Fundjava në ndalesën e radhës së Kupës së Botës në skitë alpine në Spindleruv Mlyn nuk rezultoi pozitive për Lara Colturi. Skiatorja shqiptare nuk arriti ta përmbyllë garën e slalomit special, pasi u detyrua të ndalet që në zbritjen e parë.

19-vjeçarja, e cila hyri në këtë garë larg gjendjes së saj më të mirë fizike, gaboi në leximin e pistës gjatë provës së parë dhe për pasojë nuk mundi të përfundonte garimin, duke u skualifikuar që në fazën fillestare.

Ky rezultat i kushton Colturit pikë të rëndësishme, si në renditjen e slalomit special, ashtu edhe në klasifikimin e përgjithshëm të Kupës së Botës. Para kësaj gare, ajo renditej në vendin e gjashtë në slalom dhe në vendin e dhjetë në renditjen e përgjithshme, pozicione që tani rrezikojnë të ndryshojnë pas këtij ndalimi të detyruar.