Në prag të përballjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, ish-kapiteni i Kombëtares kuqezi, Mërgim Mavraj, ka dhënë një mesazh të fortë për lojtarët dhe opinionin publik.
Përmes një postimi emocionues, Mavraj u ka bërë thirrje futbollistëve shqiptarë që të fokusohen vetëm te loja dhe të mos ndikohen nga ngarkesa historike dhe politike që e shoqëron këtë ndeshje. “Sot mendojeni vetëm futbollin,” shkruan ai, duke theksuar se përfaqësimi me dinjitet në fushë është përgjigjja më e mirë.
Ish-mbrojtësi me origjinë nga Kosova ka një apel të veçantë për lojtarët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë: “Kosova është e jona përgjithmonë,” thekson ai, duke sjellë në vëmendje përkatësinë kombëtare dhe rëndësinë e unitetit në këtë sfidë të ndjeshme.
Ndeshja Shqipëri–Serbi do të luhet sot në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” dhe është e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026. Takimi pritet me interes të lartë si në Shqipëri, ashtu edhe në diasporë, ndërsa transmetimi do të bëhet ekskluzivisht në platformën Digitalb.
