Prezantimi


Trajneri beson se me lojtarët që ka në dispozicion do të luftojë për titullin


Tirana më në fund e ka në stol trajnerin e saj, i cili do ta drejtojë për pjesën e mbetur të sezonit 2012-2013. Ai do të jetë Artur Lekbello, i emëruar prej tri ditësh, por që vetëm dje është prezantuar zyrtarisht në ambientin e klubit 24 herë kampion i vendit. Lekbello, i cili është një njohje e vjetër e bardhebluve, i konsideruar “djali i shtëpisë”, ka braktisur Greqinë ku ka jetuar prej 22 vitesh, dhe tashmë ka marrë në dorë timonin e skuadrës, pas largimit të Hulian Rubio Sançez. Prezantimin e trajnerit të ri e bëri administratori Salih Tagani. Më pas vetë Lekbello pranoi të rrëfente arsyet se përse zgjodhi të rikthehej te Tirana si trajner. “Unë pranova të vij dhe të drejtoj skuadrën e Tiranës edhe për shkak të ndryshimeve që janë bërë në klub, pasi drejtimi u mor nga bashkia, u shpreh 46-vjeçari. Shoh që po bëhet një punë me themel, duke filluar nga stadet e poshtme, organizim akademie, kështu që klubi është në një rrugë të drejtë”. Për sa i përket objektivit, Lekbello nuk premton titullin, por garanton se do të japë maksimumin e tij për të ndihmuar skuadrën të rikthehet në majën e futbollit shqiptar. “Dua që atë rrugë që ndoqëm bashkë me shokët e skuadrës, kur isha futbollist, ta vazhdoj edhe tani për ta çuar Tiranën drejt sukseseve në kampionat, por edhe në Kupat e Europës, nënvizoi trajneri i ri. Kjo skuadër është e destinuar të luajë për kampionat, të luajë për të fituar titullin Kampion, të luajë për të fituar Kupën e Shqipërisë. Këto janë objektiva që te Tirana nuk shmangen dot. Është vetë klubi, është dëshira e tifozëve të Tiranës, që skuadra e tyre të jetë pretendente për të fituar kampionatin dhe Kupën. Nuk mund ta imagjinojnë dot tifozët e ‘Tironës’, që skuadra e tyre të luftojë për vendin e katërt apo të pestë në kampionat”. Periudha në të cilën ai ulet në stolin e bardhebluve, nuk i mundëson të bëjë merkato, kështu që është i detyruar te futbollistët që i la trashëgimi Rubio Sançez. “Me të gjithë ata futbollistë që kemi, me ata do të vazhdojmë. Janë futbollistë të aftë për t’i shërbyer skuadrës. Pranë kam edhe zotin Tafaj, që do të më ndihmojë dhe do të punojmë bashkë. Me këtë ambient do të përpiqemi që të realizojmë objektivat që ka klubi”.