Çështja


Lila, në pritje të vendimit të PAS Janinës


LilaGjesti i “shqiponjës” të Andi Lilës pas golit të shënuar kundër Olimpiakosit, ka nxjerrë përsëri në pah ksenofobinë greke ndaj futbollistëve shqiptarë. Në mënyrë të çuditshme, festimi i mesfushorit të PAS Janinës, i ngjashëm me atë të dhjetëra futbollistëve të tjerë shqiptarë në stadiume të ndryshme në Europë, është cilësuar nga tifozët e më pas edhe mediat greke, si një provokim i hapur nacionalist. Si për çudi, ky variant absurd mbështetet edhe nga vetë klubi i PAS Janinës, me drejtuesit e lartë të tij që pritet të marrin masë ndëshkimore kundër futbollistit.


Gjatë ditës së djeshme, të gjitha mediat sportive dhe jo vetëm në Greqi, trajtonin më shumë ngjarjen në fjalë sesa rezultatin teknik të ndeshjes së fituar nga Olimpiakosi me shifrat 5-1. Në mënyrë të çuditshme, festimi cilësohej si simbol i “Shqipërisë së Madhe” dhe në shkrime të ndryshme përshkruhej Lila si një “përsëritës” i këtij provokimi apo përfshirja e tij në ngjarjet e Beogradit. Ndërkohë është kujtuar se një veprim të tillë e kishte bërë edhe mesfushori i Olimpiakosit, Pajtim Kasami, pas një goli të shënuar kundër Juventusit në Ligën e Kampioneve, por duke harruar se asokohe askush nuk e cilësoi këtë gjest si provokim nacionalist.


Tashmë të gjithë janë në pritje të mbledhjes së bordit drejtues të klubit të PAS Janinës, i cili do të vendosë çfarë duhet bërë me lojtarin, që pak javë më parë e vlerësonte si “blerjen më të fortë” të sezonit. Trajneri Petrakis ka bërë të ditur se është në pritje të vendimit të presidentit Kristovasilis, para se të planifikojë apo jo futbollistin në formacion për ndeshjen e radhës kundër Iraklis.


 


Moto GP


Lorenco rihap luftën e titullit


Horge Lorenco me Jamaha ka fituar dje Çmimin e Madh të Aragon në Moto GP, duke rihapur plotësisht luftën për titullin kampion me shokun e tij të skuadrës, Valentino Rosi. Spanjolli triumfoi lehtësisht në pistën e shtëpisë, ndërsa një ndihmë i dha edhe Dani Pedroza, i cili i rrëmbeu Rosit vendin e dytë pas një dueli shumë të luftuar që zgjati rreth 10 xhiro. Rrëzimi i Mark Markez lumturoi disi Rosin, i cili falë vendit të tretë të djeshëm, ka ruajtur një avantazh prej 14 pikësh në renditjen e përgjithshme ndaj Lorencos, 79 ndaj Markez, kur kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe katër gara deri në mbyllje të sezonit.


 


Shkurt


Amir Abrashi


Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Amir Abrashi, vazhdon të jetë protagonist absolut në Bundesligën 2, ku paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë ndihmuar Fraiburgun të ngjitet në vendin e parë në renditje. 25-vjeçari ishte një nga më të mirët në fushë në fitoren e djeshme 2-0 ndaj FSV Frankfurt, duke shënuar golin e dytë për skuadrën e tij me një gjuajtje nga distanca në fillimin e pjesës së dytë, për të hipotekuar tri pikët në këtë sfidë. Abrashi është kthyer që në javët e para në një idhull për tifozët e Fraiburgut dhe jo rastësisht, trajneri e zëvendësoi në minutën e 89 të sfidës që ai të merrte duartrokitjet e publikut në stadium.


 


Portugalia


Kombëtarja e Portugalisë dëshiron ta mbyllë çështjen e kualifikimit në Euro 2016 që në ndeshjen kundër Danimarkës. Për ta bërë këtë, Federata Portugeze e Futbollit kërkon një mbështetje sa më të zjarrtë të tifozëve të saj, në këtë ndeshje vendimtare. Ndaj ajo ka bërë të ditur se do të vendosë autobusë pa kufi falas për tifozët që do të udhëtojnë nga qendra e Bragës drejt stadiumit “Municipal”, i cili gjendet jashtë qytetit për të ndjekur nga afër duelin. Pas vizitës në Shqipëri, lojtarët e Portugalisë pranuan se mbështetja e zjarrtë si ajo në “Elbasan Arena” mund të ishte një ndihmë më shumë për ekipin.


 


Serbia


Përfaqësuesja e Serbisë do të udhëtojë drejt Shqipërisë pa pasur në përbërje një prej futbollistëve të saj, sulmuesin Filip Kostiç. 22-vjeçari, i cili aktivizohet me Shtutgartin në Bundesligë, ka pësuar një dëmtim muskulor në fundjavë dhe do të jetë i detyruar të qëndrojë pushim të paktën 15 ditë. Në këto rrethana, trajneri i Serbisë, Çurçiç, do të jetë i detyruar ta lërë jashtë listës sulmuesin, i cili ka luajtur në katër ndeshjet e fundit me përfaqësuesen dhe mendohej se do të ishte titullar më 8 tetor.