Formula 1


Britaniku triumfoi në Suzuka, duke barazuar idhullin e tij, Airton Sena, me 41 fitore në karrierë


HemiltonLuis Hemilton bëri një tjetër hap të rëndësishëm drejt titullit të tij të tretë kampion në Formula 1, duke fituar Çmimin e Madh të Japonisë në një garë ku triumfi i tij u vu në diskutim vetëm në kthesat e para, në një duel me shokun e skuadrës, Niko Rosberg. Në pistën e Suzukas, Mercedes la pas krahëve të gjitha problemet e një jave më parë në Singapor, duke mbyllur garën me pilotët e vet në të dyja vendet e para për të tetën herë në këtë sezon.


Ky ishte suksesi i 41 në karrierë për Hemilton, i cili barazoi idhullin e tij Airton Sena, në garën e 162 në Formula 1. Triumfi ka çuar në 48 pikë diferencën e britanikut ndaj shokut të tij të skuadrës, Niko Rosberg, i cili e ndjek në klasifikim dhe me pesë gara të mbetura duket se titulli kampion është kthyer në një formalitet për të.


Momenti vendimtar i garës së djeshme ishte në sekondat e para të saj, kur Rosberg dhe Hemilton dueluan me njëri-tjetrin në kthesat e para. Hemilton arriti t’i zinte trajektoren pilotit gjerman që nisej nga “pole position” dhe me një manovër agresive e detyroi të dilte pak jashtë piste, duke i mundësuar Fetel dhe Botas që ta kalonin. Hemilton pastaj zhvilloi një garë thuajse në heshtje të plotë, derisa preu vijën e finishit për të marrë këtë sukses shumë të rëndësishëm për fatin e këtij kampionati. Ndërsa Rosberg mendoi vetëm si të rikuperonte gabimin dhe fillimisht kaloi Botas në pistë e më pas shfrytëzoi ndalesën e dytë në bokse për të kaluar edhe Fetel, që të siguronte vendin e dytë në këtë garë.


Fetel, ndonëse provoi në xhirot e fundit që të arrinte Rosberg, u desh të kënaqej me pozicionin më të ulët në podium. Pas tij, falë një paraqitjeje pozitive, u rendit Kimi Raikonen me Ferrarin tjetër, ndërsa Botas përfundoi në vendin e pestë, edhe pse ishte nisur i treti. Dy protagonistë të kësaj gare pritej të ishin Felipe Masa dhe Daniel Riçiardo, por një përplasje mes tyre që në metrat e parë i detyroi të ktheheshin në bokse për të ndërruar pjesë të makinës. Kësisoj, braziliani përfundoi në vendin e 17, ndërsa australiani që mori vendin e dytë në Singapor, e mbylli garën i 15-i.


Një garë shumë pozitive ishte ajo e Niko Hulkenberg me Force India, i cili u nis nga vendi i 13, por me një start të shpejtë dhe falë gabimeve të pretendentëve, siguroi vendin e gjashtë. Pas tij u renditën Romen Groszhan dhe Pastor Maldonado, të cilët në pistë bënë të harroheshin problemet financiare të skuadrës Lotus. Ndërkohë, zonën e pikëve e plotësuan dy makinat Toro Roso të Maks Verstapen dhe Karlos Sainz.


Zhgënjyese vazhdon të jetë paraqitja e MekLaren, e cila dështoi edhe në pistën e “shtëpisë” për konstruktorin Honda, që e furnizon me motorë. Këtë radhë as Fernando Alonso nuk e fshehu dëshpërimin e tij me një shpërthim publik. “Kjo është turpëruese, shumë turpëruese”, ishte mesazhi i tij në radio, duke vijuar me “ky është motor për garat e GP2”, një sinjal i qartë se spanjolli, i cili mbylli garën në vendin e 11, pret sa më shpejt një ndryshim të situatës.


 


Botërori për pilotë



  1. Hemilton 277 p.

  2. Rosberg 229

  3. Fetel 218

  4. Raikonen 119

  5. Botas 111

  6. Masa 97

  7. Riçiardo 73

  8. Kviat 66

  9. Groszhan 44

  10. Perez 39

  11. Hulkenberg 38

  12. Verstapen 32

  13. Nasr 17

  14. Maldonado 16

  15. Sainz 12

  16. Alonso 11

  17. Erikson 9


Xh. Baton  6