Era e luftës po fryn fort dhe rrezikon të prishë planet e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të futbollit në program gjatë vitit 2026. Operacioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit ka ngritur shqetësime serioze edhe për finalet e Kupës së Botës. Kjo, sepse përfaqësuesja iraniane është një nga skuadrat e kualifikuara dhe sipas kalendarit të konfirmuar më parë duhet të luajë dy ndeshje të fazës së grupeve në tokën amerikane, pikërisht në
Los Angeles dhe Seattle. Por, për momentin duket e pamundur që Irani të luajë në finalet e Botërorit dhe aq më shumë që tifozët e tij të udhëtojnë drejt SHBA. Kjo konfirmohet nga vetë presidenti i federatës iraniane të futbollit, Mehdi Taj. Duke folur për televizionin public ai tha se “duket e pamundur që të presim me besim turneun, por vendimi i takon FIFA”.
Irani u shortua në Grupin G për finalet e Kupës së Botës, bashkë me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re, ndërsa sipas sekretarit të përgjithshëm të FIFA, Mattias Grafstrom ky plan mbetet në fuqi. Ai zbuloi një takim me përfaqësues të vendeve organizatorë të turneut, që për herë të parë do të zhvillohet në tre vende Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë dhe se qeveria botërore e futbollit po monitoron me shqetësim situatën. Për këtë të fundit, FIFA shpreson që të normalizohet në javët në vazhdim. Por numërimi mbrapsht I 100 ditëve të fundit deri në nisjen e topit të parë të Kupës së Botës nis këtë të martë.
Koha nuk premton, ndërsa FIFA ka një tjetër problem që kërkon zgjidhje me të shpejtë. Bëhet fjalë për “Finalisima”, sfida mes kampiones së Botës, Argjentinës dhe asaj të Europës, Spanjës, që duhet të përballen më 27 mars në Doha. Kjo sfidë e rëndësishme e kalendarit futbollistik rrezikon të mos luhet në Katar, pasi autoritetet e tij kanë pezulluar aktivitetet sportive pas sulmeve nga ana e Iranit. Për këtë ndeshje janë shitur të gjitha 90 mijë biletat, por mdiat spanjolle thonë se “finalja e finaleve” mund të shtyhet për në një datë tjetër.
Po ashtu, Konferedarat Aziatike e Futbollit ka njoftuar shtyrjen e të gjitha ndeshjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe ato në Kupën e Azisë, që ishin programuar gjatë dy javëve të ardhshme.
