La Liga
20 lojtarë do të tregojnë ngjarjet e ndeshjes së majit 2011, ku Saragoza fitoi 2-1
Dyshime për manipulime, ekipet e Levantes dhe Saragozës në hetuesi
Dy ekipe futbolli do të paraqiten para hetuesve spanjollë për të dhënë versionin e tyre mbi ndeshjen e shumëpërfolur mes Levantes dhe Real Saragozës në vitin 2011. Hetuesia spanjolle ka ftuar 20 futbollistë nga të dyja skuadrat për të dhënë dëshminë e tyre rreth sfidës së 21 majit të vitit 2011, kur Saragoza fitoi 2-1 në transfertë përballë Levantes dhe siguroi mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll. Rezultati asokohe bëri shumë bujë, pasi kompanitë e basteve në të gjithë Europën sinjalizuan për lëvizje shumash të mëdha për këtë sfidë. Trajneri i Levantes, Pedro Rostoll, la pushim disa titullarë në atë ndeshje, edhe për faktin se ekipi i tij kishte siguruar mbijetesën në atë sezon dhe nuk shqetësohej për rezultatin.
Ndër 20 lojtarët që do të paraqiten para hetuesisë për të dhënë versionin e tyre të ngjarjeve, është mësuar se disa akuzohen drejtpërdrejt për manipulim rezultatesh. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se mbi kë rëndojnë akuzat dhe kush është ftuar thjesht për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve si i pranishëm në këtë sfidë.
Menjëherë pas shpërndarjes së lajmit për hapjen e hetimeve, Real Saragoza dhe Levante publikuan deklarata, ku refuzonin akuzat që u bëheshin për manipulimet e rezultateve. Klubet janë shfaqur të gatshëm të bashkëpunonin me drejtësinë, duke vënë në dispozicion të hetuesisë çdo material që u kërkohej. Por mediat spanjolle bëjnë të ditur se rrjedha e ngjarjeve do të varet nga deklaratat e futbollistëve të thirrur për të dhënë dëshmitë e tyre. Kjo është arsyeja kryesore pse hetuesia për momentin nuk ka thirrur për të marrë në pyetje asnjë prej drejtuesve të dy klubeve, për të evituar që ata të lajmëronin lojtarët me të cilët mund të kenë ndërtuar akordin për manipulimin e rezultatit të kësaj sfide.
Gjermania
Lëv do të kursejë yjet në miqësore
Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, ka vendosur që në ndeshjet miqësore të përfaqësueses së tij, të lërë pushim disa nga yjet e skuadrës. Përfaqësuesja gjermane do të luajë një miqësore në nëntor me Spanjën, por pavarësisht cilësisë së kundërshtarit, Lëv ka marrë vendimin për të lënë jashtë futbollistët që kanë luajtur më shumë ndeshje me klubet e tyre. Këtu bëhet fjalë kryesisht për ata të Bajern Mynih dhe Borusia Dortmund, të cilët luajnë çdo tre ditë, për shkak të pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. “Ajo do të jetë vetëm një ndeshje testuese, ndaj do të jetë normale që disa lojtarëve t’u jepet pushim”, deklaroi Lëv. Duket se trajneri i Gjermanisë ka dëgjuar apelin që i kanë bërë me radhë trajneri i Borusia Dortmund, Jurgen Klop, dhe ai i Bajern Mynih, Pep Guardiola. “Me këto ritme, pas 10 vitesh, do të jetë e vështirë që dikush të arrijë të mbyllë karrierën në moshën 35-vjeçare. Ish-lojtarët që tashmë kanë poste zyrtare, e harrojnë shumë shpejt stresin e karrierës së tyre”, ishte apeli i Klop. Ndërsa më i ashpër ishte komenti i Guardiolës. “Kështu po vrasim futbollistët”, tha tekniku spanjoll.
Italia
Konte nuk njeh kufi: Dua Euro 2016!
Antonio Konte shpreson që të përsëritë me Italinë sukseset që ka arritur në Serinë A me Juventusin, duke i dhënë trofe kësaj kombëtareje. Tekniku i emëruar në drejtimin e përfaqësueses vetëm dy muaj më parë, pas largimit të Çezare Prandelit, ka bërë të qartë se Italia nuk u ka vënë kufi ambicieve të saj, të cilat përfshijnë edhe një fitore të mundshme të Euro 2016. “Aktualisht, gjëja më e rëndësishme është të kualifikohemi për fazën finale të Europianit, ndërsa pastaj duhet të mendojmë për rezultatin maksimal pa i vendosur asnjëherë një kufi vetes. E rëndësishme është që t’i kthejmë entuziazmin të gjithë popullit italian të zhgënjyer nga Botërori. Në të ardhmen do të më pëlqente që të shtoja ndonjë trofe”, ishte deklarata ambicioze e trajnerit të Italisë. Sipas tij, për të bërë të mundur arritjen e sukseseve me kombëtaren, duhej që edhe ajo të funksiononte si një klub, me hapat e parë që ishin hedhur që me ndeshjet kundër Holandës e Norvegjisë. “Në 9 ditë jemi munduar t’i afrohemi më shumë futbollit të një klubi, ajo që na nevojitet aktualisht për të shkurtuar diferencën me Gjermaninë dhe Spanjën”, shpjegoi ai.
Shkurt
Napoli
E ardhmja e Rafael Benitez në drejtimin e Napolit është gjithnjë e më shumë në diskutim. Zërat për një shkarkim të mundshëm të tij, në rast të një disfate tjetër, janë konfirmuar edhe nga fakti se presidenti Aurelio de Laurentis ka nisur kontaktet me Françesko Guidolin. Ai e sheh këtë të fundit si strategun ideal për ekipin e tij, që ka bërë një merkato të fortë, por nuk po arrin t’i justifikojë këto shpenzime. Guidolin pritet të prishë më parë kontratën e tij me Udinezen, ku është pjesë e stafit teknik në rolin e mbikëqyrësit të trajnerit Stramaçioni.
Mançester Junajtid
Trajneri Luis Van Gal ka pranuar se menaxhimi i skuadrës së Mançester Junajtid ishte një nga detyrat më të vështira të karrierës së tij në stolin e një ekipi. “Po, ndoshta kjo është më e vështira nga të gjitha. Megjithatë, duhet të presim e të shohim pas një viti si është bilanci. Kur je trajner, e kupton që më parë se kur është një sfidë e madhe. Klubi aktualisht është në tranzicion, por do t’i kalojmë vështirësitë”, tha ai.
Real Madrid
Iker Kasijas ka përgëzuar rivalin e tij në portën e Real Madridit, Keilor Navas, për debutimin me fanellën e klubit madrilen në kampionatin spanjoll. “Dua të përgëzoj shokun tim të ekipit, Keilor, për debutimin e tij në “Santiago Bernabeu”. Sa më shumë fat”, ishte mesazhi i postuar nga Kasijas në faqen e tij të internetit, ku i ka kushtuar një mesazh edhe Kristiano Ronaldos. “Edhe pse na ka mësuar me këto shifra golash sezon pas sezoni, nuk është aspak e lehtë të shënosh katër herë në një ndeshje”.
Brazili
Trajneri i kombëtares braziliane, Karlos Dunga, duke dhënë një intervistë për “Fox Sports”, i ka bërë elozhe sulmuesit Neimar, duke e krahasuar me një prej emrave më të njohur të “seleçaos” në vitet kur ai ishte futbollist. “Neimar është një lider teknik, është një pikë referimi për futbollin brazilian dhe atë botëror. Për të bërë sa më mirë, ai duhet simuluar dhe shpesh edhe provokuar, por personalisht, mua më kujton shumë Romarion”, deklaroi Dunga, i cili i ka besuar sulmuesit edhe shiritin e kapitenit.