“Loro Boriçi”


Kryeministri inspekton punimet


rama-ne-loro-borici_1Kryeministri Edi Rama ka shfrytëzuar vizitën e tij në Shkodër, për të inspektuar punimet në “Loro Boriçi”, stadiumin që po rikonstruktohet me fonde të qeverisë shqiptare, e cila ka lëvruar deri tani 1,5 miliardë lekë për të. I shoqëruar nga deputeti Agron Çela, prefekti i Shkodrës, Paulin Radovani, zv.ministri i MAS, Zef Çuni, dhe ish-futbollisti i Vllaznisë, Hysen Zmijani, Rama ka vizituar thuajse të gjitha ambientet e ndryshme të stadiumit. Ai ka parë me vëmendje sidomos tribunën e re që është ndërtuar për këtë impiant, i cili do të jetë më moderni në Shqipëri dhe që pritet të përfundojë në muajt e parë të vitit 2016. Pasi ka ngarkuar deputetin Çela dhe prefektin Radovani me ndjekjen hap pas hapi të punimeve, që ato të mos zvarriten më siç ka ndodhur shpesh në muajt e kaluar, Rama hodhi idenë që ndeshja e përurimit të tij të zhvillohej mes figurave të shquara të kombëtares shqiptare të futbollit në vite.


 


 


Mesfushori


De Biazi ndjek Fabio Sakajn


Fabio SakajTrajneri i përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazi, po ndjek me vëmendje talentin e ri 17-vjeçar shqiptar të Modenas, Fabio Sakaj. Interesin e trajnerit për lojtarin, i cili po monitorohet nga klubet më të mira italiane, e ka konfirmuar edhe presidenti i skuadrës së Modenës, Antonio Kaliendo. “Sakaj është thirrur nga De Biazi, i cili do të dëshironte ta merrte në kombëtare. Por të shohim se çfarë do të ndodhë, pasi ai ka lindur në Itali, edhe pse nuk ka marrë ende shtetësinë. Ndaj zgjedhja e kombëtares për të është ende në diskutim”, shpjegoi Kaliendo, duke bërë të ditur kësisoj se talenti shqiptar ka tërhequr vëmendjen edhe të stafit të kombëtareve italiane. Kuptohet që interesimi për futbollistin është rritur, pasi është mësuar se ai monitorohet nga Juventusi, i cili ka filluar bisedimet me Modenan për të blerë kartonin e tij. “Jam i bindur që në muajt në vazhdim do të dëgjojmë shumë të flitet për të”, tha Kaliendo.


 


Liga e Kampioneve


Zeniti i shtohet të kualifikuarve, Arsenali pranë eliminimit


Zenit Shën Petërburg është skuadra e tretë që siguron kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampioneve. Ekipi rus ka fituar edhe ndeshjen e katërt në Grupin H, duke mundur 2-0 Olimpikun e Lionit, për t’iu bashkuar Real Madridit dhe Mançester Sitit në fazën tjetër të turneut. Lufta për vendin e dytë në këtë grup mbetet plotësisht e hapur pas suksesit të papritur të Gent me rezultatin 1-0 ndaj Valencias. Zeniti kryeson grupin me pikë të plota, i ndjekur nga Valencia me 6 pikë dhe Gent me 4, ndërsa Olimpik Lion ka vetëm 1 pikë. Shumë pranë kualifikimit të mëtejshëm është edhe Barcelona, që kryeson Grupin E pas fitores 3-0 ndaj BATE Borisov. Katalanasit nuk po e ndiejnë aspak mungesën e Lionel Mesit, pasi Neimar dhe Suarez janë në formë të shkëlqyer dhe ishin autorët e golave të takimit të djeshëm. Vendi i dytë në grup aktualisht i përket Romës, e cila vuajti shumë për të mposhtur 3-2 Bajer Leverkusenin, në një ndeshje të vendosur nga Pjaniç me një penallti në minutat e fundit. Në Grupin F, Bajern Mynih i ka dhënë një leksion të mirëfilltë futbolli Arsenalit, duke e mposhtur me shifrat 5-1. Levandovski, Myler (2), Alaba dhe Roben bombarduan me radhë portën e “topçinjve”, të cilët janë shumë pranë eliminimit, pasi bavarezëve dhe grekëve të Olimpiakos u duhet vetëm nga një pikë në ndeshjet e mbetura për të kaluar në turin tjetër. Ekipi grek bëri detyrën dje duke mposhtur 2-1 Dinamon e Zagrebit, për t’u ngjitur në kuotën e 9 pikëve. Një gol i Uillian në minutat e fundit ka zgjidhur përkohësisht telashet e Zhoze Murinjos, pasi i ka dhënë Çelsit një sukses 2-1 në Grupin G përballë Dinamos së Kievit, duke e ngjitur në vendin e dytë, pas Portos. Skuadra portugeze, ka bërë detyrën duke fituar 3-1 në fushën e Makabi Tel Aviv, për të qenë vetëm një pikë larg kualifikimit në turin tjetër.


 


 


Rezultatet


Grupi E


Barcelona-Bate  3-0


Roma-B. Leverkusen   3-2


Grupi F



  1. Mynih-Arsenal 5-1


Olimpiakos-D. Zagreb 2-1


Grupi G



  1. Tel Aviv-Porto 1-3


Çelsi-Dinamo Kiev    2-1


Grupi H



  1. Lion-Zenit 0-2


Gent-Valencia   1-0