Irlandezja është femra e parë në finale
Roshi: Krenare që jam finaliste për çmimin “Pushkash”
Stefani Roshi ka folur me krenari për faktin se është përzgjedhur përkrah dy prej lojtarëve më të mirë të Botërorit 2014 për çmimin “Pushkash” nga FIFA, falë golit të shkëlqyer që shënoi në një ndeshje të kampionatit irlandez në tetorin e vitit 2013. Emri i irlandezes u vu përkrah Hames Rodriguez dhe Robin Van Persi si finaliste e këtij çmimi të veçantë, i cili do të jepet me 12 janar gjatë mbrëmjes gala të “Topit të Artë”. “Është gjithmonë diçka e mirë kur sheh një grua që emërohet për këtë çmim dhe sigurisht që është një risi që një futbolliste të shkojë në finale”, tha 25-vjeçarja. “Sigurisht që jam krenare si grua, por edhe si futbolliste që bëhem e njohur në nivele të tilla dhe që FIFA e sheh këtë si një gol shumë të bukur”, tha Roshi. Vetëm 95 spektatorë e panë golin drejtpërdrejt në stadium, por me miliona e kanë parë atë në internet. Kjo bëri që karriera e saj të ndryshonte dhe irlandezja shkoi të luante në një kampionat më prestigjioz si ai francez, ku vesh fanellën e ASPTT Albi. “U shtua interesimi për mua falë këtij goli dhe mendoj se ai më ndihmoi”, deklaroi Roshi.
“Më mirë Roben se Mesi te finalistët”
Myler: “Topi i Artë” përsëri i Ronaldos? Sa e mërzitshme!
Tomas Myler mendon se Kristiano Ronaldo nuk duhet të fitojë “Topin e Artë” në këtë edicion, jo për çështje cilësie të futbollistit, por sepse përsëritja e triumfit të vitit të kaluar për portugezin do të ishte e mërzitshme. “Kristiano Ronaldo përsëri fituesi “Topit të Artë” do të ishte diçka thuajse e mërzitshme, e dinë të gjithë që ai është një fenomen, por e ka fituar edhe një herë vitin e kaluar… Këtë vit, duke parë edhe Botërorin, do të ishte e drejtë që trofeu t’i shkonte Nojer”, tha futbollisti gjerman, shok skuadre me portierin edhe te Bajern Mynih. Lojtari i cili në dy edicionet e fundit të Botërorëve ka shënuar 10 gola mendon se edhe përfshirja e Lionel Mesit mes tre finalistëve nuk është aq e drejtë, ndoshta duke menduar se edhe ai meritonte shansin e tij. “Në vendin e tij mund të ishte dikush tjetër. Për shembull mendoj për Roben i cili ka zhvilluar një sezon të shkëlqyer apo lojtarë të tjerë të kombëtares gjermane që e kanë merituar të ishin në finalen e trofeut”, deklaroi futbollisti gjerman i cili shihej si një kandidat i mundshëm për të qenë mes finalistëve.
Braziliani kujton kërkesën ndaj Rajkard
Ronaldinjo: Mesin e kaluan lojtarët tek ekipi i parë
Lionel Mesi kaloi në radhët e skuadrës së parë të Barcelonës vetëm pasi titullarët e skuadrës që asokohe drejtohej nga Frank Rajkard, ia kërkuan një gjë të tillë trajnerit holandez. Një fakt të tillë e ka zbuluar ish-ylli brazilian i katalanasve, Ronaldinjo, i cili ka pranuar se që atëherë shihej “magjia” e talentit argjentinas. “Asokohe ishim ne lojtarët që i kërkuam Rajkard që të merrte Mesin në stërvitjet e ekipit të parë. Kristiano Ronaldo është një lojtar shumë i kompletuar, por Mesi është më i mirë pasi ka magji”, tha futbollisti i cili aktualisht luan në radhët e skuadrës së Kueretaro të Meksikës. Ronaldinjo ka zbuluar gjithashtu se ai u bë pjesë e katalanasve vetëm falë Sandro Rosell, i cili në ato vite ishte ndihmësi i presidentit të sapozgjedhur, Huan Laporta. “Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Një miku im, Sandro Rosell, u bë pjesë e bordit drejtues të Barcelonës. Para se të më vinin ofertat, ai më pyeti nëse dëshiroja të luaja te Barcelona nëse fitonin zgjedhjet dhe unë i isha përgjigjur pozitivisht. Gati përfundova te Mançester Junajtid”.
Gjermani falënderoi mekanikët për titujt
Fetel, lamtumirë emocionale nga skuadra e Red Bull
Sebastian Fetel nuk ka dashur të largohej nga Red Bull në mënyrë armiqësore. Pasi ka mbyllur provat e para me Ferrarin, dje ai është kthyer në qendrën e ish-skuadrës në Milton Keins, për të falënderuar personalisht stafin që e ndihmoi të shpallej katër herë Kampion Bote. “Ajo që kemi arritur, puna që kemi kryer, sa shumë pasion dhe përkushtim… gjithçka do të mbetet përgjithmonë në zemrën time. Një falënderim i madh, shumë i madh për të gjithë. Në fund kishim makinën më të mirë pasi ishim skuadra më e mirë. Ky ishte një udhëtim i shkëlqyer dhe u jam shumë mirënjohës për atë që të gjithë ju keni bërë për mua”, tha Fetel, dukshëm i emocionuar para mekanikëve të cilët për shumë vite me radhë kishin punuar thuajse çdo ditë përkrah tij për të përmirësuar makinën Red Bull. Shefi i skuadrës, Kristian Horner, dhe shefi i projektuesve, Adrian Njuei, falënderuan publikisht gjermanin për përkushtimin e tij gjatë 6 viteve, ndërsa të gjithë të pranishmit e duartrokitën gjatë atë, para se të fillonte një seancë e gjatë fotosh dhe autografesh e tij thuajse me të gjithë të pranishmit.
Reagimi
FSHF: Edhe ky, vendim politik
Pas publikimit të vendimit të Komisionit të Apelit të UEFA-s, FSHF nuk ka ngurruar ta cilësojë edhe këtë si një vendim politik që mbështeste atë të shkallës së parë. “Pavarësisht nga qëndrimi i njëjtë politik i Komisionit të Apelit, FSHF është e indinjuar për mosmarrjen parasysh të fakteve të vërtetuara të dhunimit të lojtarëve shqiptarë, të pushtimit të fushës nga tifozë dhe persona të inkriminuar, të thirrjeve raciste “vritini shqiptarët”, të hedhjes në fushë të sendeve të forta dhe fishekzjarrëve dhe të shumë elementëve të pasigurisë. Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, kanë dalë shumë fakte të reja dhe deklarata kontradiktore të zyrtarëve të ndeshjes, që deklaruan për këtë takim, të cilat akoma më shumë na bindin se në shkallët e mëtejshme, Shqipëria do të gjejë drejtësinë”, shkruhej në reagimin e FSHF ku u konfirmua kalimi i çështjes në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës.