Dhimbjet e kokës për trajnerin Rolando Maran në prag të ndeshjeve në Ligën e kombeve vijojnë. Së fundmi Kristjan Asllani dhe Klisman Cake kanë shqetësuar në seancën e fundit stërvitore. Mbrojtësi ka ndjerë një shqetësim në kofshën e majtë gjatë stërvitjes së mëparshme.

27-vjeçari i është nënshtruar rezonancës magnetike, e cila nuk ka evidentuar dëmtim muskulor. Cake ka nisur fizioterapinë dhe po monitorohet nga stafi mjekësor. Ndërkohë as Kristjan Asllani nuk u stërvit me grupin, duke zhvilluar një program të diferencuar për rikuperim muskulor. Sipas stafit mjekësor të Kombëtares, mesfushori nuk ka një problem serioz ndonëse do të jetë në monitorim të vazhdueshëm.

Pjesa tjetër e grupit vijoi normalisht programin, me Maranin që po kërkon të konsolidojë idetë taktike përpara sfidës së parë.

Vëmendja është e përqendruar te dueli me Bjellorusinë. Në seancën e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”, trajneri Rolando Maran e orientoi punën kryesisht drejt aspektit taktik. Pas përgatitjeve në palestër, grupi zbriti në fushë, ku u punua me skema të ndryshme, situata specifike të lojës dhe goditjet standarde.

Shqipëria nis aventurën në Nations League me duelin ndaj Bjellorusinë të shtunën, në orën 20:45, në stadiumin Arena Kombëtare në kryeqytet.