“Klubi nuk e ka fituar kurrë. Duhet t’ia shtojmë vitrinës së historisë së klubit
Altin Manallari
Ai do të përpiqet të jetë trajneri i parë që t’i japë Skënderbeut edhe kampionatin, edhe kupën. Stanislav Levi tregon, në prag të finales ndaj Tiranës, se skuadra e tij duhet thjesht të përpiqet të bëjë detyrën, pa e pasur mendjen te kundërshtari. Por tekniku i kampionëve të saposhpallur të Shqipërisë në fillim të konferencës së tij për shtyp ka bërë një panoramë të përgjithshme të sezonit, që nga fillimi edhe deri ditën që fitoi titullin, duke plotësuar kështu objektivin kryesor, të përcaktuar në kontratën e tij. “Më duhet të them se kemi pasur një fillim shumë të vështirë të sezonit, ku skuadra pati ulje-ngritje, rrëfeu trajneri Levi. Por me kalimin e javëve arritëm të ngjiteshim në krye dhe t’ia dilnim me sukses që të realizonim objektivin, fitimin e titullit kampion. Kemi bërë një punë shumë të mirë deri tani dhe për këtë më duhet të falënderoj të gjithë lojtarët, stafin, drejtuesit e klubit dhe tifozët, të cilët na kanë mbështetur në çdo moment. Është hera e dytë që Kupa e Shqipërisë ka një finale Skënderbeu-Tirana, por është hera e parë që korçarët mund të quhen favoritë në një finale të tillë. Më parë të dyja skuadrat janë përballur në një finale të tillë në sezonin 1975-1976, ku triumfuan bardheblutë. Kjo është e vetmja finale që korçarët kanë luajtur për trofeun e dytë për nga rëndësia në kampionatin shqiptar. Stanislav Levi e di këtë, por pret përfundimin. Për sa i përket të ardhmes së tij te Skënderbeu duket se trajneri çek është shumë i qetë. Një fakt që ai e sjell si shumë të rëndësishëm në lidhje me rinovimin e kontratës me skuadrën kampione të Shqipërisë, është ajo e marrëdhënies së shkëlqyer që ka me drejtuesit korçarë. “Përballja me Tiranën është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Edhe pse jemi disi entuziastë për sa i përket titullit Kampion, që fituam në fundjavë, mendoj se kjo nuk do të ndikojë aspak në finalen e Kupës. Përballë do të kemi një kundërshtar shumë të fortë, i cili do të ketë edhe mbështetjen e tifozerisë së saj. Kam dëgjuar që flitet për një tolerim të mundshëm, por nuk është aspak e vërtetë. Ne do të synojmë fitimin e Kupës, për t’ia dhënë Skënderbeut, një trofe i munguar në vitrinën e historisë së këtij klubi”. Është fundsezoni dhe natyrshëm që pyetjet janë edhe për të ardhmen. Çfarë do të bëjë Levi? Ndoshta do ta drejtojë Skënderbeun edhe në Champions. Unë dhe stafi kemi dëshirë të qëndrojmë, por kjo është në dorën e drejtuesve, më saktë të vetë presidentit. Kam një kontratë deri më datën 31 korrik dhe për momentin nuk kam diskutuar asgjë. Presidenti Zeqo, me të cilin kam një marrëdhënie të shkëlqyer, më ka ftuar që të jem bashkë me të në shortin e Champions League që do të hidhet në Nion të Zvicrës. Në këtë periudhë mendoj se mund të diskutojmë edhe për të ardhmen time. Megjithatë gjatë kësaj kohe kam marrë edhe disa oferta nga jashtë Shqipërisë. Do t’i vlerësoj ofertat që kam dhe më pas do të vendos, pasi të kem dëgjuar edhe atë të Skënderbeut”, ka përfunduar tekniku çek, Stanislav Levi.
