Sfida e radhës për Skënderbeun në Europa League është me Young Boys, por për URFA-n përballja me zviceranët pritet të jetë një ndeshje normale futbolli dhe fokusi është i tëri për takimin e 3 javëve më pas në “Elbasan Arena” kundër Partizanit të Beogradit dhe atë të kthimit në program pas pesë javësh në kryeqytetin e Serbisë.
Delegati i ndeshjes me Young Boys është përpjekur që disa javë më parë të informohet mbi masat që janë marrë për këtë sfidë, të cilën qeveria e futbollit europian e cilëson si një të rrezikshmërie të lartë duke pasur parasysh dhe ngjarjet e ndodhura në Beograd në tetor të vitit 2014-të. Sipas asaj që Supersport ka mundur të mësojë nga delegati, Partizani Beogradit madje i ka kërkuar UEFA-s që dënimin e një ndeshje pa tifozë ta shlyente në përballjen me Skënderbeun dhe jo me Dinamon e Kievit, por kjo nuk është pranuar në mënyrë kategorike nga ana e qeverisë së futbollit europian.
Gjithsesi dy klubet kanë rënë dakord që të dyja ndeshjet të zhvillohen pa praninë e tifozëve kundërshtar si ajo e Elbasanit ashtu dhe ajo e Beogradit ndërsa në një takim që drejtuesit e klubit korçar kanë pasur me drejtues të policisë së shtetit janë përcaktuar dhe plani i masave të sigurisë të ndërmarra për këtë sfidë, që janë të ngjashme me ato të takimit mes kombëtares dhe Serbisë, të luajtur dy vjet më parë në Elbasan.
Për tifozët shitja e biletave do të bëhet me emër dhe mbiemër dhe në pikat e hyrjes do të ketë kontroll 1 për 1 dhe jo të rastësishëm ku çdo tifoz në momentin që do të paraqitet në stadium duhet të jetë i pajisur me një ID Card. Gjithashtu është përpiluar dhe 1 listë me 1000 emra të skeduar, të cilëve nuk do t’i lejohet prania në stadium për ndeshjen 3-të në fazën e grupeve të Europa League mes Skënderbeut dhe Partizanit të Beogradit.
27 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)