Kupa e Botës
Vjen zyrtarizimi: Katar 2022 luhet në nëntor dhe dhjetor
FIFA ka bërë zyrtare datat për zhvillimin e Kampionatit Botëror të vitit 2022 në Katar, duke konfirmuar se ai do të zhvillohet në nëntor dhe dhjetor të atij viti. Komiteti Ekzekutiv, pasi ka marrë në shqyrtim të gjitha variantet, ka vendosur që aktiviteti në fjalë të fillojë më 21 nëntor dhe të përfundojë më 18 dhjetor, duke bërë tashmë të qartë se kalendari i aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 2022 dhe 2023 duhet përshtatur me kërkesat e turneut më të rëndësishëm të futbollit në botë. Edicioni i vitit 2022 do të jetë ndër më të shkurtrit e të gjitha kohëve, pasi do të zgjasë vetëm 28 ditë, i dyti pas Argjentinë 1978, që zgjati 24 ditë. Por asokohe në fazën finale të turneut merrnin pjesë 24 skuadra dhe jo 32 si aktualisht. Që në këtë pikë pritet të ketë kundërshtarë të ashpër të këtij aktiviteti, pasi ngjeshja e datave do të thotë njëkohësisht se skuadrat do të kenë më pak ditë të lira mes ndeshjeve. Gjithashtu, mbetet ende enigmë se si do të menaxhohen kampionatet kombëtare sidomos në Europë, apo edhe turnetë ndërkombëtarë të klubeve që organizon UEFA, pasi lojtarët duhet të jenë në dispozicion të kombëtareve që më 1 nëntor të vitit 2022. Organizimi i Botërorit në Katar, në një periudhë të papërshtatshme të vitit, ka ngjallur shumë polemika dhe vazhdimisht është kërkuar që FIFA të ndryshojë vendndodhjen e aktivitetit.
Shkurt
Neimar
Sulmuesi brazilian, Neimar, është bërë pjesë e një tjetër skandali financiar. Pas problemeve në Spanjë në lidhje me shumën e transferimit të tij nga Santos te Barcelona, lojtari është në epiqendër të një hetimi edhe nga drejtësia në Brazil. Ai akuzohet se nga viti 2011, deri në vitin 2013, ka bërë evazion fiskal për një shumë që arrin 13,6 milionë euro. Me kërkesë së autoriteteve financiare braziliane, atij i janë sekuestruar asete që arrijnë vlerën e 40 milionë eurove.
Pep Guardiola
Lajmi që është përhapur dje në mediat angleze se Federata Angleze e Futbollit është gati të bëjë çmenduri për të bërë Pep Guardiolën trajnerin e ardhshëm të kombëtares, ka nervozuar teknikun e Bajern Mynih. I pyetur vazhdimisht rreth kësaj teme nga gazetarët, Guardiola ka ndërprerë në mes konferencën për shtyp duke dalë nga salla. “Jam trajneri i Bajern Mynih, faleminderit dhe mirupafshim”, ishin fjalët e fundit të Guardiolës, i cili ka një kontratë deri në fund të këtij edicioni me skuadrën gjermane.
Murinjo-Venger
Vazhdon debati mediatik mes Zhoze Murinjos dhe Arsen Venger, të cilët nuk kursejnë asgjë ndaj njëri-tjetrit sa herë që shfaqen para gazetarëve. Dje e kishte radhën trajneri i Çelsit, i cili ironizoi me faktin se homologu i tij tek Arsenali nuk arrin të fitojë kampionatin. “Në këtë shtet, vetëm një trajner nuk është nën trysni. Të gjithë ne të tjerët duhet të arrijmë objektivat, vetëm një është jashtë listës. Kush është? E dini të gjithë! Është ai që flet me gjyqtarët para ndeshjeve, pas ndeshjeve, mund të shtyjë njerëz në zonën teknike, ankohet, mund të qajë në mëngjes apo pasdite, por asgjë nuk ndodh. Ai nuk fiton asgjë, por vazhdon të mbajë vendin e punës dhe është mbreti. Vetëm një është kështu”, ishte batuta e Murinjos drejtuar francezit i cili nuk fiton titullin në Angli që nga viti 2004.