Nga Argjentina vijnë lajme pozitive për gjendjen shëndetësore të ish-futbollistit Pablo Daniel Osvaldo. 40-vjeçari është i kthjellët dhe nuk po mbahet nën efektin e qetësuesve, por vijon të qëndrojë i shtruar në repartin e terapisë intensive në spitalin e Llavallol.

Osvaldo u shtrua në spital të enjten, pasi për disa ditë kishte shfaqur simptoma që familjarëve ua kishte përshkruar si një të ftohur të fortë. Ekzaminimet mjekësore zbuluan një rrjedhje pleurale në anën e djathtë të kraharorit, me grumbullim lëngjesh rreth mushkërisë, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen kirurgjikale.

Gjatë procedurës, mjekët morën edhe kampione nga pleura për kryerjen e biopsisë. Rezultatet e saj pritet të jenë vendimtare për përcaktimin e diagnozës dhe trajtimit që do të ndjekë ish-sulmuesi.

Në varësi të rezultateve të analizave, mjekët do të vendosin nëse Osvaldo mund të transferohet në një repart normal apo duhet të vijojë qëndrimin në terapi intensive.

Ndërkohë, familjarët e tij kanë tentuar të qetësojnë tifozët përmes të përditshmes argjentinase Clarín, duke deklaruar se Osvaldo është mirë dhe i kthjellët.

Megjithatë, ende nuk është përcaktuar shkaku i infeksionit dhe nuk ka një diagnozë përfundimtare. Familjarët mbeten të lehtësuar vetëm nga fakti se gjendja është konstatuar dhe trajtuar në kohë.