Vetëm dy javë para përfundimit të votimit për Topin e Artë, Lamine Yamal po vijon me një formë të shkëlqyer, duke forcuar kandidaturën e tij për çmimin prestigjioz.
Talenti i Barcelonës ka deklaruar se nuk do të lutet për trofeun, por beson se paraqitjet e tij e bëjnë të denjë për ta fituar. Forma e tij e fundit në fushë ka tërhequr vëmendjen, ndërsa klubi katalanas e ka mbështetur publikisht kandidaturën e tij.
Yamal ka realizuar 7 gola dhe 2 asistime në 6 ndeshje këtë sezon. Në katër sfidat e fundit ndaj Rayo Vallecanos, Valencias, Levantes dhe Feyenoordit, 19-vjeçari ka gjetur rrugën e rrjetës në secilën prej tyre.
Në La Liga, Yamal ka shënuar gjashtë gola dhe është përfshirë në garën për trofeun Pichichi, së bashku me Camellon, Kylian Mbappén dhe Raphinhën.
Në listën e 30 kandidatëve për Topin e Artë bëjnë pjesë edhe disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror, mes tyre Harry Kane, Jude Bellingham, Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé, Erling Haaland, Lionel Messi, Rodri Hernández, Bruno Fernandes dhe Ferran Torres.
“Unë dhe Mbappé jemi dy më të mirët, por mendoj se e meritoj Topin e Artë”, deklaroi Yamal në një intervistë për “Universo Valdano” të Movistar Plus.
Në krah të tij janë pozicionuar edhe drejtuesit e Barcelonës. Zëvendëspresidenti Rafa Yuste ka shprehur dëshirën që çmimi t’i jepet Yamalit, ndërsa presidenti Joan Laporta e ka cilësuar 19-vjeçarin një prej favoritëve kryesorë.
“Lamine është një nga favoritët e mëdhenj. Ai po luan në mënyrë spektakolare. Ka cilësi të jashtëzakonshme. Është gjeni”, u shpreh Laporta.
Votimi për Topin e Artë përfundon më 28 shtator, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet më 26 tetor në London Palladium.
