Liverpool do të nderojë ish-sulmuesin Diogo Jota gjatë gjithë sezonit të ri të Premier League, pas vdekjes së tij tragjike në një aksident automobilistik në Spanjë, tre javë më parë.

Lojtarët do të mbajnë në fanella dhe xhaketa një emblemë me mbishkrimin “Përgjithmonë 20”, në nder të numrit që mbante Jota. Klubi nga Anfield ka paralajmëruar gjithashtu një minutë heshtje para ndeshjes hapëse të sezonit kundër Bournemouth më 15 gusht.

Që nga lajmi i ndarjes nga jeta të Jotës, mijëra tifozë kanë vendosur lule, shalle dhe suvenire jashtë stadiumit Anfield. Këto kujtime u mblodhën gjatë javës së fundit: lulet do të kompostohen dhe do të përdoren për zbukurimin e hapësirave në Anfield, në Qendrën e Trajnimit AXA dhe Melwood, ndërsa pjesa tjetër e objekteve do të riciklohet për ndërtimin e një skulpture përkujtimore që do të vendoset në stadium.

Në marrëveshje me familjen e tij, Liverpool ka vendosur të tërheqë përfundimisht fanellën me numrin 20 nga përdorimi në të gjitha ekipet, meshkuj, femra dhe të rinj.