Kombëtarja e Iran mund të mos marrë pjesë në FIFA World Cup 2026, turne që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada.

Deklarata është bërë nga ministri iranian i Sportit, Ahmad Donyamali, gjatë një interviste për televizionin shtetëror, ku ai tha se situata politike dhe konfliktet e fundit kanë vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e Iranit në këtë kompeticion.

Sipas tij, Teherani nuk ka ndërmend të marrë pjesë në Kupën e Botës pas zhvillimeve të fundit në rajon dhe vrasjes së udhëheqësit suprem të vendit, Ali Khamenei.

Ministri iranian akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës për atë që e cilësoi si masa armiqësore ndaj Iranit, duke theksuar se vendi ka përjetuar dy luftëra brenda tetë ose nëntë muajve të fundit, të cilat sipas tij kanë shkaktuar mijëra viktima.

Tërheqja e mundshme e Iranit nga turneu mund të krijojë një situatë të re për organizatorët dhe për FIFA, e cila do të duhet të vendosë për hapat e mëtejshëm nëse vendi që mbetet vakant do të zëvendësohet.