Legjionarët
Lorik Cana
Pavarësisht dëshirës së madhe për të luajtur kundër Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana ka qenë vetëm spektator në sfidën që skuadra e Nantës zhvilloi në stadiumin “Velodrom”. Takimi përfundoi 1-1, ndërsa në radhët e Nantës, në 10 minutat e fundit, u aktivizua mbrojtësi kuqezi Emir Lenjani.
Shkëlzen Gashi
Kolorado Rapids vazhdon ecurinë pozitive në javët e para të sezonit të ri në MLS, ndërsa protagonist në radhët e kësaj skuadre mbetet Shkëlzen Gashi. Futbollisti shqiptar dha asistin për golin e parë të skuadrës së tij në suksesin 3-1 ndaj Siatëll Saunders, kurse në minutën e 67 të sfidës shpërdoroi një penallti dhe mundësinë për të vendosur emrin e tij mes golashënuesve të sfidës.
Ledian Memushaj
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Ledian Memushaj, ka përsëritur idenë për të qëndruar me ekipin e Peskarës në ditët e para të grumbullimit të kombëtares për Europianin. Në fund të majit, skuadra e tij do të luajë shansin për t’u ngjitur në Serinë A dhe Memushaj nuk do të dëshironte të humbte këtë mundësi të rrallë. “Po të ishte në dorën time, do të luaja si në play-off, ashtu edhe në Europian. Por nuk jam unë ai që vendos”, tha lojtari.
Taulant Xhaka
Nëse në kombëtaren shqiptare, Taulant Xhaka është i paprekshëm në qendër të mesfushës, te Bazeli ai luan rolin e “xholit” duke luajtur në çdo pozicion të mundshëm në varësi të nevojave të skuadrës. Dje, futbollisti shqiptar ka luajtur si qendërmbrojtës në barazimin 0-0 ndaj Vaduzit të Armando Sadikut, duke qenë një nga lojtarët më të vlerësuar nga mediat sportive zvicerane.