Trukimet


Etika shtyn vendimet: Ka shumë materiale


Mbledhja – Dje, para Komisionit u paraqitën zyrtarët e ndeshjes Flamurtari-Teuta dhe drejtuesit e klubit vlonjat


komisioni i etikesKomisioni i Etikës i FSHF nuk ka dhënë ende asnjë vendim rreth dyshimeve për trukimin e ndeshjeve në Kategorinë Superiore. Komisioni ka filluar që javën e kaluar punën për shqyrtimin e ndeshjeve të javës së 19-të të Kategorisë Superiore: Flamurtari–Teuta, Vllaznia–Kukësi dhe Laçi-Partizani, të përfolura si të manipuluara. Por gjatë mbledhjes së djeshme janë shqyrtuar vetëm materialet që disponoheshin për njërën prej këtyre sfidave, Flamurtari-Teuta, ndërsa janë marrë në pyetje gjyqtari i ndeshjes, Kridens Meta, zyrtarët e këtij takimi, si dhe drejtuesit e Flamurtarit, presidenti Sinan Idrizi dhe drejtori teknik, Ardi Behari. Ata dhanë versionin e tyre të ngjarjeve mbi atë që ka ndodhur në minutat e fundit të ndeshjes dhe me deklaratat pasuese ku sidomos dy drejtuesit e mësipërm të Flamurtarit dënuan publikisht veprimet e futbollistëve të Teutës. Komisioni vendosi që të mblidhet përsëri të mërkurën, për të marrë në pyetje përfaqësuesit e Teutës, si dhe për të vazhduar shqyrtimin e materialeve të dy ndeshjeve të tjera.


 


Kupa e Shqipërisë


Situata në vend rrezikon zhvillimin


Përmbytjet – Dyshimet më të mëdha lindin për sfidën mes Flamurtarit dhe Skënderbeut që zhvillohet në Vlorë


Federata Shqiptare e Futbollit po monitoron me kujdes situatën meteorologjike në vend dhe vetëm gjatë ditës së sotme do të konfirmojë zyrtarisht zhvillimin apo jo të ndeshjeve të para çerekfinale të Kupës së Shqipërisë që janë planifikuar të luhen të mërkurën. Dyshimet më të mëdha i përkasin sfidës që do të luhet në Vlorë, mes Flamurtarit dhe Skënderbeut. Vështirësia në qarkullimin e mjeteve për shkak të përmbytjeve në Qarkun e Vlorës, apo edhe terreni jo i përshtatshëm në stadiumin “Flamurtari” si rrjedhojë e reshjeve të shumta të shiut, kanë bërë që situata të monitorohet me kujdes nga zyrtarët e FSHF para se të jepet drita e gjelbër për zhvillimin e ndeshjes. Ndërkohë, Tirana-Apolonia që luhet në Krujë, Vllaznia-Kukësi që luhet në Shkodër dhe Partizani-Laçi që luhet në Fushë-Krujë, për momentin nuk paraqesin problematika të ngjashme. FSHF shpreson që të gjitha ndeshjet të zhvillohen sipas kalendarit të paracaktuar, por në rast emergjence është e gatshme t’i zhvendosë takimet në një javë tjetër.


 


 


Prezantimi


Sulmuesi shqiptar ka treguar emocionet e transferimit te skuadra e njohur angleze


Çani: Kam një muaj që pres të vij te Lids


Edgar CamiEdgar Çani, që nga dita e djeshme është një futbollist i Lids Junajtid në kampionatin anglez. I kaluar me formulën e huazimit nga Katania deri në fund të sezonit, me opsion blerjen për 500 mijë euro, lojtari dje ka hedhur firmën në kontratën me klubin e ri dhe ka zhvilluar stërvitjen e parë me fanellën e ekipit të njohur anglez që aktualisht gjendet në Championship (kategoria e dytë angleze).


“Dëgjova rreth një muaj më parë se Lids interesohej për mua”, tregoi 25-vjeçari. “Isha shumë i lumtur atëherë dhe tani jam edhe më i lumtur që jam këtu. Mendoj se kjo është një skuadër e madhe. Mendoj se kemi mundësitë të vazhdojmë në të njëjtën rrugë, duke fituar si në dy ndeshjet e fundit që ka zhvilluar ekipi. Do të dëshiroja të luaja sa më shumë dhe të bëja më të mirën për skuadrën. Trajneri Redfern? Fola me të para stërvitjes dhe mendoj se kuptohemi mirë”, tha lojtari i cili do të mbajë numrin 10 te skuadra e tij e re. Megjithatë, Çani ka përshkruar veten si një sulmues tipik zone. “Jam i mirë në lojën në ajër dhe më pëlqen të sulmoj hapësirat. Sigurisht që më pëlqen të kontrolloj topin, për të mundësuar skuadrën që të dalë përpara. Por më shumë më pëlqen loja në ajër”, theksoi sulmuesi shqiptar, i cili ka zbuluar se kontaktet e para në klubin anglez kishin lindur që në dhjetor, kur ai kishte hedhur hapat e parë drejt këtij transferimi të rëndësishëm.


“Di që kampionati është i shkëlqyer. Kam parë disa ndeshje dhe më pëlqen shumë atmosfera dhe tifozeria. Erdha këtu të shihja një ndeshje në fund të dhjetorit. Tifozët ishin të shkëlqyer dhe ata nuk reshtën kurrë së kënduari. Kjo më pëlqeu shumë, ashtu si ndeshja që ishte shumë e mirë”, deklaroi futbollisti në intervistën e tij të parë si pjesë e Lids Junajtid.


 


Taulant Xhaka


Fiorentina e piketon për në verë


Skuadra e Fiorentinës ka hedhur sytë nga Taulant Xhaka për sezonin e ardhshëm. Sipas “La Nazione”, klubi italian ka kontaktuar Bazelin për të mësuar çmimin e futbollistit që ka shkëlqyer në këtë sezon në Ligën e Kampioneve. Ideja fillestare e italianëve ishte të afronin Xhakën në pjesën e dytë të sezonit, por ai dëshiron që të qëndrojë te Bazeli për të luajtur në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve. Kësisoj, bisedimet mes palëve do të rihapen gjatë verës, pasi Fiorentina e cilëson si një futbollist të vlefshëm për planet e saj të kthimit në majat e futbollit italian. Xhaka rinovoi deri në vitin 2018 me Bazelin në janar, por mund të transferohet për 2 milionë euro.


 


Granit Xhaka


Rinovon deri në 2019 me Borusian


Granit Xhaka u ka dhënë fund dyshimeve rreth të ardhmes së tij dhe gjatë ditës së djeshme ka firmosur rinovimin e kontratës së tij me Borusia Mynshengladbah deri në vitin 2019. Mesfushori shqiptar i cili luan për Zvicrën ka mbyllur shumë shpejt diskutimet me klubin, ku tashmë cilësohet si një prej lojtarëve më të spikatur. “Xhaka ka pasur një rritje të ndjeshme gjatë dy viteve në radhët e skuadrës tonë dhe të gjithë jemi të lumtur që do të jetë pjesë e klubit edhe për shumë vite të tjera”, deklaroi drejtori sportiv, Maks Eberl, pas zyrtarizimit të marrëveshjes. “Nuk kisha asnjë dyshim për rinovimin, dua të vazhdoj këtu”, ishte komenti i vetë Xhakës pas firmës.


 


 


Peshëngritje


Gjoza: Nuk humbasim Olimpiadën, presim panelin dëgjimor


Federata Shqiptare e Peshëngritjes është ende në pritje të një përgjigje nga Federata Botërore për sa i përket Testit B të Daniel Godellit dhe Hysen Pulakut. Këtë e ka konfirmuar dje në një konferencë për shtyp presidenti i shtangës shqiptare, Elez Gjoza, i cili ka bërë bilancin e situatës së deritanishme rreth skandalit të dopingut. Sipas tij, fati i tre shtangistëve shqiptarë dhe dënimi i mundshëm ndaj FSHP-së, do të vinte pasi të gjithë të paraqiteshin para panelit dëgjimor të Federatës Botërore. “Po presim përgjigje zyrtare nga Federata Botërore për Pulakun dhe Godellin. Deri tani, Testi B i ka ardhur vetëm Romela Begajt dhe ai është një përgjigje prej 75 faqesh ku gjendet e gjithë procedura e analizave. Masat? Do të merren pas panelit dëgjimor. Ne çdo gjë do ta diskutojmë në panel, të gjithë faktet. Atje do të jemi edhe ne bashkë me sportistët”, konfirmoi Gjoza. Sipas tij, Shqipëria nuk rrezikon përjashtimin nga aktivitetet ndërkombëtare. “Do të marrim pjesë në Europian, absolutisht që po në Olimpiadë dhe Botëror, për këtë ju garantoj të gjithëve. Ne, të gjitha detyrimet që rrjedhin nga dënimet që do të japë Federata Botërore do t’i shlyejmë”. Për sa i përket “fajtorit”, Gjoza ka shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë mbi ish-sekretarin e dorëhequr, Muharrem Berisha që shtyu që ekipi të shkonte në Greqi, por ka bërë të qartë se “fajtori” do të dalë në skenë vetëm në fund. “Berisha paraqiti dorëheqjen e parevokueshme, ashtu si dy anëtarë të kryesisë. Çështja e dorëheqjes time nuk është problem. Kushtet e vështira që kemi aktualisht në palestrat tona në Shqipëri na shtynë që për rezultate më të larta, më të mira, të shfrytëzonim njohjet që kemi, si trajnerin e kombëtares greke. Por akuza direkte për Luan Shabanin, apo për këdo tjetër, do të bëjmë pas përfundimit të panelit dëgjimor, atëherë do të dalë edhe fajtori”.