E ardhmja e Pep Guardiolës te Manchester City duket se po lidhet gjithnjë e më shumë me jetën e tij personale dhe krizën familjare që ka përjetuar muajt e fundit. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, tekniku katalanas pritet të largohet nga pankina e kampionëve të Anglisë në fund të sezonit, pavarësisht se kishte ende një vit kontratë me klubin.
Guardiola do të drejtojë edhe dy ndeshjet e fundit të kampionatit dhe më pas pritet të mbyllë një epokë 10-vjeçare në “Etihad”, ku fitoi gjithçka me Sitin dhe ndërtoi një nga skuadrat më dominuese të futbollit modern.
Në qendër të vendimit të tij duket se qëndron situata familjare dhe raporti me bashkëshorten, Kristina Serra. Pikërisht rinovimi i fundit i kontratës me klubin anglez besohet se krijoi distancën përfundimtare mes çiftit, pasi Serra u rikthye për të jetuar në Spanjë dhe nisi procedurat e divorcit.
Burime pranë trajnerit bëjnë të ditur se Guardiola ka tentuar prej muajsh të rikuperojë marrëdhënien dhe është i bindur se kjo nuk mund të ndodhë duke vazhduar jetën në Angli. Kjo është edhe arsyeja pse ai po mendon të largohet më herët nga Manchester City.
Madje, raportimet flasin se trajneri ka investuar rreth 15 milionë euro për një vilë të re pranë shtëpisë së familjes së tij në Barcelonë, një lëvizje që shihet si përpjekje për të rindërtuar jetën personale larg ritmit intensiv të futbollit të klubeve.
Nëse largohet përfundimisht nga City, Guardiola pritet të marrë një periudhë pushimi, ndërsa në të ardhmen mund të fokusohet vetëm te futbolli i kombëtareve, një rol që do t’i lejonte më shumë kohë pranë familjes dhe jetës në Spanjë.
