Rei Manaj


Rei ManajSulmuesi 18-vjeçar Rei Manaj shpreson që të gjejë sa më shpejt edhe golin e parë me fanellën e Interit, por kërkon që ta bëjë në ndeshje zyrtare dhe jo në miqësore si ajo që skuadra e tij luan sot ndaj Milanit. “Unë mundohem që të mësoj nga të gjithë shokët e mi të skuadrës për t’u bërë më i fortë. Nuk më intereson të bie në sy ndaj Milanit, më intereson që skuadra të paraqitet sa më mirë. Sigurisht që më mungon goli. Por miqësoret janë si stërvitjet, më pëlqen më shumë goli në kampionat dhe në ndeshje të tjera zyrtare. Unë nuk e vlerësoj përmirësimin tim, duhet ta thotë trajneri një gjë të tillë. Unë e shoh gjithmonë veten njëlloj, thjesht shpresoj që të paraqitemi sa më mirë. Falënderoj trajnerin për të gjithë atë që po bën për mua, brenda dhe jashtë fushës së lojës”, tha Manaj për “Inter Channel”.


Ledian Memushaj


Drejtuesit e Peskarës shumë shpejt do të ulen në tavolinën e bisedimeve me menaxherin e mesfushorit Ledian Memushaj, për zgjatjen e kontratës së futbollistit të kombëtares shqiptare të futbollit. Konfirmimi ka ardhur nga vetë presidenti i klubit, Daniele Sebastiani, i cili është personi që bindi Memushajn që të mos pranonte gjatë verës ofertat që i erdhën nga Seria A. “Shumë shpejt do të flasim për zgjatjen e kontratës. Eksperienca e Memushajt do të jetë e rëndësishme për rritjen e futbollistëve të rinj”, shpjegoi ai.


Fadil Vokrri


Presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, mendon se kombëtarja e Kosovës nuk do të jetë mes ekipeve të dobëta të kontinentit, kur të fillojë të marrë pjesë në aktivitetet zyrtare. “Mendoj se jemi më të fortë se ekipe si Gjibraltari apo San Marino. Tanimë futbolli europian është shumë konkurrues dhe nuk ka më aq shumë diferenca mes ekipeve, sa ka pasur në vitet e kaluara”, tha ai për pkfoot.com, ku shpjegoi gjithashtu se pas pranimit me të drejta të plota në UEFA, duhej pritur edhe firma e FIFA-s për kthimin te Kosova të lojtarëve që kishin përfaqësuar shtete të tjera në ndeshje zyrtare. “Akordi me të është i detyrueshëm”, deklaroi Vokrri.


Tirana


Pas skuadrës së Partizanit, edhe Tirana ka vendosur heshtjen për shtyp, në një moment kur klubi po kalon një situatë aspak të qetë pas shkarkimit të trajnerit Shkëlqim Muça. Bardheblutë edhe dje janë stërvitur nën urdhrat e dyshes Gvozdenoviç-Egbo, pasi ata do të drejtojnë ekipin në ndeshjen e sotme për Kupën e Shqipërisë kundër Kastriotit. Vetëm pas kësaj ndeshje do të vendoset nëse njëri prej tyre do të emërohet trajner i parë, apo nëse ekipi do t’i besohet ndonjë trajneri tjetër.


Partizani


Partizani u është përgjigjur me një deklaratë për shtyp akuzave të kapitenit të Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, se të kuqtë i detyroheshin ende para nga kontrata e disa viteve më parë. “Në zyrat e organit të vetëm të futbollit në vend, FSHF, nuk ekziston asnjë dokument i tillë ku të vërtetojë borxhin financiar që Shkëmbi pretendon se Partizani i detyrohet atij. Drejtori i Përgjithshëm mirëpret lojtarin në çdo orë të ditës në selinë e klubit për t’u qartësuar në lidhje me pretendimet që Shkëmbi ngre pothuajse në çdo sezon futbollistik pikërisht vetëm kur përballet me Partizanin”, theksohej në këtë deklaratë, që ndez edhe më shumë atmosferën para sfidës direkte të fundjavës mes dy ekipeve që kryesojnë Kategorinë Superiore.