Një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij André, fisioterapisti personal i lojtarit, Gonçalves, ka reaguar publikisht për herë të parë, duke hedhur poshtë spekulimet që kanë qarkulluar në media dhe rrjete sociale.

Në një intervistë për gazetën portugeze Record, Gonçalves e quajti të pavërtetë çdo aludim për një mënyrë jetese të shthurur nga ana e dy vëllezërve.

“Lexova gjëra të pakëndshme në internet dhe në media. Diogo dhe André nuk po festonin, nuk po bënin një jetë të egër. Kishin një plan të qartë dhe të përgjegjshëm për udhëtimin e tyre,” u shpreh ai.

Sipas Gonçalves, vëllezërit kishin planifikuar një udhëtim me makinë për në Santander, ku do të ndalonin në një hotel afër Burgosit për të pushuar gjatë rrugës. Pas kësaj, do të niseshin me traget drejt Britanisë, ku Diogo kishte një takim mjekësor të rëndësishëm në Liverpool.

Familja e Jotës pritej t’i bashkohej më vonë me avion.

“Ai kishte refuzuar të merrte pjesë në turneun para-sezonal në Japoni për t’u fokusuar te rikuperimi. Ishte vendim profesional, jo një udhëtim i rastësishëm,” shtoi fizioterapisti.

Diogo Jota kishte pësuar një pneumothorax – një gjendje ku ajri grumbullohet në hapësirën rreth mushkërisë. Gonçalves rrëfeu se kishin punuar së bashku çdo ditë nga e shtuna deri të mërkurën për rikuperimin:

“Ai u shërua jashtëzakonisht mirë. Nuk kishte dhimbje, ndihej gati dhe ishte entuziast për sezonin e ardhshëm. E lashë në gjendje perfekte për të udhëtuar drejt Liverpoolit.”

Fizioterapisti e përshkroi Jotën si një profesionist të rrallë, të përkushtuar dhe të disiplinuar në çdo aspekt të karrierës së tij. Ai përfundoi duke thënë se ishte i bindur që, nëse kjo tragjedi nuk do të kishte ndodhur, Jota do të kishte zhvilluar një nga sezonet më të mirë në karrierën e tij.

Deklaratat e Gonçalves vijnë si një përgjigje ndaj thashethemeve të shpërndara pas aksidentit dhe sjellin një tjetër perspektivë – atë të një njeriu që kishte qenë pranë Jotës deri në momentet e fundit, duke treguar për një sportist të përgjegjshëm, të përkushtuar dhe larg çdo stereotipi që mund të krijohej në rrëmujën pas tragjedisë.