Basketboll


Shima ndryshon trendin: Dua të luaj për Kosovën


Gerti ShimaGjatë dy dekadave të fundit, kanë qenë të shumtë sportistët kosovarë që kanë përfaqësuar Shqipërinë në aktivitete zyrtare. Por kjo situatë në të ardhmen mund të ndryshojë, për sa u përket sporteve ku Kosova ka më shumë perspektivë se Shqipëria. Sinjalin e parë e ka dhënë basketbollisti Gerti Shima, i cili prej shumë vitesh luan në Kosovë, ndërsa ka qenë rregullisht pjesë e kombëtares shqiptare. Lojtari, i cili sapo i është bashkuar Prishtinës, deklaroi gatishmërinë e tij për të veshur fanellën e Kosovës në eliminatoret e Eurobasket 2017. “Nuk do të luaj më për Shqipërinë, pas të gjitha gjërave të cilat kanë ndodhur atje. Jam i gatshëm të vij të luaj për Kosovën, edhe pse nuk e di a kam të drejtë. Por, nëse një gjë e tillë do të ishte e mundur, do të vija të luaja për Kosovën, nëse do të ftohem”, ishin fjalët e tij për të përditshmen “Zëri”. Sipas drejtuesve të Federatës Kosovare, edhe Erjon Kastrati është gati t’i japë lamtumirën Sllovenisë për t’iu bashkuar kombëtares së Kosovës.


 


Formula 1 


FIA është kundër kthimit të furnizimit gjatë garës


Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) nuk do të pranojë planin për të kthyer furnizimin me karburant gjatë garave të Formula 1, si strategji për të bërë këtë sport më rivalizues. Presidenti i FIA-s, Zhan Todt, pranoi se kjo ishte një temë që po merrej në shqyrtim, por bordi drejtues nuk është dakord, pasi një gjë e tillë do të rriste më shumë shpenzimet për skuadrat. Në fakt, rifurnizimet me karburant gjatë garave kanë pasur mbështetjen e plotë të pilotëve, por skuadrat janë kundër. Drejtori teknik i Uilliams, Pet Simonds, shpjegoi se për ekipet kjo do të ishte një barrë më shumë. “Blerja e pajisjeve dhe mirëmbajtja e tyre në vitin e parë do të kushtonte rreth 300 mijë euro, ndërsa transporti i materialeve do të kushtonte rreth 200 mijë euro. Të mos harrojmë këtu edhe koston për rrogën e një personi apo departamenti të mirëfilltë që merret me çështjen e rifurnizimit. Pa rifurnizimin, ne mund të përcaktojmë një strategji të mirëfilltë që para garës”, shpjegoi ai.


 


Superbowl 50


Kerolajna, kundër Denver për trofeun e NFL-së


Fituesi i Superbowl 50 do të vendoset mes Kerolajna Panters dhe Denver Bronkos, të cilët siguruan biletën për një nga shfaqjet më spektakolare sportive në botë, finalen e NFL. Më 7 shkurt parashikohet një duel i jashtëzakonshëm mes Kem Njuton dhe Pejton Mening, dy “quarterback” që janë në pikë të ndryshme të karrierës së tyre. I pari përfaqëson të ardhmen e këtij sporti, ndërsa për të dytin, finalja mund të jetë ndeshja e fundit e karrierës. Kerolajna Panters mundën lehtësisht Arizona Kardinals me rezultatin 49-15, falë Njuton i cili realizoi dy “touchdown” dhe dha pasime për dy të tjerë. Shumë më e luftuar ishte gjysmëfinalja tjetër mes Denver Bronkos dhe NE Petriots, e mbyllur me shifrat 20-18, falë një mbrojtjeje të shkëlqyer të Denver që thuajse bllokoi plotësisht yllin e kampionëve në fuqi, Tom Bredin. Për Njuton kjo do të jetë prania e parë në Superbowl, ndërsa Mening ka qenë i pranishëm tre herë të tjera gjatë karrierës së tij, duke u shpallur fitues në vitin 2007.


 


Shkurt


Rei Manaj


Skuadra e Frosinones ka bërë një tjetër kërkesë për huazimin e Rei Manajt nga Interi. Sipas mediave italiane, te zikaltërit do të kthehet Samuele Longo, i cili do të luajë rolin e sulmuesit të pestë për ekipin e Mançinit. Ndërkohë, rrugëtimin e kundërt do ta bëjë Manaj, i cili pritet të fitojë më shumë hapësirë në radhët e ekipit të tij të ri, duke fituar eksperiencën që i nevojitet në këtë pikë të karrierës.


 


Luis Van Gal


Mediat angleze janë të bindura se kjo është java ku Luis Van Gal do të shkarkohet nga drejtimi i Mançester Junajtid. Kriza e rezultateve te “djajtë e kuq” ka bërë që bordi drejtues të marrë në konsideratë idenë e largimit para kohe të holandezit, i cili nuk ka një raport të mirë as me futbollistët. Kandidatura më e mundshme për zëvendësimin e tij është ajo e Zhoze Murinjos, i cili është prej kohe në pritje të një ftese nga klubi.


 


Xhanluixhi Bufon


Portieri i Juventusit dhe kombëtares italiane, Xhanluixhi Bufon, ka bërë të qartë se objektivi që i ka vënë vetes është të mbyllë karrierën në Botërorin 2018. “Nëse do të jem në formë dhe do t’ia dal të jem në skuadër, do të luaj në Botërorin 2018. Pas tij do të vijë momenti të ul qepenin dhe t’i jap lamtumirën futbollit të luajtur”, deklaroi dje portieri, i cili pas dy ditësh feston 38-vjetorin e tij. Një nga pengesat ndaj këtij objektivi është edhe Shqipëria, e renditur në të njëjtin grup me Italinë në kualifikueset e Botërorit 2018.


 


Mesut Ozil


Faqja e internetit “Football Leaks” ka zbuluar të dhënat e transferimit të Mesut Ozil nga Real Madrid tek Arsenali. Si fillim, nëse një klub spanjoll kërkon të blejë lojtarin, Reali ka të drejtën e riblerjes së tij për të njëjtën shumë që i është ofruar Arsenalin. Njëkohësisht, nëse shitja e tij sjell më shumë se 50 milionë euro në arkat e klubit anglez, 1/3 e parave që kalojnë këtë shumë do t’u kalojnë madrilenëve.