Alban Meha 


“Snajperi” paralajmëron Zvicrën: Synojmë fitoren e parë zyrtare


Alban MehaAlban Meha është një prej kandidatëve për të veshur fanellën kuqezi në Euro 2016, ndonëse nuk është preferuar gjatë periudhës së fundit nga De Biazi. Por lojtari beson se mund të bindë trajnerin t’i japë shansin për të udhëtuar drejt Francës, ku shpreson të shkruajë një tjetër kapitull të historisë së futbollit shqiptar. “Kualifikimi në vetvete është një arritje e madhe për historinë e futbollit shqiptar. Por ne do të bëjmë më të mirën, për të dhuruar surpriza të tjera në fazën finale”, tha për mediat turke mesfushori me tipare ofensive që ka fituar nofkën “Snajperi” për saktësinë e tij në goditjet e dënimit. Meha beson se kjo surprizë mund të vijë që në ndeshjen e parë, kundër Zvicrës. “Ndeshja e parë do të jetë interesante, pasi nuk kemi fituar asnjëherë në ndeshje zyrtare ndaj Zvicrës. Por këtë radhë synojmë fitoren, pasi duam t’i bëjmë një nisje sa më të mirë turneut”, deklaroi Meha.


 


Shkurt


Terrorizmi


UEFA ka përgatitur skenarë të mundshëm në rast kërcënimi për sulme terroriste gjatë Euro 2016. “Ndeshjet mund të shtyhen, të luhen në një datë të mëvonshme për çështje sigurie apo nëse ka sulme terroriste. Mund të luajmë edhe pa tifozë”, tregoi drejtori i turneut, Martin Kalen.


 


Vicente Del Boske


Trajneri i Spanjës, Vicente Del Boske, duket se ka zgjedhur emrin që do ta zëvendësojë në pankinën e kësaj përfaqësueseje pas Euro 2016. “Unë e kam zgjedhur atë që do të dëshiroja që të vazhdonte punën time, por nuk ia kam thënë ende askujt, as Federatës”, tha ai për mediat spanjolle.


 


Formula 1


Berni Ekleston po mendon që të dërgojë një garë të Formula 1 në Afrikë. “Po zhvillojmë bisedime prej disa kohësh”, konfirmoi ai për “Handelsblatt”. Kandidati më i fortë nga ky kontinent është Afrika e Jugut, ku janë zhvilluar rregullisht gara të Formula 1 deri në vitin 1993.