% të formës fizike; do të jem plotësisht i gatshëm kur të fillojë Botërori. Ne kemi një kombëtare të mirë, shumë të rinj të uritur për suksese. Objektivi ynë është të kalojmë fazën në grup, por mund të bëjmë surpriza të tjera. Jam i sigurt se do të zhvillojmë një turne mjaft të mirë”, tha Shaqiri, i cili e ka vendin e sigurt në përzgjedhjen përfundimtare të Otmar Hitzfeld, përkrah shqiptarëve të tjerë, si Xhaka, Behrami, Xhemajli e Mehmedi.


 


 


Parashikimi


Statistikat shpallin Brazilin kampion!


Brazili do të jetë fituesi i Botërorit 2014. Ky është parashikimi që ka bërë kompania e njohur “Bloomberg”, e cila nëpërmjet simulatorit ka parashikuar ecurinë e aktivitetit që fillon në muajin e ardhshëm. Pasi i është vënë një koeficient çdo skuadre, një program kompjuterik i ndërtuar nga ekspertët e kësaj kompanie të njohur, ka simuluar 100 mijë herë secilën prej ndeshjeve në grupe dhe më pas atë të fazave pasardhëse të turneut, duke përllogaritur kësisoj probabilitetin më të madh statistikor për përfundimin e ndeshjeve. Sipas simulatorit, finalja e turneut do të diskutohet mes Brazilit dhe Spanjës, me vendasit që do të triumfojnë me rezultatin 1-0. Ndërkohë, parashikohet që në fazat me eliminim direkt, 6 sfida do të përfundojnë me gjuajtje nga pika e bardhë e penalltive, me Spanjën që do të triumfojë në mënyrë të tillë si ndaj Italisë ashtu edhe ndaj Argjentinës. Programi ka nxjerrë në 22.1% të rasteve Brazilin kampion, me Gjermaninë që e ndjek me 12% mundësi të fitores përfundimtare dhe Argjentinën me 11.4%. Kampionët e botës në fuqi të Spanjës renditen të katërtit me 9.2% mundësi të përsëritin suksesin e 4 viteve më parë.


Parashikimi i “Bloomberg”