Ledian Memushaj


Shtohet numri i skuadrave të Serisë A që kërkojnë të sigurojnë kartonin e Ledian Memushajt në sezonin e ardhshëm. Pas Empolit, Veronës dhe Kievos, në garë ka hyrë edhe Sampdoria, e cila po monitoron mesfushorin e kombëtares shqiptare, i cili aktivizohet me Peskarën në Serinë B. Paraqitjet e tij bindëse kanë bërë që skuadra e Sampdorias të dërgojë disa vëzhgues në ndeshjet e fundit të Peskarës për të monitoruar futbollistin, i cili mund të transferohet për 1 milion euro tek ekipi i Serisë A në qershor.


 


Etrit Berisha


Portieri i përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha, është pezulluar 10 ditë nga Federata Italiane e Futbollit për nënshkrimin njëkohësisht të dy kontratave, me Kievon dhe Lacion, si dhe është gjobitur me 15 mijë euro. Masa ndëshkimore ishte caktuar që më 26 shkurt pas marrëveshjes mes palëve, por vetëm dje është zyrtarizuar nga Komisioni Disiplinor i Federatës Italiane të Futbollit. Berisha do të mungojë vetëm në ndeshjen e fundjavës që Lacio luan kundër Veronës, duke bërë që zëvendës i Marketit të jetë portieri tjetër shqiptar, Thomas Strakosha.


 


Kosova


Federata Zvicerane e Futbollit ka vendosur që të mos lejojë më Kosovën të organizojë ndeshje miqësore të kombëtareve të futbollit në territorin e Zvicrës. Zëdhënësi i Federatës Zvicerane, Marko Von Ah, ka deklaruar për “Koha Ditore” se federata nuk dëshiron të gjobitet nga FIFA nëse në territorin e këtij vendi ndodhin trazira gjatë miqësoreve të skuadrave të tjera. Për këtë arsye është ndërtuar një “listë e zezë” e kombëtareve “problematike”, duke renditur mes tyre edhe përfaqësuesen e Kosovës.


 


Deklarata


Raiola: Ibra është shumë i bukur për ta gjuajtur topin me kokë


France Soccer League OneZlatan Ibrahimoviç është një golashënues i jashtëzakonshëm, por ai shënon shumë pak gola me kokë, ndonëse është i gjatë 1 metër e 96 centimetër. Menaxheri i tij, Mino Raiola, ka një shpjegim shumë të thjeshtë për faktin se pse suedezi nuk është aq vendimtar në lojën në ajër. “Ibra është shumë i bukur për ta gjuajtur topin me kokë”, tha ai në një intervistë për “L’ Equipe”. “Zlatan më thotë gjithmonë se është shumë i bukur. Ai nuk gjuan me kokë nga frika se mos e dëmton atë dhe prish pamjen e tij”, tha menaxheri italian. Por pavarësisht këtij “defekti”, Raiola është i bindur se ai menaxhon futbollistin më të mirë dhe më të kompletuar në botë. “Zlatan është unik në botë. Nuk ekziston asnjë lojtar tjetër që është 196 centimetër i gjatë, ka teknikën e Mesit, karakterin e Muhamed Ali dhe fuqinë e Majk Tajson. Ai te PSG ka bërë të njëjtën punë që Mikael Shumaher bëri te Ferrari. Njerëz të tillë punojnë për veten, por njëkohësisht edhe për të tjerët”.


Kohët e fundit kanë lindur dyshime rreth së ardhmes së futbollistit te PSG, por Raiola duket i bindur se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e parisienëve. “Sot ai mbetet futbollisti më i rëndësishëm në projektin e PSG. Ku është zëvendësuesi i mundshëm i tij? Ku është Zlatani i ri? Është e pamundur të gjesh një lojtar të ngjashëm në ditët tona dhe PSG e di mirë një gjë të tillë. Unë nuk kam detyruar asnjëherë lojtarë të bëjnë diçka që nuk e dëshirojnë, ndaj Zlatan do të vendosë nëse do të rinovojë në vitin 2016 vetëm nëse e dëshiron një gjë të tillë. Por ai nuk do të bëhet një lojtar që ngroh stolin. Ai ose është ylli i skuadrës, ose nuk është më pjesë e saj”.