Formula 1
Fetel: Kujdes nga Mercedes në Kinë
Fitorja në Çmimin e Madh të Malajzisë nuk ka qenë një rastësi, por një kombinim i aftësisë së Sebastian Fetel me strategjinë dhe një makinë të mirë të përgatitur nga Ferrari. Por piloti gjerman është i ndërgjegjshëm se që në garën e kësaj fundjave në Kinë, skuadra Mercedes do të kthehet përsëri si pretendente kryesore për fitoren. “Mercedesi do të jetë shumë më i fortë se në garën e mëparshme. Do të jetë thelbësore që të konfirmojmë pozitat tona dhe pretendimet. Në Malajzi, kundërshtarët vuajtën nga temperaturat e larta, ndërsa në Kinë, klima do të jetë krejtësisht ndryshe, më e ftohtë”, u shpreh piloti gjerman. Edhe vetë skuadra e Mercedes konfirmoi pak ditë më parë se përveç avantazhit të kthimit në temperatura të ulëta, ajo kishte bërë ndryshim në telajo, duke instaluar një bisht të ri. Kjo pjesë, e cila përllogaritet se kushton 100 mijë euro, do t’i japë më shumë shpejtësi makinës Mercedes në garën e radhës ku do të synohet kthimi në majën më të lartë të podiumit.
Real Madrid
Norvegjezi është në listën e Ligës së Kampioneve, edhe pse Zidan nuk e aktivizon
Martin Odegard, talenti që nuk lë shenjë as te Kastija
Martin Odegard, nga talenti më premtues i futbollit europian, është kthyer në një problem për ekipin e Real Madrid, që e bleu për 3 milionë euro. Mesfushori stërvitet me ekipin e parë ndërsa mund të aktivizohet me Kastijan, skuadrën e dytë të madrilenëve që luan në kategorinë e tretë spanjolle. Por trajneri i asaj skuadre, Zinedin Zidan, e ka ulur në stol mesfushorin, me rezultatet që janë përmirësuar ndjeshëm që nga momenti kur e ka marrë një vendim të tillë.
Odergard e cilësoi Real Madridin si zgjedhjen më të mirë për karrierën e tij, ndërsa refuzoi ofertat që i kishin ardhur nga thuajse të gjithë klubet më të mira në Europë. Por tani ai e ka kuptuar se për të shpërthyer në radhët e skuadrës spanjolle nuk do të jetë aspak e lehtë. I afruar gjatë merkatos së janarit, ai parashikohej të luante rregullisht me ekipin e dytë. Fakti se atje do të drejtohej nga Zinedin Zidan, ishte një shtysë më shumë për Odegard që të pranonte ofertën spanjolle. Por skuadra e cila ishte e para në renditje, ra në vendin e 7-të, pas 4 humbjesh radhazi, ndeshje në të cilat Odegard luajti si titullar. Problemi në këtë rast mendohet se është stërvitja e tij për tre ditë të javës me ekipin e parë të Realit dhe më pas aktivizimi me Kastijën pa kuptuar si të kombinonte me kolegët e tij në këtë ekip. Në momentin kur ai u grumbullua nga përfaqësuesja norvegjeze për ndeshjen e Euro 2016 kundër Kroacisë, Kastija vërtetoi se ishte shumë më e mirë pa mesfushorin 16-vjeçar në formacion.
Pas fitores së parë, Zidan vendosi ta mbante në stol Odegard edhe në ndeshjen e radhës, taktikë që ka funksionuar në këto javë, pasi Kastija është ngjitur edhe një herë në krye të klasifikimit. Meqenëse Real Madrid ka si objektiv të kthejë Kastijan në kategorinë e dytë në sezonin e ardhshëm, i ka dhënë dorë të lirë Zinedin Zidan që të vazhdojë të mos aktivizojë futbollistin derisa të ketë siguruar ngjitjen. Për më tepër, Odegard i është bërë e ditur se nëse Kastija do të luajë në kategorinë e dytë, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e saj edhe në sezonin e ardhshëm, në të kundërt, do të huazohet te një ekip ku mund të luajë rregullisht. Ky është një kontrast shumë i madh për karrierën e futbollistit që gjendet në listën e Ligës së Kampioneve me Real Madrid dhe ka luajtur 3 ndeshje me kombëtaren e Norvegjisë.
Rafael Benitez
Trajneri i Napolit, Rafael Benitez, pritet t’i japë lamtumirën ekipit italian në fund të këtij sezoni dhe sipas “The Independent”, do të kthehet në kampionatin anglez. Spanjolli shihet si zëvendësuesi ideal i Manuel Pelegrinit në pankinën e Mançester Sitit. Trajneri dëshiron të kthehet në Angli edhe për arsyen se atje banon familja e tij, në Liverpul, vetëm 45 minuta larg me tren nga Mançesteri. Presidenti i Sitit, Khaldon Al Mubarak, do të preferonte Pep Guardiolën si zgjedhje të parë, por spanjolli ka konfirmuar se do të qëndrojë te Bajern Mynih të paktën edhe për një sezon.
Çernomorets Odesa
Klubi ukrainas i Çernomorets Odesës u ka propozuar lojtarëve që t’i paguajë detyrimet e prapambetura duke ua “konvertuar” në vila pushimesh pranë bregdetit. Mungesa e sponsorëve ka bërë që skuadra, ku në të kaluarën janë aktivizuar edhe Kristi Vangjeli e Elis Bakaj, të largojë brenda këtij sezoni thuajse të gjithë yjet e saj, por duke pasur detyrime të prapambetura ndaj tyre. “Po u ofrojmë lojtarëve shtëpi dhe prona të tjera të patundshme pranë bregdetit që zotërojnë pronarët e klubit. U kemi detyrime edhe atyre që janë larguar, ndaj për të shmangur përjashtimin nga UEFA, mendojmë t’i paguajmë në këtë mënyrë”, shpjegoi drejtori i përgjithshëm, Sergei Kernitski, i cili bëri të ditur se çdo vilë kushtonte rreth 70-80 mijë euro.
Borusia Dortmund
Skuadra e Borusia Dortmund i ka ofruar mbrojtësit Mats Humels rinovimin e kontratës, për të kuptuar nëse ai synon apo jo të largohet gjatë merkatos së verës. Futbollisti po ndiqet me vëmendje nga Mançester Junajtid, skuadër që është gati të paguajë rreth 40 milionë euro për këtë lojtar. Por shefi ekzekutiv i klubit, Hans-Joakim Uatzke, është optimist se Humels do të qëndrojë. “Ne planifikojmë të ardhmen me të. Prandaj do të vazhdojmë bisedimet me Mats për të zgjatur këtë bashkëpunim mes palëve”. Lojtari ka edhe dy vite të mbetura në kontratën e tij me Borusia Dortmund, por gjatë javës pranoi se ishte ende i pavendosur se çfarë do të bënte në të ardhmen.