Turqia 


Fatih Terim lobon për Kosovën “Të pranohet nga FIFA e UEFA”


Kombëtarja turke e futbollit ka mbërritur dje në Kosovë, për të zhvilluar miqësoren me përfaqësuesen e këtij vendi. Në një atmosferë mjaft miqësore, përfaqësuesja turke është sistemuar në Prishtinë, ku pranë hotelit ka pasur një numër të konsiderueshëm tifozësh turq që kanë bërë foto dhe kanë marrë autografe nga idhujt e tyre. Para gazetarëve, trajneri i kombëtares turke, Fatih Terim, bëri të qartë se për të, Kosova duhet të ishte pjesë e kombëtareve që luajnë rregullisht në eliminatore, duke premtuar mbështetje të pakufizuar për këtë përfaqësuese. “Turqia do ta ndihmojë fuqishëm Kosovën në çdo aspekt. Madje, do të kërkojë pranimin e saj në FIFA dhe UEFA. Kjo ndeshje është mesazhi i parë për këto shtëpi të futbollit. Shumë prej futbollistëve turq janë me prejardhje shqiptare. Jam i lumtur që ndeshjen e 100-të do ta luaj me një vend mik si Kosova. Rezultati do të jetë në rend të dytë, do të jetë një takim vëllazëror”, ishin fjalët e Terim.


 


FIDAN ALITI


Mbrojtësi 20-vjeçar ka mbetur i çuditur për ftesën që i ka ardhur nga Shqipëria. “Më kontaktuan tri javë më parë zyrtarë të FSHF-së, të cilët më shprehën dëshirën që të vija në ndeshjet miqësore me Kombëtaren. Unë natyrisht që pranova, por ngela paksa i habitur që kjo ftesë me erdhi kaq shpejt”, ishin fjalët e tij për asport.info.


 


Kombëtarja


De Biazi ndërton program të ngjeshur për ditët kuqezi


Ndonëse e ka cilësuar një fundsezoni të lodhshëm për lojtarët e kombëtares shqiptare, trajneri De Biazi ka ndërtuar një program mjaft të ngjeshur për kuqezinjtë gjatë 12 ditëve të grumbullimit. Skuadra mblidhet me 28 maj në Iverdon të Zvicrës, ndërsa të nesërmen, ekipi do të ketë dy seanca stërvitore. Një ditë para ndeshjes, me datë 30, Shqipëria do të zhvillojë një tjetër seancë, ashtu si edhe në mëngjesin e ditës kur do të luajë ndaj Rumanisë. Dita e parë e “pushimit” do të jetë ajo e udhëtimit drejt Budapestit me 1 qershor, ndërsa me datë 2, ekipi do t’u kthehet përsëri dy seancave stërvitore. Kuqezinjtë i presin nga një seancë në datat 3 dhe 4, ndërsa në këtë të fundit luhet edhe sfida kundër Hungarisë. Udhëtimi me 5 qershor drejt Riminit do të jetë dita tjetër e “pushimit”, ndërsa me datë 6 kthehet regjimi i dy seancave. Data 7 dhe mëngjesi i datës 8 shënojnë dy seancat e fundit para miqësores me San Marinon që mbyll edicionin e kombëtares.


 


Argjentina


Mesi: Sezoni i dobët për mua, por me kombëtaren është ndryshe


Lionel-Messi-ChileLionel Mesi ka mbërritur dje në Argjentinë, ku do t’i bashkohet përfaqësueses për përgatitjen e pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror 2014. Futbollisti i Barcelonës ka pranuar para mediave se ky sezon ka qenë ndër më të dobëtit e tij, por gjithashtu ka konfirmuar se i tillë ishte edhe për katalanasit e tjerë. “Nuk ishte viti im më i mirë. Do të më kishte pëlqyer shumë të mbaronte në një mënyrë tjetër, por ishte një rënie e të gjithë grupit, jo vetëm në nivel individual. E gjithë skuadra pësoi një rënie të ndjeshme. Pas një viti shumë të komplikuar kishim mundësinë për të fituar kampionatin dhe nuk ia dolëm mbanë. Ndodhën shumë gjëra njëra pas tjetrës, edhe në aspektin personal, me dëmtimet apo gjëra të tjera jashtë futbollit të luajtur, por në fund u mbyll kështu e duhet të mendoj për atë që vjen më pas”, tha Mesi para gazetarëve. Gjithsesi, ai ka premtuar se me kombëtaren, të gjithë duhet të bëhen gati për të parë diçka krejtësisht ndryshe nga ajo që kanë parë javët e fundit te Barcelona. “Shpeshherë më ndodhte e kundërta, që nuk arrija të shprehesha mirë në kombëtare dhe kur shkoja te Barcelona, luaja mirë. Shpresojmë që këtë herë të ndodhë e kundërta. Kur të jem përkrah shokëve dhe miqve të mi, gjërat do të ndryshojnë në mendjen time dhe do të jetë një histori krejtësisht ndryshe. Jam i lumtur që kam ardhur këtu dhe që tani do të filloj të mendoj për Botërorin që është shumë i rëndësishëm për ne”, deklaroi Mesi.


 


Monako konfirmon largimin e Ranierit


Skuadra e Monakos ka bërë të ditur se ka ndërprerë marrëdhëniet kontraktuale me trajnerin Klaudio Ranieri. Trajneri italian mori drejtimin e klubit në verën e vitit 2012, duke e ndihmuar të kthehet në elitën e futbollit francez në fund të atij sezoni. Klubi i principatës bëri shpenzime shumë të mëdha pas kthimit në Ligue 1, duke afruar emra si Falkao, Rodriguez dhe Mutinjo, por nuk arriti të thyente dominimin e PSG, gjë që i kushtoi postin Ranierit.


 


Zherard Pike rinovon kontratën me Barçën


Zherard Pike ka zgjatur kontratën e tij ekzistuese me Barcelonën deri në vitin 2019, duke mbyllur çdo zë të hapur për largimin e tij të mundshëm. Kjo ishte lëvizja e radhës e klubit katalanas, që po mundohet të planifikojë sa më shpejt sezonin e ardhshëm, ku Luis Enrike do të ulet në stolin e skuadrës. Mbrojtësi 27-vjeçar është një nga lojtarët më të rëndësishëm të këtij klubi, për të cilin ka luajtur 266 ndeshje që nga viti 2008, kur u ble nga Mançester Junajtid.



Van Gal: Murinjo është xheloz për mua 


Trajneri i Mançester Junajtid, Luis Van Gal, ka zbuluar se rivali i tij i ardhshëm në Angli, Zhoze Murinjo, e ka përgëzuar atë për emërimin, por njëkohësisht i ka treguar se është xheloz për karrierën e holandezit, që ka drejtuar Ajaksin, Barcelonën, Bajern Mynih dhe Mançester Junajtid. “Murinjo më përgëzoi. Ishte i pari të cilit i dërgova mesazh dhe i pari që më ktheu përgjigje. Ai më tha se ishte xheloz për listën e klubeve që kam drejtuar”.