Europa League


Edhe Flamurtari në vazon e parë


Skuadrat e Kukësit dhe Flamurtarit do të jenë në vazon e skuadrave pretendente gjatë hedhjes së shortit për turin e parë paraeliminator të Europa League. Ndonëse nuk kanë përfunduar ende disa aktivitete në Europë, dy klubet shqiptare kanë sigurinë matematike të qëndrimit mes ekipeve më të mira në shortin e 23 qershorit


 


Barcelona


Mesi firmos rinovimin, por i hap rrugë largimit


Lionel Mesi ka firmosur dje kontratën e tij të re me skuadrën e Barcelonës, sipas njoftimit të bërë nga vetë klubi katalanas. “Firma e kontratës së rishikuar u hodh në praninë e presidentit Bartomeu, babait të tij, Horge Mesi, si dhe drejtues të tjerë të klubit”, shkruhej në njoftimin e publikuar nga Barcelona, të shoqëruar me fotot përkatëse. Gjithsesi, në Spanjë nuk kanë reshtur zërat se Mesi po merr në konsideratë idenë e largimit nga katalanasit, pas deklaratës së lëshuar nga vetë argjentinasi në mëngjesin e djeshëm. “Jam shumë i lumtur të vazhdoj karrierën në atë që është shtëpia ime. Dua të vazhdoj të ndiej të njëjtën ngrohtësi nga njerëzit e Barcelonës. Por nëse nuk do të jetë më kështu, do të kërkoj një zgjidhje tjetër”, ishin fjalët e Mesit.


 


Mançester Junajtid 


Zyrtarizohet Luis Van Gal “Do të shkruajmë historinë”


Luis Van Gal është emëruar dje zyrtarisht si trajneri i ri i skuadrës së Mançester Junajtid, për të cilën ka firmosur një kontratë trevjeçare. Holandezi do të fillojë punën e tij në drejtimin e “djajve të kuq” menjëherë pas përfundimit të Kampionatit Botëror, ndërsa ka zgjedhur si asistent të tijin ish-mesfushorin Rajan Gigs, i cili po gjatë ditës së djeshme bëri publik vendimin për t’u tërhequr nga futbolli i luajtur. “Ka qenë gjithmonë një dëshirë e imja të drejtoj në Premier League. Më bën shumë krenar fakti se do të drejtoj Mançester Junajtid, klubin më të madh në botë. Ky klub ka ambicie të mëdha, por ashtu janë edhe të miat. Jam i sigurt se së bashku do të shkruajmë historinë”, ishin fjalët e Van Gal pas zyrtarizmit të Mançester Junajtid.