ndeshja


Përgatitjet – Zv.drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, së bashku me sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, kanë bërë dje inspektimin e përbashkët në stadiumin “Elbasan Arena”. Ky ishte hapi i parë konkret i bashkëpunimit mes palëve për ndeshjen e 8 tetorit mes Shqipërisë dhe Serbisë.


 


Opinioni


Futbollisti mendon se Europa duhet të bashkohet për të ndihmuar këta njerëz në nevojë


Apeli i “refugjatit” Cana: Mos i gjykoni pa e provuar


Gëzimi – Kapiteni i kombëtares shqiptare të futbollit ka munguar në stërvitjen e së mërkurës te Nanta, por ka qenë më se i justifikuar nga klubi, pasi dje ai është bërë baba për herë të parë


Lorik Cana mendon se jo vetëm Franca, por e gjithë Europa duhet të ngrihet në këmbë për të ndihmuar refugjatët të cilët po largohen nga zonat e konfliktit. Ndërsa në të gjithë kontinentin ka shpërthyer një debat nëse refugjatët duhen pranuar apo jo, Cana, i cili e ka përjetuar që i vogël largimin nga vendlindja e tij, Kosova, mendon se të gjithë duhet të tregojnë solidaritet ndaj këtyre personave në nevojë. “Çështja e refugjatëve nuk ka pse të jetë diçka negative për ata që janë mësuar të jetojnë në Francë”, ishin fjalët e tij për “But! Nantes”. “Ky është një prej vendeve ku jetohet më mirë në botë dhe këtë mund t’ua siguroj unë. Sigurisht, duhet të zgjohesh në mëngjes për të punuar dhe për të fituar bukën e përditshme, por këtu ekziston një siguri sociale, edukimi, mbrojtja, rrugët, infrastruktura. Edhe kur jemi në vështirësi të madhe, ne mund të gjejmë asistencë. Nëse nuk e kemi jetuar, është absolutisht e pamundur të kuptojmë situatën e një refugjati”, tha Cana, i cili në moshë të vogël u largua nga Kosova me familjen e tij për të shkuar në Zvicër, në mënyrë që t’i shpëtonte luftës në ish-Jugosllavi. “Është e sigurt se nuk ka asnjë person që ka zgjidhjen, dhe as një vend të vetëm si Franca. Kjo është një çështje më globale, është një kontinent i tërë, e gjithë Europa, që duhet të përballet me të dhe nuk duhet të jetë një shtet që të durojë më shumë sesa vendet e tjera. Sipas mundësive, duhen ndihmuar këta njerëz. Ne nuk e kuptojmë vështirësinë e të qenët një refugjat derisa ta kemi përjetuar vetë”, ishte apeli i Canës.


 


Europa League


UEFA bën bilancin para Lokomotiv Moskë-Skënderbeu


Një javë para ndeshjes së vlefshme për fazën në grupe të Europa League, UEFA ka bërë bilancin e duelit mes Lokomotiv të Moskës dhe Skënderbeut, duke shpalosur disa kuriozitete interesantë të kësaj sfide që regjistrohet për herë të parë në arenën ndërkombëtare:



  • E vetmja ndeshje në aktivitete zyrtare mes një klubi rus dhe atij shqiptar – dueli i Kupës së Kupave të sezonit 1979/80 mes Dinamos së Moskës dhe Vllaznisë, u dha në tavolinë për ekipin rus, pasi skuadra shqiptare u tërhoq për shkak të tensioneve mes Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik.

  • Lokomotiv i Moskës ka humbur ndeshjen e fundit europiane që ka luajtur në shtëpi, me rezultatin 4-1 përballë Apollon Limasol në play-off të Europa League në edicionin 2014/15.

  • Skënderbeu ka fituar vetëm 1 nga 9 ndeshjet e luajtura jashtë fushe në arenën ndërkombëtare, atë ndaj Milsami Orhei të luajtur në korrik 2015, ndërsa regjistron edhe 2 barazime.

  • Lokomotiv i Moskës është kualifikuar me sukses në 2 nga 3 edicionet e fundit në të cilat ka marrë pjesë në fazën në grupe të Europa League, ndërsa Skënderbeu është skuadra e parë shqiptare që arrin këtë pikë të turneut.

  • Ndeshja mes dy skuadrave do të jetë e 50-a për rusët në Europa League (përfshirë edhe ato në Kupën UEFA).

  • Skënderbeu është një nga dhjetë skuadrat fituese të kampionateve vendase që marrin pjesë në Europa League në këtë sezon.


 


Shkurt


Jurgen Gjasula


Vazhdon momenti magjik i Jurgen Gjasulës në Bundesligën 2. Mesfushori shqiptar, pas dy golave të shënuar në fundjavë me fanellën e Grojter Fyrth, ka përmirësuar bilancin e tij me këtë skuadër në suksesin 3-0 ndaj Paderborn. 29-vjeçari dha një asist për golin e dytë të shënuar nga Ueiland dhe më pas shënoi vetë golin që vulosi rezultatin përfundimtar të sfidës. Falë kontributit të mesfushorit shqiptar (4 gola, 5 asiste), pas 8 javëve, Grojter Fyrth e sheh veten në vendin e 5-të në klasifikimin e Bundesligës 2.


Andi Lila


Futbollisti i kombëtares shqiptare, Andi Lila, dje ka luajtur ndeshjen e parë me fanellën e PAS Janinës, që nga kthimi te kjo skuadër pas eksperiencës në Itali me Parmën. Mesfushori shqiptar u aktivizua në minutën e 53-të të sfidës kundër Atromitos, i përshëndetur me brohoritma të zjarrta nga tifozeria e ekipit të tij. PAS Janina fitoi me rezultatin 2-1.


Vasil Shkurtaj


Ish-sulmuesi i kombëtares U-21 të Shqipërisë, Vasil Shkurtaj, ishte protagonist kryesor i suksesit 2-1 të Asteras Tripoli ndaj Panioniosit në javën e katërt të kampionatit grek. Shkurtaj dha dy asiste për golat e shënuar nga Gianu dhe Dhimuço, për të ndihmuar ekipin e tij që të mbetej në pjesën e sipërme të klasifikimit.


Bekim Balaj


Kupa e Kroacisë vazhdon të flasë shqip. Pas dy golave të Endri Çekiçit me Dinamon e Zagrebit, dje ka ardhur edhe një gol i Bekim Balajt. Sulmuesi i Rijekës ka marrë pjesë në festivalin e golave të skuadrës së tij që ka fituar me rezultatin 10-0 ndaj Bednja, duke shënuar rekordin e ri të fitoreve jashtë fushe në ndeshje zyrtare për këtë klub.


Tirana


Ronald Gerçaliu do të jetë mungesa e madhe e Tiranës për muajin në vijim. Dëmtimi i pësuar kundër Skënderbeut ka rezultuar më i rëndë sesa pritej, pasi rezonanca magnetike ka treguar se mbrojtësi ka pësuar frakturë në kockat e fytyrës dhe do të detyrohet t’i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale. Gërçaliu është kthyer në Austri ku do të kryejë këtë operacion, ndërsa pritet të qëndrojë pushim absolut për të paktën 2-3 javët e ardhshme.


Kategoria e Dytë


Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar dje hedhjen e shortit të kampionatit të Kategorisë së Dytë që fillon këtë të diel. Aktiviteti i organizuar me dy grupe nga 12 skuadra, ka pasur një rritje të ndjeshme të nivelit të tij që kur skuadrat e Kategorisë Superiore kanë filluar të ndërtojnë skuadrat B, duke i regjistruar në këtë nivel. Në sezonin aktual, në Kategorinë e Dytë do të marrin pjesë Partizani B dhe Tirana B, ndërsa kërkesë për të vepruar në të njëjtën mënyrë në sezonin e ardhshëm kanë bërë edhe Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi dhe Vllaznia.