Gerardo Martino
Trajneri i ri i Argjentinës, Gerardo Martino, nuk e ka përjashtuar mundësinë e kthimit në radhët e kësaj kombëtareje të sulmuesit Karlos Tevez, i cili ishte injoruar prej tre vitesh nga paraardhësi i tij, Ajehandro Sabeja. “Çdo lojtar argjentinas do t’i ketë dyert të hapura. Tevez-Sabeja? Zgjedhja ka qenë krejtësisht futbollistike. Nuk mendoj se ndonjë lojtar i ka të mbyllura dyert e kombëtares”, shpjegoi trajneri, i cili dha konfirmimin se në miqësoren e shtatorit ndaj Gjermanisë, do të grumbullojë lojtarët që morën pjesë në Botërorin 2014.
Zhoze Murinjo
“Çelsi ka në dispozicion dy nga tre portierët më të mirë në botë”. Ky është mendimi i trajnerit të londinezëve, Zhoze Murinjo, i cili beson se ekipi do të përfitojë shumë nga prania në skuadër e Çeh dhe Kurtua. “Mendoj se kjo është një situatë unike. Ky është një problem më vete për mua, pasi të dy janë fantastikë. Por mendoj se është një problem që çdo trajner do ta dëshironte”, tha portugezi, i cili mendohet se do të caktojë si titullar portierin belg.
Per Mertesaker
Per Mertesaker është bërë futbollisti i tretë gjerman që i jep lamtumirën kombëtares që fitoi titullin Kampion Bote në Brazil një muaj më parë, pas Filip Lahm dhe Miroslav Klose. “Kam dhjetë vite në kombëtare dhe mendoj se ka ardhur koha edhe për mua të largohem. Do të përqendrohem tek Arsenali dhe pjesëmarrjet në Ligën e Kampioneve”, tha 29-vjeçari, i cili ka luajtur 104 ndeshje për Gjermaninë.
Niklas Bendtner
Skuadra e Volfsburgut ka zyrtarizuar nënshkrimin e një kontrate trevjeçare me sulmuesin danez Niklas Bendtner. Lojtari u largua nga Arsenali pas përfundimit të kontratës së tij me “topçinjtë”, të cilët e kishin huazuar në ekipe të ndryshme në dy sezonet e fundit. “Nuk u mendova gjatë për të pranuar ofertën e Volfsburgut”, tha 26-vjeçari. “Bundesliga është një kampionat i madh, që është përmirësuar shumë në vitet e fundit”.
Nanjin 2014
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka bërë të ditur se sportistët e vendeve që janë goditur më rëndë nga virusi i Ebolas, nuk do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Rinore Nanjin 2014 në sportet “luftarake” apo ato në pishinë. Vendimi ndikon xhudon, taekuondon, mundjen e lirë, boksin, notin, hedhjet nga trampolina, vaterpolon dhe notin e sinkronizuar. Atletët që nuk mund të garojnë pas këtij vendimi janë pesë atletë nga Liberia, Guineja, Sierra Leone dhe Nigeria.
NASCAR
Aksidenti i javës së kaluar, ku kampioni i NASCAR, Tomi Stjuart, përplasi për vdekje pilotin 20-vjeçar Keni Uard, ka detyruar NASCAR të ndryshojë rregullat e saj. Sipas rregullave të reja, të cilat hyjnë në fuqi që këtë fundjavë, pilotët nuk lejohet të dalin nga makinat e tyre për sa kohë që ka vetura të tjera që ecin me shpejtësi në pistë. Me përjashtim të rasteve kur makina është në flakë apo ka tym në kabinë, pilotët duhet të qëndrojnë në makinë derisa të njoftohen nga komisarët e pistës apo zyrtarët e NASCAR për të dalë nga automjeti.