Alternativa e projektit të miratuar ishte ndërtimi sipas modelit fillestar


Projekti – Alternativa që iu paraqit Kryeministrit Rama ishte respektimi i planit fillestar të rikonstruksionit të stadiumit në vitet ’80, sipas standardeve të UEFA-s, me një kapacitet prej 21500 vendesh dhe një kosto prej 10 milionë eurosh


Stadiumi i ri Loro Borici ShkoderNdonëse qeveria shqiptare i kishte besuar që në fillim arkitektit australian Peter Uilson ideimin e projektit të rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi”, në zyrat e Kryeministrit Edi Rama kishte përfunduar edhe një projekt i dytë për shqyrtim. Ky projekt i dytë, i krijuar nga inxhinieri Reshat Koçkiqi, është bërë publik nga stafi që ka ndihmuar në krijimin e tij, duke u bërë temë diskutimi në rrjetet sociale.


Një ditë pasi në mediat italiane u bë publik plani tredimensional i stadiumit “Loro Boriçi” sipas rikonstruksionit të planifikuar nga Uilson, në “Facebook” është krijuar një faqe që i kushtohet pikërisht këtij projekti të dytë, me ndryshime thelbësore nga ai i miratuar prej qeverisë shqiptare. Sipas planit, do të respektohej projekti fillestar i rikonstruksionit të stadiumit në vitet ’80, i krijuar po nga inxhinieri Koçkiqi, duke plotësuar tribunat që u lanë përgjysmë në fillimin e viteve ’90. Në këtë mënyrë, do të ndërtohej harku pas portës i lënë bosh, ndërsa do të rikonstruktohej me të njëjtën lartësi edhe tribuna kryesore. Kuptohet që projekti i vjetër do të pësonte ndryshime rrënjësore për sa u përket standardeve që duhej të plotësonte, me modernizimin e tribunave sipas parametrave bashkëkohorë të kërkuar nga UEFA për një stadium në të cilin duheshin luajtur ndeshje ndërkombëtare. Duke ruajtur planimetrinë fillestare të stadiumit, mendohej të respektohej edhe studimi akustik i bërë asokohe, për të mundësuar një atmosferë më të ngrohtë në impiant nga tifozeria, mangësi që është shfaqur në stadiumin e rikonstruktuar “Elbasan Arena”.


Sipas parashikimit, kapaciteti i stadiumit me këtë projekt do të ishte prej 21500 spektatorësh, rreth 4500 më shumë sesa projekti i miratuar nga qeveria shqiptare. Janë bërë të ditura edhe disa nga specifikat e tribunës qendrore të planifikuar për këtë impiant, me 531 vende VIP, 46 vende në tribunën e nderit, 106 vende për gazetarët, si dhe 35 vende të rezervuara për personat me aftësi të kufizuara. Sipas projektueseve, kostoja e përgjithshme e rikonstruksionit të stadiumit “Loro Boriçi” do të ishte 10 milionë euro.


Ndërsa në rrjetet sociale ka filluar krahasimi i dy projekteve, në Shkodër nuk ka filluar ende puna për shembjen e stadiumit ekzistues. Sipas planit, puna duhet të fillojë këtë javë, nëse synohet që stadiumi të jetë gati për ndeshjen e tetorit kundër Serbisë. Fillimisht do të shkatërrohet tribuna kryesore, pasi e reja duhet të jetë plotësisht operative në tetor, bashkë me të gjitha ambientet e brendshme të saj, ndërsa tribunat e planifikuara për t’u ndërtuar pas porte mund të presin edhe pas kësaj ndeshjeje.